Kohe pushimesh nga paketat me te lira tek plazhet me luksoze te botes

Kohe pushimesh, nga paketat me te lira, tek plazhet me luksoze te botes

Pushimet nisin nga 55 euro deri në 800 euro personi brenda vendit, për të vijuar me plazhet e Turqisë, Greqisë dhe Spanjës, ku paketat janë të larmishme, që nisin nga 299 euro deri në 9000 euro personi. Ku pushojnë më shumë shqiptarët? Nis ofrimi i paketave për pushime brenda vendit. Ja të gjitha ofertat

Në ditët me vapë të korrikut kryefjala e të gjitha bisedave janë pushimet. Disa i kanë bërë llogaritë që në dimër dhe tani janë duke i shijuar, të tjerët po bëjnë gati valixhet dhe po studiojnë ofertat. Kriza ekonomike me gjithë vështirësitë që ka krijuar në ekonominë tonë të përditshme, ka liruar ofertat e paketave turistike si jashtë por edhe brenda vendit. Agjencitë turistike janë në valën e punës. Por më shumë për të çuar shqiptarët për pushime jashtë vendit, sesa për të sjellë të huajt në vendin tonë. Dhe kur bie fjala për pushime, Turqia i kënaq të gjithë. Ofertat për person nisin nga 299 euro për hotele me tri yje për 7 ditë në plazhet e Antalias, Belekut dhe Kemerit, mbi 1560 euro për hotelet me 5 yje, ku të gjitha janë të përfshira. Spanja është bërë një destinacion mjaft i preferueshëm me oferta që nisin mbi 500 euro për person 7 ditë. Maldivet vijojnë destinacioni për romantikët dhe të kamurit, ku paketat 7-ditore kanë një çmim mesatar prej 1500 eurosh deri mi 4 mijë euro. Por edhe Shqipëria ofron shumë. Këtë vit për herë të parë kanë nisur paketat turistike 3 dhe 7-ditore.

 

Fundjavat në Theth dhe Valbonë, ku janë të gjitha të përfshira, shkojnë nga 58 euro në 96 euro, ndërsa paketat 7-ditore në Ksamil po ofrohen me 130 euro. Agjencitë turistike pohojnë se, Shqipëria ka shumë për të ofruar, por ata nuk kanë shumë leverdi të punojnë me paketa vendase. Për shkak se industria e turizmit ende është në fillesa dhe nuk ka resorte që ofrojnë “all inclusive”, ku përfshihen të gjitha, që nga fjetja, tri vaktet dhe argëtimi për të fëmijët dhe të rriturit. Ndaj dhe agjencitë turistike janë të prira të ofrojnë shërbime për jashtë vendit. Është më lehtë dhe fiton më shumë, thonë ata. Kjo për shkak se resortet turke dhe greke i ofrojnë të gjitha me çmime të leverdishme. Ndaj sipas tyre është më lehtë që shqiptarët t’i kënaqësh në Turqi, sesa në Shqipëri.

 

Çfarë ofron Shqipëria?

 

Turizmi i bregdetit

 

Në Durrës, në një hotel me 5 yje të pushosh 7 ditë, kushton 520 euro personi, ku përfshihen fjetja mëngjesi dhe shezllonët. Në hotele me 3 yje në paketat 7 ditore në Durrës shkojnë në 250 euro, por nuk janë të gjitha të përfshira. Në Vlorë, paketat 7- ditore ofrohen nga hotelet nga 300 euro personi deri në 600 euro për një javë, ku përfshihet fjetja, mëngjesi, parkingu dhe shezlloni. Çmimet vijnë duke u rritur në jug. Por ka kompani turistike që të çojnë 7 ditë në Ksamil për 125 euro. Por mesatarja e paketave që ofrojnë hotelet nga Radhima e poshtë janë minimumi 300 euro për 7 ditë deri në 800 euro. Plazhet e veriut janë më të lira. Në Shëngjin dhe Velipojë mund të akomodohesh në hotele të veçanta nga 15 euro nata deri në 80 euro, ndërsa paketat 7- ditore vijojnë nga 100 euro pa mëngjes deri në 500 euro, ku është edhe mëngjesi i përfshirë dhe kur akomodimi bëhet në apartamente. Por Durrësi vijon të jetë qyteti-port më i rëndësishëm i Shqipërisë si destinacion turistik. Në pjesën jugore ndodhet plazhi i tij, i gjatë më shumë se 10 km. Gjatë periudhës verore, në Durrës vijnë më shumë se 500 000 turistë në ujerat e detit Adriatik. Monumentet e qytetit antik i kanë rezistuar kohës dhe janë akoma sot në një gjendje të mire. Durrësi është një destinacion interesant për turizmin historik. Qyteti i Vlorës është një qendër tjetër turistike dhe përgjatë plazheve të saj do të gjeni shumë hotele dhe restorante. Saranda ofron një stil dhe atmosfere të veçantë. Panorama e detit, shumëllojshmëria e florës, e favorizuar dhe nga klima e bute, e bëjnë Sarandën një qendër kryesore pushimesh dhe një qytet të rëndësishëm turistik. Divjaka është një nga bukuritë natyrore më të mirëkonservuarat në Shqipëri. Plazhi në të shumtën e rasteve frekuentohet nga banorët vendas.

 

Turizmi i malit

 

Ushqimi i shijshëm tradicional dhe natyra e virgjër nuk zhgënjejnë askënd. Oferta me vetëm 55 euro. Viziton alpet e mrekullueshme të vendit, në pikat turistike të Thethit të Valbonës. Paketat përfshijnë fjetje një natë dhe qëndrim dy ditë, ku janë të gjitha të përfshira. Këto paketa po tërheqin shumë vizitorë, sidomos të rinjtë. Voskopoja gjithashtu, e cila ndodhet rreth 21 km nga Korça, mbi një pllajë 1160 m mbi nivelin e detit. Karakteristike e vendit është ajri i pastër dhe uji i freskët dhe kurativ. Një natë dhe dy ditë qëndrimi kushtojnë nga 60-80 euro. Razma në zonën e Shkodrës është një destinacion mjaft tërheqës dhe ndodhet rreth 41 km në veri të Shkodrës. Është vendi ideal për të praktikuar alpinizmin malor dhe skitë. Fshatrat e tjera rreth tij, Vermoshi, Boga dhe Vukli janë unike për bukurinë e tyre natyrore. Një natë dhe dy ditë qëndrimi, ku janë të përfshira të gjitha, kushtojnë nga 50-100 euro. Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës tani po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj dhe vendas. Parku ka një sipërfaqe prej rreth 8000 hektarësh dhe ndodhet 25-30 km në veri të qytetit të Bajram Currit. Vlerat e tij shkencore, turistike dhe kurative janë të kombinuara me një biodiversitet të rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Një natë qëndrimi dhe dy ditë kushtojnë 55-60 euro. Parku Kombëtar i Thethit  ofron të njëjtat çmime dhe gjendet në alpet shqiptare, pranë Bjeshkëve të Namuna, 70 km nga Shkodra. Një monument natyror vërtet interesant është ujëvara e Grunasit. Ujërat e saj zbresin nga një lartësi prej 30 metrash. Parku Kombëtar i Malit të Dajtit është një tjetër destinacion, sidomos për ata që jetojnë në kryeqytet. Fauna këtu është e një shumëllojshmërie të madhe dhe e një interesi të madh. Mjaft interesante mbeten edhe kanionet e Osumit, për të cilat tashmë ka oferta të bollshme, që vijojnë duke nisur nga 50 euro për një natë dhe dy ditë, ku janë të gjitha të përfshira.

 

Turizmi kulturor

 

Gjithnjë e më shumë Shqipëria po tërheq turistët vendas dhe të huaj. Organizata Botërore e Turizmit i sugjeron Shqipërisë të ndjekë një model ndryshe të zhvillimit të turizmit nga Kroacia dhe Mali i Zi, modele që cilësohen jo fort të suksesshme në vijimësinë e industrisë turistike. Butrinti, Kalaja e Shkodrës, e Lezhës, e Beratit, Kruja, Amfiteatri i Durrësit, Apolonia, Kalaja e Gjirokastrës, Muzeu Kombëtar në Tiranë etj., vizitohen të paktën nga 1.5 -2 milionë persona çdo vit. Ky lloj turzimi është i lirë dhe nuk kërkon shumë kohë. Një natë dhe një ditë brenda përbrenda vendit nuk kushtojnë më shumë se 50 euro për t’u vizituar, duke përfshirë shpenzimet e udhëtimit dhe drekën. Turizmi kulturor gjatë një viti siguron të ardhura mbi 50 milionë lekë të reja dhe më të vizituarit janë Muzeu Kombëtar dhe Butrinti, i cili është përfshirë edhe në paketat turistike të Korfuzit.

 

Ofertat jashtë vendit

 

Edhe për jashtë vendit preferencat janë të ndara. Disa preferojnë pushimet në det, ku Turqia, Greqia Kroacia dhe Spanja zotërojnë tregun. Ndërsa një pjesë tjetër preferon turizmin kulturor dhe për këtë agjencitë turistike kanë paketa të veçanta, ku mbizotërojnë Parisi, Roma, Vjena, Barcelona etj. Një pjesë e madhe e shqiptarëve e kanë kthyer në traditë Turqinë, sidomos familjarët, për shkak se të gjitha shërbimet janë të përfshira në një paketë. Ushqimi i bollshëm, argëtimi për të rriturit e fëmijët dhe guida, ku të gjitha kushtojnë nga 299 deri në 800, apo 1000 euro personi. Në fakt çmimet atje vijojnë në varësi të standardit të hotelit dhe vendndodhjes së tij. Por mbeten të preferuara mjaft edhe destinacione të tilla si plazhet e Greqisë dhe Spanjës, ku paketat ofrojnë larmishmëri që nga shërbimet deri te çmimet. Për jashtë vendit duket se është më lehtë. Të gjitha vaktet e ushqimit dhe shërbimet e tjera për kohën e lirë joshin shqiptarët më shumë. Megjithatë kjo varet nga mundësitë, pasi paketat nisin që nga 100 euro për tri ditë dhe pastaj nga 300 deri në 1500 euro për 7 ditë. Ndërsa paketat e turizmit kulturor për jashtë vendit përfshijnë disa qytete europiane. Pesë ditë për në Paris, Bruksel dhe Shtutgart, kushtojnë 470 euro për një person.

 

Ofertat brenda vendit

 

Valbonë, Theth, Osum

 

Vetëm 55 euro

 

Në pagesë janë të përfshira:

 

1. Transporti

 

2. Akomodim në bujtine/hotel për 1 natë dhe 2 ditë qëndrimi

 

3. Pakete (mëngjeset dhe darka)

 

4. Guide shoqëruese nga agjencia

 

Durrës

 

Nga 250-520 euro për 7 ditë

 

Përfshihen fjetja, mëngjesi, parkingu dhe shezlloni

 

Vlorë

 

Nga 300 euro personi deri në 600 euro për 7 ditë

 

Përfshihen fjetja, mëngjesi, parkingu dhe shezlloni

 

Saranda

 

Nga 300 euro personi deri në 700 euro për 7 ditë

 

Përfshihen fjetja, mëngjesi, parkingu dhe shezlloni

 

Shëngjini dhe Velipoja

 

Nga 100 euro pa mëngjes deri 400 euro për 7 ditë

 

Përfshihen fjetja, mëngjesi, parkingu dhe shezlloni

 

 

 

Oferta jashtë vendit

 

Turqi,  Kemer

 

8 ditë, nga 299 euro deri në 800 euro personi

 

Janë të përfshira fjetja të gjitha vaktet, argëtimi për të rriturit e fëmijët dhe guida

 

Turqi, Alania

 

7 ditë, nga 399 euro deri në 820 euro personi

 

Janë të përfshira fjetja të gjitha vaktet, argëtimi për të rriturit dhe fëmijët dhe guida

 

 

 

Turqi Belek

 

7 ditë, nga 200 euro deri në 2100 euro personi

 

Janë të përfshira fjetja të gjitha vaktet, argëtimi për të rriturit dhe fëmijët dhe Guida

 

Greqi, Halkidiki

 

Të gjitha të përfshira çmimet nisin nga 378 për 7 ditë

 

Greqi, Korfuz,

 

7 net, të gjitha të përfshira nga 570 deri 1137 euro personi 

 

Spanjë, Palma de Majorka

 

6 netë  nga 750 euro-deri në mbi 1500 euro, të përfshira të gjitha.

 

Maldive

 

Nga 1500 deri 9000 mijë euro personi për 7 ditë të përfshira të gjitha

 

Kroaci, Dubrovnik

 

300 euro deri 550 euro për 7 ditë, të përfshira mëngjesi dhe darka dhe transporti

 

Sharm El Sheik

 

Të gjitha të përfshira, çmimi nga 456 deri mbi 1000 euro personi për 6 net e 7 ditë.

 

Brazil

 

Nga 2000 euro deri në 8000 euro për 5 ditë, janë të përfshira, mëngjeset, darkat dhe guidat dhe transporti


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama