Katovica - Nga Gorbacovi tek Berisha

Katovica - Nga Gorbacovi tek Berisha

Rasti i Shqipërisë është unikal, sepse pasojat e vakuumit ideor dhe ecja sipas strategjive të gabuara, "notimi" nëpër një konfuzion ideologjik apo përmes një populizmi primitiv a varfërie ideore e konfliktesh deri dhe të skajshme...

 

Pas vitit historik 1989, në vendet ish-komuniste gjithçka duhej filluar nga çideologjizimi, heqja dorë nga "marksizëm-lenizmi", që në periudhën e "socializmit real" ishte shndërruar në ideologji sunduese totalitare. Në Shqipëri, kjo ideologji mbrohej nga disa nene të Kushtetutës së vitit 1976. Prandaj, në se ideologjia nuk do të humbiste fuqinë për mobilizimin në masë të njerëzve dhe diçka tjetër ta zëvendësonte atë, nuk mund të flitej, as për distancim politik nga "demokracia socialiste" (diktatura e proletariatit), as për pluralizëm politik e partiak dhe as nuk mund t'i hapej rruga ekonomisë së tregut, demokracisë liberale të tipit perëndimor dhe përfundimit të "Luftës së Ftohtë".'
 
Strategjia e Gorbaçovit


Rusët, nën udhëheqjen e M. Gorbaçovit, u ndeshën të parët me konsumimin e plotë të utopisë socialiste dhe që duhej të hidhnin një hap vendimtar reformues drejt një shoqërie demokratike e pluraliste. Nëpërmjet Perestrojkës dhe Glasnosit (hapjes), të shtruar për herë të parë nga Gorbaçovi në aktivin e partisë së Leningradit (maj, 1986), fillimisht synohej "korrigjimi i disa të metave të socializmit", kurse më pas "reformimi i thellë i sistemit në frymën e "socializmit demokratik". Aleksandër Jakovljev ishte personi që i sugjeroi Gorbaçovit një taktikë që përfshinte deri dhe mashtrimin, shtirjen, hipokrizinë dhe goditjet pas shpine. Regjimi totalitar sovjetik, sipas tij, mund të goditej vetëm përmes hapjes, disiplina totalitare e partisë mund të mënjanohej përmes fshehjes pas idesë së "përsosjes së socializmit". Në kujtimet e tij, ai pohon se thelbi i "Perestrojkës" dhe i taktikës dinake që pati sukses, ishte i thjeshtë në pamje: "Përdorimi i mekanizmave të totalitarizmit kundër sistemit totalitar". Ndërkohë, në planin ndërkombëtar filloi të flitej për "mendimin e ri" me të cilin synohej që të ecej drejt një diplomacie jo klasore, drejt uljes së tensioneve, përmirësimit të marrëdhënieve me Perëndimin dhe mbrojtjes së vlerave mbarë njerëzore. Veçse një kurs i tillë politik, i quajtur ndryshe dhe "Programi i evolucionit gradual", nuk mund të sillte dhe nuk solli as reformim të ideve, as efektivitet më të madh ekonomik dhe as përmirësim të nivelit të jetesës së njerëzve në BS dhe vendet e tjera socialiste, sepse totalitarizmi nuk mund të përmirësohet... Aq më pak me gjysmë-masa, compromise e pavendosmëri, për çka Gorbaçovi u përmbys me grusht shteti nga B. Jelcini në gusht të vitit 1991.


Për pasojë, Perestrojka rezultoi të ishte thjesht një utopi e "re" në vend të së vjetrës, të cilën Gorbaçovi edhe pas dështimit e përmbysjes së tij, do ta mbronte duke thënë se gjerat mund të kishin rrjedhur ndryshe dhe të ruhej Bashkimi Sovjetik, në se do të evitoheshin tri gjëra: së pari, vonesa në reformimin e Partisë Komuniste; së dyti, vonesa në reformimin e sovjetëve dhe së treti, nëse do të gjendeshin 10-15 miliardë dollarë për të blerë produkte dhe për të evituar radhët e gjata të qytetarëve. U provua kështu se "socializmi i tipit sovjetik" nuk mund të përmirësohej dhe se objektiv strategjik duhej të ishte që në fillim përmbysja paqësore e tij, ndërtimi i demokracisë, i ekonomisë së tregut dhe i shtetit ligjor.


Me të drejtë shkrimtari-filozof Aleksandër Zinovjev, i zbuar nga Rusia si disident në vitin 1978, Perestrojkës së M. Gorbaçovit i kundërvuri satirën therëse Katostrojka, në të cilën theksonte, se "perestrojka s'është progres, por sëmundje e shoqërisë, krizë... Vazhdimi i saj është afrim i vendit drejt vdekjes, sepse nuk ke më ç'rindërton. Madje edhe sikur të lejosh në BS krijimin e njëmijë partive, ato sipas tij do të shndërroheshin në mafie politike!


Rrjedha e ngjarjeve i dha të drejtë A. Zinovjevit, jo M. Gorbaçovit që gjatë katër viteve të Perestrojkës ndërtoi për vete katër vila luksoze në Soçi dhe në periferi të Moskës. Por, as populizmit të B. Jelcinit, që pretendonte ta "shëronte vendin" duke hequr dorë si person nga "privilegjet e nomenklaturës"!


Ndërkohë, është fakt që një vend i madh e ish-superfuqi si Rusia edhe sot vazhdon të përpëlitet midis së vjetrës dhe së resë, midis trashëgimisë ideologjike totalitariste dhe dëshirës për të ndërtuar një shoqëri moderne e demokratike, pra vazhdon të veprohet njëlloj si në vitet kur Hrushovi, nga njëra anë deklaronte ndërtimin e komunizmit brenda një plani shtatë vjeçar, kurse nga ana tjetër përcaktonte si objektiv kryesor të BS arritjen e SHBA-së, pra të një vendi kapitalist, për prodhimin e mishit dhe të qumështit!. Në të vërtetë nuk ishte vetëm varfëri materiale, mungesë deri dhe e artikujve të nevojës së parë, por dhe një mjerim intelektual që çonte deri atje sa njeriu të shndërrohej në "brohoritës", të bëhej pjesë e turmës, pa dalluar dot në veten e vet nëse beson a shtiret. Një panoramë rrëqethëse të këtij tëhuajëzimi në vendet e Lindjes, përfshi dhe BS, e sjell të gjallë edhe libri i Çesllav Milloshit, “Mendja e robëruar”.


Në Kinë u ndoq një rrugë tjetër çlirimi nga "mendja e robëruar", mbase më racionale për heqjen dorë nga ideologjia marksiste-leniniste. Më parë, duke pranuar si prioritet Maocedunidenë dhe jo Marksizëm-leninizmin, më pas drejtimin ideor pragmatist të reformatorit të shquar Ten Hsio Pin dhe programin Reforma dhe hapje. Drejtuesit e RP të Kinës, për të mos lejuar krijimin e "vakuumit ideor" përzgjodhën si bazë filozofinë dhe etikën e Konfucit (551-479 p.e.s.). Konfucizmi, si një variant i hershëm humanizmi, në thelb, është i afërt jo vetëm me humanizmin evropian të periudhës së Rilindjes, por dhe me kristianizmin dhe etikën protestane që u bënë bazë për civilizimin kapitalist perëndimor. Kjo realisht përbën sot dhe afërsinë karakteristike midis Perëndimit dhe civilizimit të vendeve të Lindjes së Largët dhe të Azisë Jug-lindore. Në këto vende e sidomos në Kinë, ka një gërshetim fatlum të konfucizmit me nivelin e lartë të modelit perëndimor të ekonomisë së tregut.
Në vitin 2003, në cilësinë e Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, pata rastin të vizitoj RP të Kinës dhe të shoh jo vetëm optimizmin e udhëheqjes së Kinës që kishte vite të tëra me një rritje ekonomike dyshifrore, por dhe disa nga arritjet konkrete, qendra gjigande industriale, infrastrukturë moderne, qytete krejt të rinj si Dalieni ku ishte përqendruar një pjesë e industrisë së teknologjive te larta të komunikimit, apo qendrat e fuqishme bankare e qiellgërvishtësit e Uoll Strit-it kinez në Pekin e Shangaj etj.
 
Katovica dhe Shqipëria


Mendoj se tani pas gati një çerek shekulli nga "Përmbysja e madhe", është bërë i nevojshëm dhe i mundshëm një refleksion më i thelluar filozofik për të kaluarën komuniste që lamë pas pa kthim. Për më tepër, që individi i porsaçliruar edhe tek ne, ashtu si dhe në vendet e tjera të demokracisë së re, nuk është vetëdijësuar për shoqërinë e re demokratike që është ende në ndërtim, e pa konsoliduar dhe që vazhdon të ndeshet me lloj lloj versionesh të çështjes që njihet si Katovica-1986, një strategji hileqare e nomenklaturave komuniste për të "shpëtuar" ç'mund të shpëtohej nga dështimi i sistemit.


Një strategji të tillë, Gorbaçovi e trajtoi me hollësi siç thuhet, që në vitin 1986, në takimin e Katovicës (kryeqendër e Silezisë në jug të Polonisë, 1986) me krerët e lartë të vendeve të Kampit socialist. Për një takim të tillë, deri tani nuk njihet ndonjë deklaratë zyrtare, sepse sipas kritikës, "Gorbaçovi nuk u jepte rëndësi dokumenteve serioze ndërkombëtare dhe thoshte se besonte më teper te fjala e dhënë"." Si reflektim i parë i takimit, gjithsesi, njihet hapja nga Jaruzelskij i negociatave me Solidarnosin e L. Valesës, që çuan në legalizimin e Solidarnosit si organizata e parë opozitare në Poloni (1989). Po kështu është e njohur që në takimin e përfolur të Katovicës, përfaqësuesit e PPSH-së, për arsye doktrinare, nuk kanë marrë pjesë, por mund të supozohet, që në një formë apo në një tjetër, fryma e ideve të shtruara atje, të ketë mbëritur edhe në Shqipëri, përderisa edhe ajo vuante nga të njëjtat "sëmundje" si edhe vendet e tjera socialiste. Megjithse, në aparencë, udhëheqja e asaj kohe e kryesuar nga R. Alia vazhdonte të këmbëngulte se "Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim" dhe se do të ndiqte rrugën e vet për të mbrojtur socializmin dhe pastërtinë e marksizëm-leninizmit!


Kjo u bë një nga shembujt e "marrëzisë së kultit'" dhe mbase ishte dhe arsyeja kryesore që Ramiz Alia, ish Presidenti i Shqipërisë dhe lideri i PPSH-së pas vdekjes së Enver Hoxhës (11 prill, 1985), në dëshmitë dhe shkrimet e veta të publikuara nuk pranon që të jetë njohur me strategjinë e Katovicës. Madje edhe M. Gorbaçovi, në një intervistë gjatë vizitës në Tiranë në kuadrin e një aktiviteti shahistik (shtator 2011) deklaroi: "Nuk ka pasur kurrë asnjë lloj lidhjeje. Ndoshta është keq, por nuk ka pasur." Për këtë çështje e kam pyetur R. Alinë më 29 shtator të vitit 2006, në pritjen e shtruar në Sheraton nga Ambasada e RP të Kinës dhe ai më ka dhënë një përgjigje evazive: ka pasur atëherë ca materiale! Pa thënë asgjë se nga kishin ardhur materialet për të cilat ka dëshmi nga persona konkretë që i kanë shfletuar e lexuar. Madje Ilo Kodra, ish-sekretari për më se një çerek shekulli i R. Alisë, deklaron prerë se "Katovica është një realitet historik".' Realisht pas rënies së "Murit të Berlinit" (1989), në fjalime dhe në hapat e hedhura jo pa ndrojtje të theksuar, R. Alia ka reflektuar gjuhën dhe idetë e Programit të evolucionit gradual, qoftë ai i vetë Gorbaçovit, apo i ndonjë grupi ekspertësh. Kuptohet, me një vonesë të njohur, por mbase të zbatuar në mënyrë më integrale dhe më rigoroze se në disa nga vendet e tjera ish-socialiste.
 
Strategjia e Ramiz Alisë


Sipas dëshmive të kohës, del se dy vjet pas marrjes së "Programit të evolucionit gradual", të njohur ndryshe si "Katovica-86", në tetor të vitit 1989, R. Alia përpunon strategjinë e "veçantë shqiptare" me titull: Ja cila do të jetë "demokracia" jonë, thelbi i së cilës duhej të ishte: "Të ndryshohen kuajt, por pa ndryshuar drejtimin e erës"!" Thënë ndryshe të bëheshin reforma të thella, të lejohej pluralizmi politik, të pranohej fryma e Helsinkit, liritë dhe të drejtat e njeriut, por të ruheshin parimet e socializmit. Edhe pse pranohej dështimi i tij! Dukej sikur kërkohej të fitohej kohë.
Më konkretisht, në një fjalim që thuhet se R. Alia e ka mbajtur me "më të besuarit" e Byrosë Politike të PPSH-së (tetor 1989), ka "zbërthyer" për kushtet shqiptare disa nga idetë e Katovicës ose të Programit të evolucionit gradual të socializmit, duke e venë theksin te ndryshimet në dy pista themelore: Në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e pluralizmit politik. Duket R. Alia u tregua më mjeshtër nga Gorbaçovi, sidomos pas premtimit që i dha në Tiranë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Perez de Kuelar (maj 1990), se "do të vazhdojmë reformat dhe nuk do të ketë kthim mbrapa.."! Në ç'ide e vuri theksin më tepër R. Alia dhe pse nuk u besua ai deri në fund nga Perëndimi, që vazhdoi të ngulte këmbë se komunizmi në Shqipëri ka rrënjë të thella e nuk mund të reformohet? Kjo vazhdon të jetë një çështje me interes të veçantë teorik e praktik për të kuptuar më thellë ngjarjet e viteve të para të tranzicionit, sidomos shkatërrimet, eksodet, polemikat...
 
Pse u përzgjodhën Berisha dhe Nano?


Le t'u kthehemi disa prej ideve të "Katovicës shqiptare" sipas një përmbledhjeje qarkulluese të fjalës së R. Alisë, që janë të vetemjaftueshme dhe s'kanë nevojë për komente. "Të nxitet krijimi i partive të tjera, të majta, të djathta dhe të qendrës, por ato duhet të kontrollohen e drejtohen nga ne"; të nxitet kritika e "rreptë" ndaj komunizmit që "të fitojmë simpatinë e Perëndimit dhe të disidencës anti-komuniste"; "të dënuarit dhe të persekutuarit të afrohen e përkrahen por kurrë nuk do t'i lëmë të marrin Pushtetin..."; pronarët t'i ngatërrojmë njëri me tjetrin, por pronën "nuk do t'ua japim" se "pasuria na përket ne, se ne e bëmë"... Dhe në fund dokumenti përgënjeshtron pohimet e mëvonshme të R. Alisë, por edhe intervistën e Gorbaçovit. “Materialin që më dërgoi Gorbaçovi, tha Ramiz Alia në në atë mbledhje, kam dy vjet që e studioj..."!' Tani, pas gati një çerek shekulli të një "pluralizmi hileqar", demokracia shqiptare fatkeqësisht ende vuan pasojat e platformës ideologjike të Katovicës mbi bazë të së cilës R. Alia përzgjodhi në krye të partive kryesore që u krijuan pas vitit 1990, disa nga ata që ai i njihte si më të zellshmit e më të sigurtët për periudhën e tranzicionit që të realizonin porosinë (S. Berisha, F. Nano etj.). Me këtë strategji, konkludonte R. Alia, brenda dy a tre legjislaturave do të kemi ish klasën komuniste në klasë kapitaliste (AR-M257). Madje, po dalin në dritë edhe të dhëna konkrete që dëshmojnë se Ramiz Alia mbase ishte realisht frymëzuesi dhe organizatori edhe i eksodit në ambasada më 2 korrik 1990, madje edhe i lëvizjes studentore të 8 dhjetorit 1990."


Gjithsesi është fakt që, aplikimi i ideologjisë dhe i strategjisë së Katovicës, si në Shqipëri edhe në vendet e tjera ish socialiste u bë faktor i vështirësive dhe i zgjatjes së dhimbshme të tranzicionit politik, por dhe i trajtës "hibride" të demokracisë, që është më afër një autoritarizmi "demokratik". Për pasojë, vende të tilla të "demokracisë së re", si rregull edhe pse në përgjithësi mund ta kenë kapërcyer tranzicionin politik, vazhdojnë të vuajnë nga mungesa e ideve të reja dhe nga dukuri tipike të tranzicionit edhe sot në fazën kur kërkohet konsolidimi i demokracisë me standarde perëndimore. Po përmend një fakt konkret. Edhe pas një çerek shekulli tek ne kanë mbetur pa u zgjidhur çështja e pronës, e integrimit të ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë, ecja përpara e demokracisë dhe e zhvillimit ekonomiko-shoqëror sipas një modeli konsensual kombëtar etj. Mbase është ende aktual një distancim nga Katovica-86, sidomos ndaj trashëgimtarëve të R. Alisë të tipit Berisha-Nano që u alternuan në pushtet deri në vitin 2005, kurse Berisha që qëndroi rreth 15 vjet në pushtet, pretendon edhe pas humbjes më 23 qershor 2013 "për një rikthim të shpejtë", sepse vazhdon ta quajë veten misionar, apo si dikur udhëheqësit komunistë, lider të pagabueshëm dhe të përjetshëm!


Gjithsesi, rasti i Shqipërisë mendoj është unikal, sepse pasojat e vakuumit ideor dhe ecja sipas strategjive të gabuara, "notimi" nëpër një konfuzion ideologjik apo përmes një populizmi primitiv a varfërie ideore e konfliktesh deri dhe të skajshme, bënë që zhvillimi demokratik i Shqipërisë të ketë qenë vazhdimisht shumë problematik, me ecje të vogla përpara dhe me kthesa të forta prapa, si ato të viteve 1996, 1997 e 1998.


Klasa politike nuk arriti as të formësohet si e tillë dhe për pasojë vazhdoi rrugën e populizmit ankues shoqëruar me lumë premtimesh, që mëton të përfaqësojë ndjenjat dhe apiratat e vërteta të popullit, por që nuk gjen dot një bazë të përbashkët kohezioni demokratik, dialogu e konsensusi kombëtar as rreth një modeli zhvillimi a bashkëpunimi për plotësimin e standardeve demokratike të domosdoshme për integrimin në Bashkimin Europian.
 
Populizmi, një Strategji shkatërruese


Populistët, në rastin e Shqipërisë të përfaqësuar në pushtet më shpesh me manipulim të votave nga "klani Berisha", mungesën e ideve për të mobilizuar popullin, janë përpjekur ta kompensojnë me slogane për luftë "permanente kundër komunizmit", "me hapje të dosjeve", me identifikim të kundërshtarëve politikë me bllokmenët e dikurshëm të PPSH-së, apo me "larvat" e tyre që merituakan të trajtohen e të luftohen si armiq të popullit! Duket sikur edhe kjo është porosi e Strategjisë Katovica! Veçse, në rastin e Shqipërisë, populizmi për ta bërë sa më të besueshëm antikomunizmin e vet mori një trajtë sa naive aq dhe shkatërrimtare.


Në prag të fitores, por sidomos pas fitores së PD-së të 22 marsit 1992, u përhap me shpejtësi premtimi populist që mori emrin e "çekut të bardhë", që gjoja simbolizonte ndihmën pa kufi në kesh të SHBA-ve për shqiptarët, mjafton që ata të shkatërronin gjithçka që ishte ndërtuar gjatë "periudhës së komunizmit"! Dhe marrëzia populiste nuk njohu kufi, u shkatërruan uzinat, fabrikat, trenat dhe hekurudhat, plantacionet e agrumeve gjatë gjithë bregdetit të ndërtuara me punën vullnetare të rinisë shqiptare, u prenë plantacione të tëra me pemë frutore, vreshta e pyje e u rrënuan shkolla, shtëpi e vatra kulture, magazina e depo, qendra shëndetësore e maternitete në zona rurale! Dhe një çmenduri e tillë propagandohej si luftë për më shumë liri e demokraci shoqëruar me ngritje të dy gishtave lart. Koha me siguri ka për t'i stigmatizuar "demokratë" të tillë populistë, sepse "Nuk mund të jesh hero kundër atdheut" (Viktor Hygo).


Ndërkohë, e keqja e rrënjosur e këtij populizmi nuk po na ndahet as në ditët e sotme. Gjithsesi, meriton të nënvizohet një mësim që del e që nuk duhet harruar, si nga historia dhe përvoja 100-vjeçare e shtetit shqiptar, ashtu dhe nga përvoja e vendosjes së pluralizmit politik dhe e demokracisë në Shqipëri: Pa ide të ngulta dhe pa demokraci në fushën e mendimit, në veprimtarinë politike të partive dhe në vetëdijen qytetare, është e vështirë, në mos i pamundur, ndërtimi i një shoqërie demokratike, konsolidimi dhe funksionimi i normal i saj.


Shënim: Marrë nga libri me refleksione “Etikokracia”. Titujt janë të redaksisë


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama