Kenga fituese e Europianit ngjashmeri me kengen e shqiptares

Kenga fituese e Europianit, ngjashmeri me kengen e shqiptares

Festa e fitores në Festivalin Evropian, duket se është zbehur për serbët. Së fundmi, akuzave të rënda, sipas së cilave vendet e Lindjes bllokuan votimin, i është shtuar edhe një më e rëndë. Në gazetën angleze "The Sun" ngrihet pretendimi që kënga është e kopjuar. "Sipas kritikëve "Molitva", kënga e interpretuar nga Marija Šerifovic, është kopje e një kënge shqiptare. Dikush ka postuar një video ku krahasohen të dyja këngët njëra pranë tjetrës.

Ai thotë se "E njoh prej kohësh këtë këngë. Ka fituar një konkurs popullor që quhet "Top Fest" dhe zhvillohet çdo vit. Me të dëgjuar këngën serbe e kuptova që ishte një plagjiaturë. Nuk e di nëse gjithçka është bërë në mënyrë të qëllimshme, por ngjashmëria është e dukshme", - shkruhej dje në gazetën "The Sun". Mjafton të klikosh tek linku i videove dhe do shquash që kënga nga e cila pretendohet se serbët kanë kopjuar, është "Ndarja". Një nga këngët më të njohura të këngëtares Soni Malaj, me të cilën një vit më parë fitoi çmimin e "Këngës më të mirë" në Festivalin e përvitshëm "Top Fest". Kënga është një krijim i kompozitorit maqedonas Maki. Edhe një dëgjues i thjeshtë mund të dallojë që këngët, të dyja baladë, kanë një lloj ngjashmërie me njëra- tjetrën, megjithatë për këtë duhet të flasin profesionistët.
 
Kompozitori i këngës shqiptare, Mariano Filipovski - Maki u shpreh dje për "Top Channel" se ka ngjashmëri mes këngëve, veçanërisht harmonia, por sa i takon bazës melodike, nuk janë e njëjta gjë. Këtë ide mbështet edhe kompozitori i këngës "Balada e gurit", Adrian Hila, që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në Eurosong, pa mundur të kualifikohet në finale. Sipas tij, bëhet fjalë thjesht për një çast harmonik. Gjithsesi mësohet se kompozitori maqedonas do ta ndjekë më tej këtë çështje përmes avokatëve. Gazeta "The Sun" nuk e publikon emrin e personit që ka ngritur pretendimin dhe ka ofruar videot. Megjithatë kaq mjafton për të hapur debatin.

Edhe pse "The Sun" njihet si një gazetë "skandalesh", nuk është ajo e vetmja që publikon këtë rast. Dy ditë më parë, në 13 maj, ky pretendim u ngrit në një gazetë daneze. Bëhet fjalë për "Ekstra Bladet", ku shkrimi shoqërohet me foton e këngëtares shqiptare Soni Malaj dhe nën të është edhe videoja e këngës, marrë nga "Top Fest 3". Tepër e rëndë kjo për fituesit. Nëse një gjë e tillë vërtetohet, atëherë fitorja e shumëpritur ka marrë fund për serbët.

Në të vërtetë, fenomeni i vjedhjes së këngëve nuk është i padëgjuar në Festivalin Evropian dhe pikërisht në këtë mes janë sërish krijuesit serbë. Tre vjet më parë, në edicionin e vitit 2004, ku Shqipëria u përfaqësua me Anjeza Shahinin, pasi serbët u renditën të dytët, doli se kënga "Lane moje" ("Drenusha ime") e kënduar nga Zhelko Joksimoviç ishte e vjedhur nga një tjetër këngë. Ndërkohë që këngëtarja Marija Šerifovic është e njohur për interpretimin e këngëve të përkthyera në serbisht nga gjuhë të tjera. Një nga këngët e saj më të njohura është "Agonija", një këngë e kënduar më parë nga këngëtarja e njohur greke Dhespina Vandhis me titull "Olo Lipis" – "Besoj". Ndërsa këngën "Molitva" ("Lutja") e këndoi në festivalin "Beovizija" që u mbajt në 7-8 mars 2007, ku u vlerësua edhe me çmimin e parë.

Nga ana e këngëtares serbe, apo përfaqësuesve të delegacionit serb të festivalit nuk ka asnjë reagim. Po kështu edhe nga ana e organizatorëve të Festivalit, EBU.

Nata finale e Festivalit Evropian u zhvillua mbrëmjen e së shtunës, në 12 maj, në Helsinki të Finlandës, duke nxjerrë fituese Serbinë, të ndjekur nga Ukrahina e Rusia në vendin e dytë dhe të tretë. Këtë herë vendet e Lindjes zaptuam kreun e renditjes përfundimtare. Gjë kjo që zhgënjeu shumë pjesëmarrës në festival, sidomos "lobin" perëndimor, i cili nuk arriti të kualifikohej fare në finale. Madje edhe të përhershmit, si zakonisht zunë radhët e fundit të renditjes. Mënyra se si u votua ngjalli indinjata të forta, madje pati edhe nga ata pjesëmarrës që u shprehën se nëse EBU nuk rishikon mënyrën e votimit nuk do të marrin më pjesë në Festival. Duket se festivali, ku shqiptarët pritën vite të tëra për t'u futur është në krizë. Ndoshta është momenti për reforma edhe në këtë institucion 52-vjeçar të këngës.

Deklarata

Sipas kritikëve "Molitva", kënga e interpretuar nga Marija Šerifovic, është kopje e një kënge shqiptare. Bëhet fjalë për këngën "Ndarja", një nga më të njohurat e këngëtares Soni Malaj.

Precedenti

Tre vjet më parë, në edicionin e vitit 2004, ku Shqipëria u përfaqësua me Anjeza Shahinin, pasi serbët u renditën të dytët, doli se kënga "Lane moje" ("Drenusha ime") e kënduar nga Zhelko Joksimoviç ishte e vjedhur nga një tjetër këngë.

Kompozitori Mariano Filipovski - Maki

i këngës shqiptare u shpreh dje për "Top Channel" se ka ngjashmëri mes këngëve, veçanërisht harmonia, por sa i takon bazës melodike, nuk janë e njëjta gjë. Gjithsesi kompozitori maqedonas deklaron se do ta ndjekë më tej çështjen përmes avokatëve.

Adrian Hila

Sipas kompozitorit të këngës "Balada e gurit", Adrian Hila, që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në Eurosong, pa mundur të kualifikohet në finale, bëhet fjalë thjesht për ngjashmëri mes këngëve në një çast harmonik.

Disa foto te Soni Malajt i gjeni ketu:

Diskutime rreth kesaj teme ne Albforum

 

Alma Mile - Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama