KKT 250 milione euro investime apo grabitje tjeter e bregdetit?

KKT: 250 milionë euro investime apo grabitje tjetër e bregdetit?

Mbas zhvillimit në fshehtësi të plotë të mbledhjes së djeshme të Këshillit të Lartë të Territorit, rreth orës 1:00 të mëngjesit të sotëm në faqen e Kryeministrisë u hodh një njoftim i Zëvendës Kryeministrit Niko Peleshi rreth mbledhjes.

Zoti Peleshi deklaroin se mbledhja e KKT-së ka dhënë leje ndërtimi për investime private me vlerë totale 250 milionë euro--kryesisht për hidrocentrale, centrale me energji diellore, objekte në turizëm, etj. Ai përmend gjithashtu edhe një investim publik për rindërtimin e Pallatit të Kulturës

Deklarata nuk jep as informacionin më minimal projektet investuese, madje as titujt e tyre. I vetmi investim për të cilën ka një referencë të mëtejshme është ai i një rezorti turistik në bregdet me vlerë mbi 150 milionë euro--por veç kësaj shifre nuk janë dhenë hollësi të tjera, as vendndodhja, as investitori, asgjë tjetër.

Mbas këtij informacioni minimal, deklarata e Zotit Peleshi kalon në propagandë klishe mbi reformat e qeverisë: treçereku i deklaratës flet për arritjet e mëdha qeveritare në çdo fushë deri tek refoma në drejtësi të cilës i janë kushtuar dy paragrafë. Në këtë frymë, njoftimi për mbledhjen e KKT-së mbyllet në mënyrë qesharake me pohimin "kjo është Shqipëria të cilës ne i besojmë, një Shqipëri ku nuk ka vetëm ligje të mira, për shkak të kontributit të partnerëve tanë ndërkombëtarë, por ka dhe njerëz të mirë në ligje, ka dhe një klimë biznesi që buron nga siguria juridike. Le të ecim së bashku, me klasën politike, por edhe me gjithë shqiptarët, në këtë rrugë, që është rruga e Shqipërisë së re."

Deklarata aspak informuese e Zotit Peleshi shton dyshimet mbi mbledhjen e KKT-së e cila u përfol paraprakisht. Është e veështirë të kuptohet se si në një mbledhje të vetme të miratohen investime me vlerë sa gati 30 përqind e mesatares së investimeve të huaja vjetore në dekadën e fundit dhe të mos jepet asnjë detaj për to.

Akoma më i dyshimtë bëhet ky qëndrim në kushtet kur një ditë më parë Kryeministri Rama organizoi një ceremoni të tërë vetëm për të prezantuar një tollon elektoronik për furnizimin me naftë të makinave të policisë, ceremoni e cila u transmetua drejtpërdrejt nga disa televizione; ndërsa, mbledhja e KKT-së ku janë miratuar investime kaq të mëdha dhe me aq shumë ndikim mbi vendin, sidomos bregdetin, mbahet e fshehtë nga publiku dhe mediat.

Nga aq pak infromacion sa ka dhënë Zoti Peleshi, ai mbi një tjetër rezort turistik në bregdet është shqetësues, pasi të ashtuquajturat rezorte turistike janë, në fakt, komplekse rezidenciale që shiten si shtëpi plazhi--asnjë prej tyre nuk është operuar dhe nuk shërben si kompleks turistik.

Shqipëria është sot ndoshta i vetmi vend në botë me vijë bregdetare që nuk ka asnjë objekt të standartit mesatar ndërkombëtar në fushën e turizmit, qoftë hotel apo objekt tjetër. I gjithë bregdeti është urbanizuar përmes këtyre fshatrave rezidencialë në pronësi të qytetarëve, kryesisht shtresës së pasur të vendit.

Me ardhjen në pushtet të qeverisë Rama, modeli i fshtrave po zbatohet në bregdetet e virgjëra të jugut duke filluar nga Palasa dhe në jug, duke shkatërruar kështu edhe potencialin e fundit të vendit për të zhvilluar infrastrukturë turistike perendimore.

Ditët e fundit janë bërë publike të paktën dy rezorte të tilla të cilët kanë marrë status të investimeve strategjike në mënyrë të dyshimtë--statusi u jep atyre privilegje të veçanta, përfshi ndërtimin me para publike nga qeveria të rrugëve lidhëse, kanalizimeve, lidhjeve me ujë dhe energji. Po ditët e fundit janë bërë të ditura, gjithashtu, skema të dyshimta investimesh, të cilat përmes premtimit pa asnjë provë konkrete të miliona apo miliarda euro investime marrin në përdorim aftagjatë toka dhe pasuri të lakmuara publike.

Së fundi, me shumë gjasa lejet e miratuara nga KKT janë bërë në shkelje të ligjit për pjesëmarrjen e publikut në vendim-marrjen mjedisore, pasi është e vështirë të besohet se mund të jenë bërë dëgjesa publike për projekte kaq të mëdha sa pretendohet deri edhe 150 milionë eurosh dhe kjo gjë të mos jetë bërë lajm publik.

Në fakt, qeveria Rama ka braktisur krejtësisht ligjet mjedisore në fuqi-- gati të gjitha investiemt e saj miratuara prej saj, publike dhe private, janë miratuar dhe zbatuar në dhunim të konventave ndërkombëtare dhe dhjetra ligjeve të vendit. Disa projekte hidrocentralesh, disa projekte zonash ekonomike, të gjitha projektet e shesheve apo rrugëve publike, etj. janë miratuar pa studime mjedisore dhe pa kryer dëgjesa publike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama