Kosova feston 7-vjetorin e Pavaresise

Kosova feston 7-vjetorin e Pavaresise

Më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova u shpall shtet i pavarur. Shpalljes së Pavarësisë i ka paraprirë një proces i gjatë dhe i vështirë që nga viti 1989, por edhe më herët me regjimin e serbëve të ish-Jugosllavisë.

Shteti më i ri evropian e feston 7-vjetorin me 108 njohje nga vendet e tjera dhe me sfidën e integrimit në Bashkimin Evropian. Kosova është anëtarësuar në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.  Në nderim këtij përvjetori edhe obelisku i Pavarësisë, NEWBORN-i, që simbolizon lindjen e shtetit më të ri në Evropë, i është nënshtruar ndryshimeve.

Të shtunën, ai u  lye me të bardhë dhe që nga dita e diel, njerëz të ndryshëm kanë pasur mundësinë që të pikturojnë dhe të shkruajnë mbi të ç’të duan, për të uruar vendin për ditën e shënuar, 17 shkurtin. Vitin që shkoi ai u ngjyros me ngjyrat ushtarake, të uniformave të ushtarëve të vendeve që kanë ndihmuar Kosovën të çlirohej.

Për këtë përvjetor, krerët e shtetit të Kosovës kanë marrë edhe urime nga krerë  të lartë botërorë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama përmes një telegrami uroi Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga.

7-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të nisë me homazhe tek varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe tek varri i komandantit Adem Jashari, për të vazhduar me mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës. Në mbrëmje është paraparë pritja e presidentes Jahjaga për diplomatët dhe përfaqësuesit e institucioneve vendore, dhe në fund agjenda përmbyllet me koncertin festiv të Filarmonisë së Kosovës, në orën 18:30.

Por cila është situata, shtatë vjet pas shpalljes së pavarësisë! Kosova po përballet me papunësinë e madhe, me protesta të arsimtarëve, minatorëve dhe mbi të gjitha me një eksod masiv të qytetarëve. Sipas statistikave mbi 50 mijë qytetarë vetëm nga nëntori i vitit të kaluar deri më tani e kanë braktisur Kosovën. Në mesin e të ikurve janë edhe mbi 5 mijë nxënës, ndërkohë që po vazhdon ende ikja e njerëzve nëpërmjet territorit serb, për të kaluar më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Qeveria e Kosovës po punon për zhvillimin e ekonomisë së vendit, ruajtjen e stabilitetit në rajon dhe për të fituar liberalizimin e vizave për qytetarët, që pritet t'i japë fund emigrimit të jashtëligjshëm të tyre. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, deklaroi dje së në 7-vjetorin e pavarësisë, gjendja ekonomike e vendit nuk është e mirë, por qeveria e tij ka krijuar një program i cili pritet të ndryshojë këtë gjendje.

Agjenda e plotë e aktiviteteve për shënimin e 7-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës:

09.00: Homazhe para varrit të presidentit Rugova;

10.00: Homazhe para varrit të komandantit Adem Jashari;

11.30: Mbledhja solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinë;

12.00: Ansambli “Shota” defile në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nene Tereza” dhe “Dr. Ibrahim Rugova”

12.30: Ndarja e çmimeve vjetore për letërsi (Ministria e Kulturës);

13.00: Vizitë në Muzeun e Pavarësisë;

15.00: Mbahet seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

17.30: Pritje për korin diplomatik dhe përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës (Kryetarja e vendit, Atifete Jahjaga, ne: hotelin “Emerald);

18.30: Koncert festiv i Filarmonisë se Kosovës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama