Kapitalizmi ne fund te produktivitetit

Kapitalizmi ne fund te produktivitetit

Që nga shekulli XIX, të ardhurat dhe pasuria janë zhvilluar në mënyra të ndryshme dhe në dëm të klasave të ulëta dhe të mesme. Studiuesi francez i ekonomisë, Thomas Piketty arriti pas shqyrtimit të një sasie të madhe të dhënash historike në përfundimin se, në një ekonomi që rritet ngadalë, pasuritë ekzistuese rriten më shpejt se pagat. Hendeku mes të pasurve dhe klasës së mesme thellohet dhe fajin e ka kapitalizmi. Kurse laureati i çmimit “Nobel”, Edmund Phelps thotë se është gabim ta bësh kapitalizmin përgjegjës për çdo gjë. “Në vendet perëndimore, një pjesë e madhe e ekonomisë do të jetë gjithmonë në duart e privatëve. Nëse këtë duam ta quajmë kapitalizëm, atëherë dakord”, – tha Phelps për DW. Por sistemi është vetëm kuadri brenda të cilit veprojnë individë të panumërt. Edmund Phelps që i ka kaluar të tetëdhjetat, jep mësim në Universitetin Columbia të Nju-Jorkut dhe ka shkruar shumë vepra të rëndësishme ekonomike.

 

Në vitin 2006 ai mori çmimin “Nobel” në Ekonomi. “Është për të ardhur keq që disa njerëz mendojnë se pabarazia e pasurisë ofron tani mundësinë unike për t’ua shpërndarë të hollat njerëzve të varfër që rrojnë prej pagave”, – thotë Edmund Phelps. Nuk duhet vetëm që të pasurve t’u prekësh pasurinë, se herët a vonë prej kësaj do të preket edhe klasa e mesme. Pasuria po shtohet me forcë, të ardhurat mezi. Me gjithë kritikat, edhe Phelps nuk e mohon se të ardhurat dhe pasuria janë zhvilluar në mënyra të ndryshme dhe në dëm të klasave të ulëta dhe të mesme. Por ky zhvillim ka ndodhur me kalimin e kohës. “Në shekullin XIX, ekonomia në Britaninë e Madhe dhe në SHBA është rritur shumë shpejt, më vonë dhe në Gjermani dhe Francë”, – shpjegon Phelps. Në atë kohë, të ardhurat ishin rritur shumë më tepër se pasuritë. Kurse sot ndodh e kundërta. “Pasuritë janë rritur shumë në proporcion me të ardhurat, sepse produktiviteti rritet shumë ngadalë”, – thotë Phelps. Megjithatë, shumë njerëz kanë sipas Phelps, një lloj neverie ndaj risive që mund të ofrojnë përsëri më shumë produktivitet.

 

Si shembull, ai sjell shërbimin e taksisë Uber, një app për smartphone, përmes të cilit çdo njeri që ka makinë mund të ofrojë shërbimet e tij si taksi. “Njeriut nuk i duhet më të ketë makinën e vet, – thotë Phelps, -se ti gjithmonë mund të marrësh dikë në telefon dhe ai të çon me makinë aty ku do”. Për këtë arsye, shoferët e taksive dolën në rrugë për të demonstruar. Shumë njerëz duket se nuk kanë interes për përfitimet e shërbimit të ri. “Ata mbështesin shoferët e taksive – dhe në këtë mënyrë edhe mënyrën tradicionale të prodhimit dhe të shitjes së automobilave”. Javët e fundit në Europë kanë dalë në demonstrata pro taksive tradicionale dhe kundër shërbimit Uber mijëra vetë. Sipas Phelps, sinjali i tyre: jo ndryshimeve, pro mbrojtjes së sistemeve të vjetra. Në të njëjtën kohë, bizneset tradicionale kursejnë edhe tek rrogat, për shkak se ata nuk kanë produktivitet.

 

“Punë tërheqëse, sfiduese dhe të dobishme mund të ketë vetëm nëse firmat provojnë diçka të re, kur ato shpikin gjëra të reja apo reagojnë ndaj shpikjeve të tjera”, thotë Phelps. Dikur sistemet e vjetra nuk mund të gjenerojnë më rritje. Por krijimi i diçkaje të re nuk pranohet nga shoqëria. Rezultati: paralizë dhe stanjacion. Në të gjitha vendet e zhvilluara produktiviteti po rritet “aq pak, së të merren mendtë”, thotë Phelps. “Kjo i shtyp të rinjtë që dikur fillojnë t’i urrejnë punët e tyre. Dhe kjo paralizon gjithashtu klasën e mesme.” Ajo nuk do të arrijë kurrë mirëqenie, nëse e gjithë shoqëria është kundër shpikësve dhe novatorëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama