Kandidat per president ne Athine apo Kryepeshkop ne Tirane

Kandidat per president ne Athine apo Kryepeshkop ne Tirane

A mundet një “kandidat” për president të Greqisë të udhëheqë kishën autoqefale shqiptare?! At Nikolla Marku: Janullatos t’i përgjigjet thirrjes së atdheut. Në fillim ishte “armiku” i vetëshpallur i shqiptarëve Nikolas Gejxh i cituar në të përditshme To Vima, më pas zyrtarë pranë kryeministrit të Greqisë Aleksis Tsipras (edhe pse zyrtarisht qeveria e mohoi këtë),  që edhe pse prej poleve krejt të kundërta politike mendojnë se Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare Anastas Janullatos është një kandidat i denjë për postin e presidentit grek.  Janullatos sidoqoftë e refuzoi të marrë përsipër detyra politike, ndërsa qeveria greke përgënjeshtroi të ketë diskutuar për këtë siç raporton To Vima.

Janullatos i bashkon grekët

Kjo shkruhej në To Vima ditë para se të ishin shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme. “I vetmi që mund të bashkojë popullin është Kryepeshkopi Anastas i Shqipërisë. Është më i përshtatshmi për President. Kujtoni se në çastet e vështira për Helenizmin kanë marrë rol udhëheqësi kombëtar si Kryepeshkopi Makarios, ashtu edhe Kryepeshkopi Damaskinos” – mësohet të ketë thenë Nikolas Gejxh sipas To Vimas muaj më parë. E njëjta gazetë publikoi dy ditë më parë informacionin se edhe Aleksis Tsipras i sapo zgjedhur kryeministër i Greqisë mund të propozonte Janullatos për kreun e shtetit. Arsyet për këtë sipas të përditshmes greke janë të ngjashme me ato që përshkruan Gejxh. Ata mendojnë se Janullatos mund të bashkojë grekët. Ai përfaqëson njëkohësisht konservatorët që e vlerësojnë për punën në Shqipëri (ish-ministri i Arsimit e ka lavdëruar atë publikisht në parlament për përdorim të mirë të fondeve nga Greqia) dhe me gjasë është i pranueshëm edhe për të majtët ateistë të Syrizas që kërkojnë kështu të mos trembin një pjesë të elektoratit që i sheh sjelljet e tyre si armiqësore.

Janullatos sidoqoftë refuzoi. Siç thuhet në njoftimin zyrtar për shtyp në mënyrë lakonike dhe pa dhënë detaje e pa mohuar  nëse kishte marrë zyrtarisht ndonjë ofertë të tillë ai theksoi se pozicioni i tij në kishë nuk përputhej me atë të presidentit.  “Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, i pyetur nga gazetarë të ndryshëm, si në Greqi ashtu edhe brenda vendit, lidhur me lajmet e përhapura gjerësisht mbi propozimin e tij për president të Greqisë, u përgjigj në mënyrë lakonike: “Hierarku orthodhoks ka një detyrë të caktuar kishtare. Ai nuk mund të marrë poste politike.”, thuhet në njoftimin që shpërndau zyra e Shtypit e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.  Qeveria greke nga ana e saj e përgënjeshtroi informacionin duke thënë se nuk ishte duke diskutuar për Janullatosin si një kanidaturë e mundshme. To Vima nga ana e saj i ka shtuar reagimit të Janullatosit edhe një fjali të re. Sipas saj kryepeshkopi ka thënë se “Ka një mision për të kryer në Shqipëri”.

President i Greqisë apo kryepeshkop i Shqipërisë

I njohur për kundërshtimin e ashpër të kryepeshkopit grek dhe qëndrimit të tij në krye të kishës Ortodokse shqiptare At Nikolla Marku i tha Mapos se do kishte qenë mirë që Janullatos ta kishte pranuar ofertën. Duke përsëritur arsyet pse ai nuk e njeh atë si kreun e Kishës Ortodokse në vend,  At Marku thotë: “Kush nuk do t’i përgjigjej thirrjes së atdheut në nevojë”. Marku thotë edhe se nuk është e vërtetë që hirarkët e kishës nuk merren me politikë. Ai shpjegon gjithashtu se Janullatos nuk ka pse frikësohet që do i lërë pa barinj ortodoksët shqiptarë dhe duke e mbajtur atë përgjegjës për dëmtimin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Marku thotë se fakti që është marrë në konsideratë për postin e presidentit të Greqisë, e ka nxjerrë zbuluar misionin e Janullatos në Tiranë duke e akuzuar se ka dëmtuar kishën duke fshirë prej saj emrat Visarion Xhuvanit dhe Fan Noli-t. Shumë në Shqipëri në fakt do të gëzoheshin që ai të pranonte postin pikërisht sepse do doni që ai të largohej për t’ia lënë vendin një kleriku shqiptar.

Ndryshe nga sa ndodh në Greqi Janullatos nuk i ka bashkuar shqiptarët. Ndaj tij dhe kishës së drejtuar prej tij ka pasur jo rrallë herë akuza për përfshirje në çështje politike dhe madje për qëndrime anti shqiptare. Rasti më i rëndë është ai i “Varreve të Kosinës”, me ndihmën e një kleriku të kishës Ortodokse u bë zhvarrimi i dhjetra shqiptarëve që më pas do të “tregtoheshin” si ushtarë grekë të vrarë në luftën Italo-Greke. Shkak për kundërshtimin mbi kishën kanë qenë edhe ndërhyrjet jo të rralla të politikës greke që më shumë se njëherë e ka marrë atë nën sqetull për “ta mbrojtur” prej shqiptarëve. As lidhjet e kësaj kishe me nacionalistë grekë si Gejxh apo shërbesat fetare në Himarë në prani të cubave të Agimit të Artë nuk i kanë shërbyer fort paqtimit të saj me shqiptarët e tjerë.

Nga ana tjetër në Tiranë sigurisht ka edhe që mendojnë se përmendja e Janullatos ndër kandidaturat për postin e presidentit në vendin fqinj i bën nder jo vetëm atij. Ish kreu i Komitetit të Kulteve dhe analisti i njohur Ilir Kulla shkruan se “propozimi i Kryepeshkopit të Shqipërisë Anastas Janullatosit si President i Republikës së Greqisë do të ishte një moment shumë i mirë për afrimin e dy popujve dhe dy vendeve”. Duke vlerësuar Janullatosin për gjuhët dhe njohurit që ka ai beson se kjo do të ndihmonte në marrëdhëniet mes dy popujve. Ndërkohë përfaqësues politikë të minoritetit e kanë përgënjeshtruar lajmin duke mohuar se ka diçka të tillë. Nga ana e tyre kundërshtarët shqiptarë të Janullatosit apo edhe të tjerë kanë të drejtë të pyesin: Nëse mundet të udhëheqë kishën autoqefale shqiptare, një kandidat i mundshëm për president të Greqisë?!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama