Asgjë nuk do kishte mundur të bënte nëse s’do kishte atë bagazh artistik me vete. Balerini shqiptar Kledi Kadiu, idhulli i qindra e mijëra të rinjve italianë dhe shqiptarë, tepër i njohur në programet e "Canale Cinque"e veçanërisht në emisionet e Maria De Filippit dhe ato të Maurizio Konstanzos, prej pak kohësh ka vendosur të eksperimentojë në një fushë tjetër të artit, atë të kinematografisë. Filmi i tij i parë "Passo a due", që në shfaqjen e parë në Itali ka arritur të klasifikohet mjaft mirë ndër realizimet kinematografike të vitit, duke shënuar kështu një sukses jo të vogël për artistin shqiptar...
Biografia
Ka lindur në Tiranë, në 7.4.1974. Që i vogël ka kultivuar pasionin për kërcimin. Në moshën 10 vjeçare kalon provën e parë dhe pranohet në Akademinë e Kërcimit. Në vitin 1991 diplomohet në Akademinë e Dansit,Tiranë. Në 1992 një kompani e dansit nga Mantova, të cilët kishin ardhur në Tiranë, e fton të punojë në Itali. Me spektakle të dansit klasik shkon nëpër qytete të ndryshme të Italisë. Pas kësaj eksperience tepër të vështirë, vendoset së pari në Revereto (Trento), më pas në Verona, Milano dhe në fund në Romë, ku jeton prej katër vitesh. Pas shumë spektakleve në veri të Italisë dhe një punë tejet të lodhshme, duket sikur fati troket për herë të dytë për djaloshin shqiptar dhe kësaj radhe ëndrra bëhet realitet. Kledi bëhet balerin i parë në disa nga emisionet më të ndjekura në Itali, si “Buona Domenica”, “C’è Posta per te”, “Saranno famosi”, si dhe drejton Akademinë e tij të Kërcimit Modern në Romë, ku edhe jeton.
Teatër
Balerin i parë në Teatrin e Operas dhe Baletit, Tiranë, 1991-‘93.
Compania Rejonale e Baletit të Mantovës '94-'95.
Compania e Dansit të Roveretos(TN) '95 -'97.
Compania e Teatrit të Filarmonisë, Verona '97-'98.
Televizion
Canali 5 "Saranno Famosi" (balerin i parë) '02 -'03
Canali 5 "C'e' posta per te" (balerin i parë) '02 -'03
Italia 1 "Saranno Famosi" (primo balerin i parë) '01 -'02
Canali 5 "C'e' posta per te" (balerin i parë) '01 -'02
Canali 5 "Buona Domenica" (balerin i parë) '01 -'02
Canali 5 "La notte dei Telegatti" (balerin i parë) '01
Canali 5 "C'e' posta per te" (balerin i parë) '00 -'01
Canali 5 "Buona Domenica" (balerin i parë) '00 -'01
Canali 5 " Buona Domenica " ( balerin i parë) '99 -'00
Canali 5 "Buona Domenica " '98 -'99
Italia 1" Il Quizzone " '98
Publicitet
Ariston me Daniel Ezralow '98.
Video muzikore
"Non Vergognarsi mai" nga Lucio Dalla (Protagonist) 1999.
"Vamos a bailar" nga Paola & Chiara (Protagonist) 2000.
Kledi Academy
Shkolla e Dansit, Romë 2004. Japin mësim balerinë nga Akademia Kombëtare e Dansit, Teatri i Operas, si dhe Mediaset, Romë.
“Paso a due”, si një balerin i vërtetë
Me ide të Maurizio Costanzos, nën regjinë e Andrea Barzinit, filmi rrëfen historinë e balerinit nga Tirana, që kishte një ëndërr dhe donte ta realizonte atë përtej brigjeve të Adriatikut. Është një film real, që jo vetëm ka nota të theksuara biografike të Kledit protagonist, por edhe i përngjason dhjetëra rasteve të tilla të artistëve apo njerëzve të profesioneve të tjera në vende të huaja. Beni në film, ai jeton në Itali që prej një viti pa dokumente dhe leje qëndrimi, me ëndrrën e të qenit një kërcimtar në jetë, por që kurrë nuk rresht për ta bërë realitet. Filmi përshkohet nga momente dramatike, përplasje psikologjike dhe emocionale, që personazhi kryesor përjeton në rrugën e gjatë dhe të vështirë të gjetjes së vetvetes, në tatëpjetën e artit dhe skenës, por tashmë diku përtej Tiranës dhe Adriatikut. Balerini shqiptar ka besim tek e ardhmja në një karrierë kinematografike, të cilës nuk ka ndërmend t’i shkëputet, pasi po e shijon gjithnjë e më tepër. Menjëherë pas këtij filmi, vjen bashkëpunimi me aktoren e madhe italiane Ornela Mutti në filmin “Ma chi l’avrebbe mai detto?”, me të cilin ka njohur një sukses edhe më të madh. Edhe në këtë film Kledi ëhtë një emigrant, kësaj here nga Irani dhe i quajtur Jasnin, i cili punon në punë të rëndomta në Itali. Këtu ai dashurohet me një grua pasanike e gjendur në krizë bashkëshortore, në rol luajtur nga Ornela Mutti. Për këtë rol të tij, Kledi është shprehur edhe më i emocionuar para mediave italiane, duke theksuar se ky ishte një rol i vërtetë kinematografik, pasi aty dilte nga vetvetja. Që prej interpretimit përkrah Ornelës, një miqësi ka lindur mes të dyve dhe vajzës së aktores italiane, e cila gjithashtu ka një të dashur shqiptar. Sprova e dytë e Kledit në një ekran kinemaje ka rezultuar gjithashtu e suksesshme, pasi kinemaja që në shfaqjen e parë të filmit ka arritur numrin 5 milionë e gjysmë shikues kur është publikuar në fillim të vitit 2007.
Projektet
Aktualisht, Kledi është duke punuar për disa produksione e seriale italiane, si dhe një thriller me Carlo Sigon dhe Stefania Roçan në filmin "La cura della gorilla". Balerini shqiptar, I cili tashmë ka pushtuar skenat e Mediasetit dhe emisioneve më të ndjekura në Itali, rrëfen se ka ambicie për karrierën e tij si balerin dhe atë që sapo ka nisur, për të cilën mendon të eksplorojë edhe më shumë në të ardhmen. Ndërkohë, Kledi është ftuar nga regjisori shqiptar i suksesshëm Gjergj Xhuvani për të luajtur në një film prodhim shqiptaro-francez. Ndërsa vera e sivjetshme do ta gjejë të angazhuar si drejtor artistik i grupit të baletit të Free Dance Company, e cila nis turin e spektakleve “Cattivi pensieri” nëpër gjithë Italianë, që nga muaji korrik, gusht e shtator. Po ashtu, interpretimi i tij në baletin “Romeo e Zhuljetë” që pritet të ngjitet në skenën italiane në disa qytete kryesore të vendit këto ditë, është një sukses i pritshëm. Pjesëmarrja e Kledit në rolin protagonist të Romeos është cilësuar nga media italiane si sensacionale.
Marre nga : Gazeta Sot











