Kënga “Zemërimi i një nate” e kënduar nga Hersi Matmuja u shpall fituese e edicionit të 52-të të festivalit në Radio Televizionin Shqiptar. Kjo këngë do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision.
“Ka qenë festivali i parë që unë e kam shijuar shumë këtë skenë dhe përmes këngës jam përpjekur të dhuroj atë që unë ndjej” tha këngëtarja e re pas marrjes së çmimit. Një vit më parë Hersi Matmuja zuri vendin e tretë në festival me këngën “Kush ta dha këtë emër”.Çmimin e dytë të festivalit të këtij viti e ka fituar Klodian Kaçani me këngën “Me ty”, ndërsa çmimin e tretë e ka fituar Saimir Braho me këngën e titulluar “Grua”. Fituesit u përzgjodhën nga 16 këngë të paraqitura nga krijues të ndryshëm të trevave shqiptare, prej një jurie prej emrave të njohur të muzikës, letërsisë dhe artit skenik.