Ja sfidat globale te arsimit

Ja sfidat globale te arsimit

Drejtori i Institutit të Kërkimeve Aziatike hedh disa ide për strategjinë globale të përmirësimit të arsimit: “Edukimi i pamjaftueshëm në nivelet dytësore dhe tretësore, përfshirë arsimin teknik dhe profesional dhe trajnimin, është duke i lënë nxënësit të papërgatitur për të përmbushur kërkesat në ndryshim në tregun e punës”


Arsimi është komponenti kryesor i zhvillimit personal, kombëtar dhe global. Që nga fillimi i shekullit, njohja e kësaj të vërtete i ka shtyrë shumë vende për të ndjekur Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit për arritjen e universalizimit të arsimit fillor dhe zhdukjen e pabarazive gjinore në të gjitha nivelet e arsimit deri në vitin 2015. Kjo ka kontribuar në një progres të konsiderueshëm në zgjerimin e mundësive arsimore në mbarë botën.

Por ka shumë më tepër për të bërë në këtë drejtim. Këto janë disa të dhëna që ofron në analizën e tij për project-syndicate.org, profesori i Ekonomisë, Lee Jong-Wha mbi sfidat e arsimimit në shkallë globale. Jong-Wha, drejtor i Institutit të Kërkimeve Aziatike në Universitetin e Koresë, ngre disa pikëpyetje për sfidat e arsimit të lartë për vendet në zhvillim dhe vendet e përparuara. Sipas tij, një nga sfidat kryesore është përgatitja e të rinjve për mundësitë e tregut, dhënia e atyre aftësive që kërkon punëdhënësi i sotëm.

Arritjet dhe sfidat për të ardhmen

Jong-Wha pranon se disa objektiva janë arritur, si “arsimi fillor universal është pothuajse një objektiv i arritur. Për më tepër është bërë progres i konsiderueshëm në drejtim të barazisë gjinore në mundësitë arsimore. Si rezultat, hendeku gjinor në vitet mesatare të shkollimit për popullatën është ngushtuar”.

Sipas të dhënave të cituara prej tij, njerëzit e moshës 25 vjeç dhe lart, raporti femra- meshkuj në vitet mesatare të shkollimit është pothuajse 100% në vendet e përparuara dhe rreth 85% në rajonet në zhvillim. Por në shumë vende të Afrikës, Lindjes së Mesme dhe në Azinë Jugore, vajzat ende kanë shumë më pak akses në arsim sesa djemtë.

Dallime të dukshme globale gjithashtu mbeten në arsimin parauniversitar dhe cilësinë e shkollimit. Në vendet e përparuara, pothuajse 90% e popullsisë së moshës 15-64 vjeç kanë kryer të paktën shkollën e mesme, krahasuar me vetëm 63% në vendet në zhvillim. Po kështu, edhe pse më shumë se 33% e popullsisë në moshë pune në vendet e përparuara ka arritur një nivel të konsiderueshëm të arsimit të lartë, përqindja është vetëm 12% në vendet në zhvillim.

“Hulumtimet akademike sugjerojnë se vendet me të ardhura më të larta për frymë, vendet ku ka më pak pabarazi sociale, si dhe vendet ku ka norma të ulëta të fertilitetit, kanë tendencë për të investuar më shumë në edukimin e fëmijëve. Përfundimi logjik është se përpjekjet për të nxitur rritjen ekonomike dhe synimet për të përmirësuar sistemin arsimor mund të rrisin frekuentimin në mesin e të rinjve në vendet në zhvillim, si dhe për të zvogëluar pabarazinë mes gjinive dhe midis grupeve sociale”, sugjeron Jong-Wha.

Por sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi duhet që vendet gjithashtu të sigurojnë cilësinë e sistemeve të tyre arsimore, një sfidë kyçe kjo për dekadat e ardhshme. “Rezultatet e dobëta arsimore dhe sistemet e arsimit joefikas sjellin një shqetësim të thellë në mbarë botën. Në shumë vende, shkolla fillore nuk arrin të pajisë studentët me aftësitë e duhura njohëse si numërimi, shkrim e këndim, aftësitë për zgjidhje të problemeve dhe njohuritë e përgjithshme shkencore. Për më tepër, edukimi i pamjaftueshëm në nivelet dytësore dhe tretësore, përfshirë arsimin teknik dhe profesional dhe trajnimin, është duke i lënë nxënësit të papërgatitur për të përmbushur kërkesat në ndryshim në tregun e punës. Si rezultat, shumë vende janë duke luftuar me një mospërputhje mes aftësive që punëdhënësit kërkojnë dhe atyre që punëtorët kanë”, thekson profesori korean.

Në këtë kuadër, ai sugjeron politika globale më të qarta në këtë drejtim.

“Liderët globalë duhet të angazhohen për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe për të zvogëluar hendekun e arsimit duke rritur resurset shkollore, përmirësimin e efikasitetit të institucioneve arsimore, si dhe duke gjetur mundësitë për të ofruar risi teknologjike. E gjithë kjo do të shërbejë për të pasuruar kapitalin njerëzor, e cila është thelbësore për rritjen e produktivitetit dhe të ardhurat. Në të vërtetë, në qoftë se përpjekjet e tilla janë të dizajnuara në mënyrë specifike për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë, pa dallim gjinie apo sociale, ata do të jenë një ndihmë për ekonominë globale, duke promovuar kohezionin shoqëror në nivel kombëtar”, përfundon analizën e tij profesori aziatik.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama