Nje deshmi e gjalle per betejen e Tiranes Aleksander Xhuvani i shkruan Sotir Koleas

Nje deshmi e gjalle per betejen e Tiranes: Aleksandër Xhuvani i shkruan Sotir Koleas

 “Tiranë, 30 / XII / 1944

I dashun z. Kolea,
Letrën t’ande të shkrueme më 13 gusht të këtij viti, si përgjigjje të disa pyetjeve që të kijshem bâ, e mora e të falem nderës. Që atëherë deri para nji jave e kemi çue këtu shumë keq, me brenga e me frikë e trishtime prej luftës që ja ndisshin partizanët tue u-futë natën në rrethet e qytetit e tue mësymë rojat gjermane e të gjindarmëvet të qeverisë. Kërciste mitralozi, bombat e topi me të shtimë tmerrin, herë-herë edhe ditën rrifeshin me top prej gjermanëvet rrethet e kodrat e qytetit e katundet për afër, ku qëndrojshin partizanët. Por që prej 30 të muejit që shkoi deri më 17 të këtij, kur u-lirue Tirana, për 19 ditë rresht kemi hekë të zezën e ullinit. Gjithë këto ditë kemi qenë nën tmerrin e luftës që bâhej brenda në qytet. Njerëzija zbrazshin shtëpijat n’ato vise ku vlonte pushka dhe ikshin me kalamâj e me plaçka ne krahë, ku të mundshin larg zonës së përleshjes e ku mund të gjejshin strehë, tue u-futë nëpër bodrume e tue u-grumbullue nëpër shtëpija, të forta kinse e të godituna me çimento, për të shpëtue nga rreziku i bombardimevet. Edhe unë e lashë shtëpinë ke Pazar i ri afër postës ku rrijshe e vojta ke im nip Lipja, larg e përtej rrugës Bamit. Prej gjymsës së kësaj rruge e teposhtë dhe anëvet, pazari, bulevard Zogu e Mussolini, ishin gjermanët, përpjetë kësaj rruge e anëvet, mali Dajtit e tërma, ishin në dorë të partizanëvet, që futeshin gjithënji më mbrenda tue luftue. Gjermanët prej visevet të tyne , prej kodravet të Fuat Beut, kishës Shën Prokopit s’pushojshin tue bombardue me mortaja këtë pjesën tjetër të qytetit e rrethet, ku kishin zanë vend partizanët. Prej këtij bombardimi u-prishën e u-dogjën sa e sa shtëpija e u-vranë shumë njerëz. Mortajat bijshin ku të mundshin e njerëzija rrijshin strukë nëpër bodrumet e shtëpijat me tmerr të madh. Unë nuk u-fsheha n’asnji bodrum gjatë kësaj kohe, po rrijshem në shtëpi të t’im nipi, që s’ishte aspak e fortë, dhe i tërhiqshe gjumë natën, kur krisshin bombardimet e kur njerëzija gdhinte pa gjumë. Ditën, kur nuk ndihej bombardim, dilte gjindja nëpër rrugat, por me të krisë topi ikshin e futeshin nëpër shtëpijat. Për ushqim kemi hekë keq.

 

Po në gjithë këtë kohë partizanët kanë luftue me trimni të madhe. Nuk ka luftue ndonji herë shqiptari, thomi, me kaqë heroizëm pa iu-trembë syni asfare. I shifshim nëpër rrugat partizanët, mâ të shumtit djelm të rij e goca (për të parën herë pashë goca si ushtare) t’armatosun me mitraloza e me bomba, që shkojshin e zijshin vend për të luftue me buzë në gaz e pa të keq fare. Sidomos natën kërciste topi e mitralozi, se natën u-vërsuleshin partizanët gjermanëvet, që kishin zanë vend nëpër bulevardet, Tiranën e re e rrugavet. Kundrejt Bashkisë, aty ke shadërvani, gjermanët kishin ndërtue qysh me kohë nji fortesëz me mitraloza të randë që bombardonte bulevardin Zog e anëvet e s’lijshin partizanët me u-futë kollaj. Gjithashtu edhe ke Xhamija vjetër kishin ngrefë nji fortesëz që lante gjithë rrugën e 28 Nandorit. Veç këtyneve gjermanët kishin edhe nja katër tankse, që hidheshin nëpër rrugat tue shtimë. Këta t’anët kishin vetëm pushkë, mitraloza e bomba dore. Mbas disa ditësh sollën nja dy tre topa antitanksesh. Por punën e banë jo armët e tyne, por trimnija e tyne e pashoqe. Me fuqit’ e tyne (ishin nja 1500 e ca gjithsejt) e kishin rrethue gjithë Tiranën dhe tue luftue shkojshin gjithënji tue e ngushtue rrethin. U vërviteshin gjermanëve mu në pusijat dhe me bombat i shkulnin nga vendet. Ata që u-ndodhën atyne anëvet ku luftojshin partizanët (sikur u-ndodh në shtëpi të vet nga rruga e Elbasanit i ati i Leonidhë Dushës, pasticierit, e më tregonte pastaj) kallzojshin mrekulli për trimnin’ e partizanëvet që nuk u-bante bef syni, por u hidheshin gjermanëvet mu në pusí mbrenda, dihet edhe vriteshin e plagoseshin. Me ketë trimni ua muerën gjermanëvet topat nëpër kodrat e Fuat Beut dhe i shkulën nga viset e folet’ e tyne ku kishin zanë vend e luftojshin, si nga legatat amerikane, rumune e greke e nga Tirana e re. U vërviteshin tanksevet tue u hudhë bomba e shishe me benzinë e pastaj edhe me top antitanks. E kështu pak nga pak i nxuerën gjermanët nga pritat e tyne e i shtrënguen shumë sish të dorëzohen. Të mërkurën më 15 të këtij gjermanët të rrethuem e pa shpresë shpëtimi (se nji fuqi e madhe që u-nis nga Elbasani për t’u ardhë në ndihmë u-shpartallue rrugës prej partizanëvet e prej mitralimit t’aeroplanëvet e s’mundi me hy në Tiranë) i vunë zjarrin bulevardit Mussolini për të marrë shpagim e për të çelë rrugë që t’ikshin. Në këtë mes gjermanët kanë bâ mizori e barbarizma që nuk dëftohen me gojë. Dogjën nja 56 shtëpi gjatë atij bulevardi, me gjithë laçkë e plaçkë, e në disa shtëpi dogjën edhe njerëzit mbrenda. Hynin nëpër shtëpijat e bodrumet e vritshin gra, kalamaj e burra, ç’të shifshin. Hynë deri brenda në kishë katolike të Jesuitëvet, që âsh goditë e re para tri vjetësh, dhe vranë aty mbrenda 13 vetë, plagosën edhe priftin. Vranë Xhafer Krastën, të vëllan’ e Myrtaza Krastës, i dogjën shtëpinë me laçkë e plaçkë dhe e qitën fëminë në mes rrugëvet si pika. Doktor Hobdari, që e ka shtëpinë atej, u pagoi ushtarëve gjermanë që i hynë mbrenda 340 napolona ari, për të shpëtue tre djelmt e tij që dojshin me i therë përpara tij. E shumë të tjera mizori e gjaksi banë gjermanët. Më thoshte njani që i kishte numrue se gjermanët kishin vramë 303 vetë, që i kishte diktue ai, veç të tjerëvet që s’i dinte ai.

 

Por, veç këtij bulevardi, gjermanët plaçkitën e dogjën, gjatë atyne 19 ditëve e netëve të luftës, shumë dyqane në Pazar me gjithë mallin mbrenda. Gjithë pazari i vjetër u-dogj e u-plaçkit, gjithë tregtarët, me dyqane e me mall, të rrugës 28 Nandori, Gjinali, Begeja, etj. Bâhet hesap se dami i gjithë âsht nji miliard. Tirana u-damtue shumë. Xhamija e Sulejman Pashës u-dogj, aty ku ishte fortini i gjermanëvet. Xhamija tjetër ke sahati shpëtoi, vetëm minarja nalt u-damtue. Pazari i Tiranës duket i shkretë!

 

Të premten, më 17 të këtij, mbas nji sulmi të përgjithshëm që banë natën e s’ejtes, partizanët tue marrë fortesëzën e Bashkisë, gjermanët u-thyen fare dhe Tirana u-lirue. Kur duelëm në mëngjes, të premten, nëpër rrugët, pamë Tiranën sikur i kish ramë zjarri, gërmadha, të vinte vaja!

 

Gjatë ditëvet të luftimit, në zonën ku luftojshin partizanët, dilte në dy ditë nji herë nji buletin që kallëzonte luftën nëpër rrugat e shtëpijat. Mbas buletinit të fundit u-vranë gjithsejt 127 partizanë dhe u-plagosën 250, nga të cilët vdiqën disa. Por heroizmi e trimnija e djelmëvet të Shqipnisë ato ditë nuk dëftohet më gojë.

[...]

Ndër ballistë e zogistë që u-zunë e u-burgosën âsht edhe Mysineja [Kokalari]. Por kemi bâ hapat, dhe mbas amnestisë që shpalli qeverija, do ta lëshojnë së shpejti. Për Lefin [Nosi] nuk dihet se ku ka shkue. Iku bashkë me të tjerë të dielën, më 29 të muejit që shkoi, disa thonë për Shkodër, disa për Itali.

Të fala më mall
A. Xhuvani”.

 Nje deshmi e gjalle per betejen e Tiranes: Aleksandër Xhuvani i shkruan Sotir Koleas


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama