Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Nga Sokol Shameti

(Paranteze: Titulli i artikullisht eshte vendosur nga redaksia. Artikulli pershkruan statusin e Kishes Ortodokse Autoqefale Shqiptare nen drejtimin e Janullatosit dhe jo Kishen Ortodokse Shqiptare te themeluar nga Fan Noli)

 

Gjithmonë më ka habitur padituria endemike e opinionit tonë publik dhe medias në lidhje me situatën në kishën ortodokse të Shqipërisë dhe koordinatën e saj në yllësinë e kishave të këtij riti në botë. Mbi shpjegimin se si eshte gjendja dhe ku jemi ne kete aspekt, mbahet qellimisht nje mjegull e ushqyer me fjale te pergjithshme, te turbullta e me kumbim te pakuptueshem fetar qe synon te mos e lejoje veshtrimin e kureshtarit dhe driten e informacionit te depertoje brenda.

 

Versioni i shkurtër i muhabetit është se Kisha Ortodokse e Shqipërisë është në varësinë e kishës kombëtare greke, jo thjesht moralisht e shpirterisht, sic e akuzojne kundershtaret, por edhe administrativisht dhe konkretisht, sic permbajne dokumentet. Versioni i gjatë është ky:

 

Kisha katolike ka vetëm një patriark, vetëm një lider suprem - ai është papa i Romës dhe çdo kishë katolike e çdo shteti varet prej tij.

 

Kisha ortodokse kishte edhe ajo vetëm një lider: patriarkun ekumenik të Kostandinopojës - i cili i takonte ritit grek, mbarështonte dhe promovonte kulturën dhe interesat kombëtare greke në gjithë territorin lindor te Evropës.

 

Bullgarët, të cilët donin të mbeteshin ortodoksë por që nuk e pranuan këtë politikë asimiluese të Patriarkanës, ishin të parët që themeluan një patriarkanë të tyren - pra një kishë ortodokse TË PAVARUR kombëtare. Sigurisht, patriarkana e Kostandinopojës në fillim nuk ishte dakord dhe e luftoi kete Patriarkane te re, por më pas u detyrua t'i njohë si të barabartë. Pas suksesit bullgar, njëri pas tjetrit të njëjtën gjë bënë edhe serbët, rusët dhe rumunët. Shekujt ndërkohë kishin rrjedhur dhe nga Perandori, Bizanti filogrek ishte katandisur në atë çka ishte realisht territori etnik grek (madje me shumë territore të grabitura brenda). Për të ruajtur pretendimin e tyre të vjetër territorial mbi Stambollin (Kostandinopojën) Kisha greke pas pavarësisë së shtetit grek refuzoi ta kalonte patriarkanën e kishës së saj kombëtare në kryeqytetin e ri Athinë duke e mbajtur në territorin e enklavës greke te Fanarit në Stamboll.

 

Nga kjo Patriarkanë greke pra varen disa kisha shtetesh që nuk kanë themeluar një Patriarkanë apo Shtëpi të tyren ortodokse kombëtare - mes tyre edhe kisha e Shqiperise.

 

Patriarkana i quan këto kisha vasale - satelite me termin greqisht "autoqefale" qe dmth "autonome". Ajo mundohet qe edhe ne terminologji te imponoje si minimum aksentin apo rregullat drejtshkrimore greke ne shqiptimin e tyre. Ajo e quan kete rit kishe sipas shqiptimit greqisht "orTHoDHokse" dhe jo shqip "ortodokse".

 

Keto lloj kishash te varura, kanë pak a shumë statusin politik që Kosova kishte kur ishte nën Jugosllavi - pra territor serb, me ca të drejta sa për sy e faqe, por nën autoritetin e Beogradit. Siç bëjnë sundimtarët me çdo koloni të tyren, ata dërgojnë atje një mëkëmbës, një administrator apo viceroy i cili mbron interesat e tyre. Kisha greke i quan ata me emrin greqisht "episkop" ose krye-episkop, funksion ky vartës në hierarki dhe gradë karshi Patriarkut. Pra kryepiskopi është në rang koloneli ndërsa Patriarku në rang Gjenerali. Qe do te thote: Patriarku Irinej i Serbise eshte i barabarte me Patriarkun Bartolome te Kostandinopojes. Ndersa Kryepiskopi Anastas, eshte vartes i Patriarkut Bartolome, e si i tille, eshte me poshte ne rang edhe se Irineu i Serbise.

 

Nuk është vetëm kisha shqiptare nën sundimin e një kishe të huaj kombëtare. Një debat i ashpër po bëhet në Maqedoni e Mal të Zi, ku Patriarkana Serbe kërkon të ruajë sundimin, Ukraina ku luftohet për interesat imperialiste të Patriarkanës së Moskës e cila konsideron "rus" cilindo ortodoks etj.

 

Ka ardhur koha që të çohet deri në fund vepra e lavdishme liberatore e Fan Nolit i cili e ngriti statusin e Kishes Ortodokse shqiptare të paktën në nivel autonomie. Kisha ortodokse e Shqipërisë ka nevojë të shpallë mëvetësinë nga Patriarkana greke e Stambollit, të themelojë Patriarkanën e vet dhe të bëhet kishë ortodokse-kombëtare dhe përbashkuese e të gjithë ndjekësve të këtij riti fetar në Shqipëri, Kosovë, Epir të Jugut, Siçili e Kalabri.

 

Jo duke ngulur një bust të Nolit aty e duke u trembur nga mjekra e Janullatosit këtu - ortodoksët shqiptarë mund ta meritojnë këtë emër (shqiptarë) vetëm kur të bëhen kombëtarë. Në të kundërt do të vazhdojnë mbeten greko-ortodoksët e Shqipërisë.

 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama