Klaudia Pepa kualifikohet ne Amici

Klaudia Pepa kualifikohet ne 'Amici'

Balerina shqiptare Klaudia Pepa është kualifikuar në konkursin e kërcimit në Itali “Amici”, duke sfiduar 7 vajza të tjera. Spektakli që drejtohet nga Maria de Filippi është një ndër emisionet më të mira në Itali dhe për çdo balerinë ky kualifikim është një ëndërr. Klaudia Pepa, mbante numrin 14 në këtë garë, dhe ka bërë para tetë pjesëtarëve të jurisë një performancë shumë moderne. E veshur me një kostum body të kuq, ajo ka kërcyer zbathur pa u ndalur për afro tri minuta. Teksa kërcente edhe këndonte tekstin e këngës që e shoqëronte në sfond. Momenti kur Klaudia lexoi emrin e saj në ekran ishte mallëngjyes, pasi u konfirmua zyrtarisht konkurrente tek “Amici”.

 

Shtatë vajzat e tjera e mbyllën aty garën në “Amici”, ndërsa për balerinën shqiptare ky është vetëm fillimi i një rruge akoma edhe më të vështirë. “Amici”, sipas saj është ëndrra e çdo artisti, sepse është një mënyrë nëpërmjet së cilës artisti aspiron të vazhdojë edhe më lartë karrierën artistike. Klaudia në një intervistë për “Shekulli”-n, para se të nisej për në Itali, ka treguar emocionet që ka për pjesëmarrjen e saj tek ky spektakël. Sipas saj, debutimi i artistëve shqiptarë nëpër aktivitete ndërkombëtare përmirëson më shumë se çdo gjë imazhin e Shqipërisë në botë.

 

“Vlerat e artistëve shqiptarë mund ta ngrenë sa më lart imazhin e Shqipërisë, ndryshe nga politika”, është shprehur ajo. Teksa ka shtuar më tej, se të vetmen gjë që ka të sigurt nga ky konkurrim, është mbështetja morale, që do të ketë nga shqiptarët, në veçanti nga ata që jetojnë dhe punojnë në Itali. Klaudia Pepa është rritur në skenë, përkrah Albi Nakos, i cili është edhe bashkëshorti i saj, por ajo ka mësuar që të qëndrojë më së miri në profilin e saj artistik. Nga programi “Amici” në Itali kanë marrë famë shumë balerinë shqiptarë si: Kledi Kadiu, Ambeta Toromani, Leon Cino, Klajdi Selimi etj. Urojmë që edhe Klaudia të vazhdojë në rrugën e tyre.  


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama