Joni Peçi u tërhoq, sepse kolegët e tij nuk e lejuan të bënte perfomancën siç e kishte menduar, për të mos e favorizuar.
Enada Atnikolla pasi ndjek edhe sfilatën e Skifterit, vendos të tërhiqet, me argumentin se salla nuk ishte aq luksoze sa duhej, por në atelienë e Rezarta Skifterit punonjëset pëshpërisin se “derisa pa sfilatën e Rezartës, ishte e vendosur të merrte pjesë. Pastaj nuk e kuptuam se pse vendosi të tërhiqej”. Ardi Asllani ka një alibi të fortë për mungesën në këtë javë të parë shqiptare të modës, sëmundjen e rëndë të papritur të të atit. Kështu mbeti “gjysmagjel” java shqiptare e modës në Tiranë e cila megjithatë bëri mjaft zhurmë dhe thashetheme. I fundit syresh është në do të mund të shkojë apo jo në “Fashion TV” edhe kjo javë e modës shqiptare. Organizatorët thonë po, ndërsa kaseta është çuar për t’u montuar në studiot e TVSH-së. Por gjithçka është çështje pagese dhe vetëm përkundrejt pagesës sfilatat e Tiranës do të mund të mbërrijnë në ekranin komercial të modës.
Sipas Diana Cekodhimës, organizatores së javës së modës që preferon të vishet demode, ajo që ka rëndësi kësaj radhe është vendosja e një rituali që do të përsëritet së paku dy herë në ditë, pavarësisht pakënaqësive dhe rivaliteteve mes stilistëve shqiptarë, që gjithsesi arritën të shkonin bashkë deri tek ideja e një jave mode. Edhe pse dukej se secili e kishte menduar sipas qefit të vet stinën dhe linjën e sfilatës, të gjithë u prezantuan me numrin e caktuar të veshjeve, të gjitha të realizuara në kohë rekord prej jo më shumë se 2-3 javësh. Por stilistja Enada Atnikolla tregon se ka punuar shumë për atë sfilatë, jo me javë, por me muaj dhe për këtë arsye ka zgjedhur të tërhiqet dhe t’i ekspozojë veshjet e saj në një ambient më të denjë sesa ai që ofroi këtë herë të parë salla e vaposur e Muzeut Historik Kombëtar.
Kjo nuk ishte një arsye e mjaftueshme për stilistët e tjerë të cilët kishin rënë dakort me ato kushte për hir të rëndësisë që merr një javë mode kur stilistët bëhen të gjithë bashkë. Joni Peçi, stilisti që vetëm pak kohë ka që e ka sjellë biznesin e tij në Tiranë, vendosi të mbetej brenda suazës së javës së modës edhe pse zgjodhi t’i paraqiste veshjet e tij përpara Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës. Sipas organizatores dhe drejtueses së Dhomës Kombëtare të Modës, edhe stilistët që këtë radhë nuk u përfshinë, do të ftohen të bëhen pjesë e javës së modës vitin që vjen. “Jam e sigurtë që ashtu si numri i pjesëmarrësve, edhe niveli i organizmit do të jetë më i lartë sezonin e ardhshëm”, - pohon.
Megjithë problemet në organizim dhe varfërisë në stilistë, javës shqiptare të modës nuk i mungoi interesi, paçka se mund të gjeje njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me modën në të famshmen radhë të parë që zakonisht u dedikohet njerëzve me shijen më të lartë. Më e kujdesshme për këtë ishte treguar Rezarta, veshjet e të cilës ishin edhe më të shiturat e javës (ndoshta edhe për faktin që VIP-at janë edhe blerësit potencialë të veshjeve të tilla). Në atelienë e saj i gjen ende shumicën aty, por siç thotë ajo thjesht për t’u fotografuar, pasi u shitën të gjitha menjëherë pas sfilatës. Dhe të mendosh që ishin veshje të gjitha të realizuara vetëm brenda dy javësh, por që dukeshin aq të çmuara sa të kishin dalë nga ndonjë arkë thesari. Luks i rremë megjithatë në të shumtën e rasteve, pasi materialet nuk ishin vërtet të çmuara por zinxhirë dhe preçina për të formuar veshje-bizhu. Herë-herë është përdorur edhe ndonjë gur svarovski sipas Rezartës, e cila megjithatë u ka mëshuar më tepër varëseve me hallka të mëdha për t’i dhënë femrës më tepër forcë. Mund të gjeje edhe saten e shifon në materialet e veshjeve, por pjesa më e madhe ishin në tyl të përpunuar dhe dekoruar në mënyrë artizanale. Për këtë duket se i është dashur më tepër punë se dy javët e deklaruara dhe vetë stilistja pohon se materiali i punuar me dorë është përgatitur më parë. Tyli ka sjellë një lojë transparence në pasarelën e Skifterit dhe shumë ekstravagancë si për herë, duke e mbyllur me veshjen e Ingrid Gjonit, përdorur edhe në videoklipin e saj të fundit.
As sfilatës së Anila Zajmit, që ka hapur javën e modës, nuk i kanë munguar shitjet, ndërsa linja e saj është më tepër afër klasikes dhe një femre më të matur. Veshjet e saj ka qenë më afër vjeshtës dhe dimrit sesa ato të Rezarta Skifterit, ndërsa preferohen sidomos nga femrat elegante dhe diskrete, të cilat nuk rendin pas çdo gjëje që shkëlqen. Më e angazhuara në organizim gjatë javës së modës, Anila Zajmi duket se mbetet një nga emrat më të preferuara të modës në Tiranë sidomos nga moshat e mesme të cilat nuk munguan në sfilatën e saj në fakt. Krejt tjetër ishte audienca që duhet të kishte sfilita e Hilda Mahas, por në fakt edhe në karriget më afër pasarelës së saj shumica kanë qenë të moshës së dytë dhe madje edhe të tretë dhe pa ndonjë interes të shprehur ndaj modës.
Hilda, e ardhur enkas nga Anglia për të realizuar këtë sfilatë, nuk e ka për gjë të pohojë se nuk mundi të shesë dot asnjë veshje dhe ndihet disi e trishtuar që veshjet e saj nuk u kuptuan dot në Tiranë. Stili i saj, në fakt, është disi larg atij pas të cilit rendin femrat shqiptare. Më tepër afër një shijeje artistike dhe shumë krijuese, stili i Hildës lidhet edhe me pasionet e saj për pikturën dhe arkitekturën dhe sidomos për printin. E lindur në Tiranë, por e rritur në Gorrizia të Italisë, por e diplomuar në një kolegj të njohur londinez, “fashion ëith print” është puna e saj e diplomës, për të cilën ka ardhur ta gjejë frymëzimin në Shqipëri. E ka marrë me vete frymëzimin, pasi veshjet që realizoi për sfilatën shqiptare nuk e paraqisnin atë. “Në fakt erdha pikërisht për këtë, që të frymëzohem për temën time të diplomës, të cilën do ta punoj në Londër”, - shprehet ajo. Hilda tregon se ka bërë stazhin në një studio mode që punon me prototipe të porositur nga stilistët më të njohur si D&G, Armani, Blue Marine, Calvin Klain, Guess, etj.
17 vjet pa ardhur në Tiranë, Hilda e ka gjetur veten në një botë tjetër këtu ku është habitur disi me mënyrën si vishen vajzat. Sheh edhe gjëra të mira në këtë përpjekje për t’u veshur bukur, por shprehet se shpesh vëren që vajzat e Tiranës i dominon veshja dhe duken si kukulla që dala nga vitrinat masive. ‘Ne nuk jemi klone dhe personaliteti është ADN-ja e vërtetë e veshjes”, - shprehet Hilda e cila vjen në intervistë e veshur me një “mbulesë tavoline” siç e quan fustanin e vet i cili në fakt e bën të duket mjaft të veçantë dhe megjithëse gjithë vrima, nuk lë të duket sgjë. Sa i përket stilit të veshjeve të saj të paraqitura në sfilatë, ai ishte më tepër asimetrik dhe për femra që modën e ndjekin, por e përdorin atë sipas qefit, me shumë printe dhe arnime të bojatisura.
Belina Budini : Revista Mapo