Ja 12 pyetje misterioze rreth zhdukjes se avionit malajzian

Ja 12 pyetje misterioze rreth zhdukjes se avionit malajzian

Në orët e para të së shtunës së 8 marsit, një aeroplan i linjës Malajzi-Kinë me 239 pasagjerë në bord u zhduk rreth 41 minuta më vonë pasi ishte ngritur në fluturim. Kontrollorët e trafikut ajror humbën kontaktet me avionin BOEING 777. Që prej asaj dite, shumë shtete janë përfshirë në kërkimet për gjetjen e avionit apo të ndonjë shenje të tij duke u munduar dhe të shpjegojnë zhdukjen e mistershme. Në fillim, u përfol se aeroplani ishte përplasur në det. Më pas, doli pista e hetimit të aktit terrorist, për shkak se dy pasagjerë në aeroplanin malajzian rezultonin të ishin me pasaporta false. Një javë pas zhdukjes së aeroplanit, Kryeministri i Malajzisë tha se drejtimi i BOEING 777 mund të ishte ndryshuar qëllimisht. Prestigjozja britanike, 'Daily Mirror' ka publikuar një artikull me 12 pyetje në lidhje me fatin e aeroplanit të zhdukur, pyetje të cilat mbeten pa përgjigje.
 
1-A u çaktivizuan qëllimisht sistemet e komunikimit të aeroplanit?


Kontrollorët e trafikut ajror nuk kishin marrë asnjë sinjal rreziku nga aeroplani. As piloti dhe ndihmësi i tij nuk kishin bërë ndonjë përpjekje për të treguar se mund të kishin ndonjë problem. Një ekspert i sigurisë së aviacionit tha se është diçka e "jashtëzakonshme" që nuk ka asnjë telefonatë të regjistruar në rast se avioni do të ishte në rrezik. "Diçka mund të ketë ndodhur dhe pilotët nuk i kanë treguar askujt. Pse? Kjo është një pyetje e mirë. Në rast se avioni do të ishte në rrezik, është diçka e jashtëzakonshme që pilotët nuk kanë arritur të sinjalizojnë sepse ata kanë patur kohë të mjaftueshme", tha eksperti i aviacionit. Ai e mbështet teorinë e tij në këtë fakt të thjeshtë. Aeroplani fluturonte në një lartësi prej 11 mijë metra kur humbi lidhjet, dhe në rast se do të kishte ndonjë problem teknik, pilotët do të kishin kohë të mjaftueshme për ta raportuar.
 
2-A mund të ketë lidhje zhdukja e avionit me ndonjë vepër të terroristëve?


Ka një shqetësim gjithmonë e në rritje të autoritetet malajziane dhe kineze se zhdukja e aeroplanit mund të jetë vepër terroriste. Në bord kanë qenë 14 kombësi të ndryshme, shumica dërrmuese me shtetësi kineze. Një numër i pakicave etnike kanë kryer sulme terroriste ndaj Kinës. Grupi i Ujgurëve Myslimanë vetëm një javë më parë u akuzua për një sulm në një stacion treni në Kinë. Megjithatë, deri tani asnjë grup nuk ka marrë përsipër sulmin ndaj aeroplanit.
 
3-A ishin pilotët mashtrues?


Policia malajzeze kontrolli shtëpinë e dy pilotëve të fluturimit duke marrë prova nga të dyja banesat. Policia gjithashtu konfirmoi se në shtëpinë e kapitenit kishin gjetur një kontrollues fluturimi.
 
4-Mund të ketë qenë një akt i një proteste politike?


Kapiteni i aeroplanit malajzian është një mbështetës i zjarrtë i liderit të opozitës në Malajzi. Lideri i opozitës ishte në paraburgim për një vepër homoseksualiteti vetëm disa orë para zhdukjes së avionit. Një detaj tjetër, është se gruaja dhe 3 fëmijët e kapitenit të aeroplanit u larguan nga shtëpia e tyre një ditë para se aeroplani të zhdukej.
 
5-Pse aeroplani ndryshoi drejtim dhe ku shkoi?


Kërkimi për avionin e humbur tashmë është përqëndruar në Oqeanin Indian dhe hetuesit thanë se mund të ketë fluturuar qindra kilometra jashtë drejtimit të përcaktuar. Të dhënat satelitore tregojnë se BOEING 777 ka qenë në ajër për të paktën 5 orë pasi humbi kontaktin me kullën e kontrollit. Pasi ndërpreu lidhjet, ndryshoi kurs duke fluturuar mbi gadishullin malajzian dhe mbi ngushticën Malacca. Nga atje, besohet të jetë drejtuar nga Oqeani Paqësor.
 
6-Pse aeroplani u ngrit në një lartësi prej 13 mijë metra?


Autoritetet malajziane zbuluan se ishte miratuar kërkesa që aeroplani të ngrihej nga 11 mijë metra në lartësi prej 13 mijë metra. Sinjalet e radareve tregojnë se avioni pastaj zbriste në 7 mijë metra para se të ngrihej përsëri në një lartësi më të madhe dhe të fluturonte drejt Oqeanit Indian. Zyrtarët thonë se vetëm dikush me përvojë mund ta bënte këtë gjë, por pse do të duhej ta bënte? Mbase mund të kenë dashur të mos diktoheshin nga radarët? Ose në kabinën e pilotit mund të kishte ndonjë përleshje mes personave në rast se do të ishte akt terrorist.

7-A u dërgua sinjali i fundit satelitor nga avioni i zhdukur në Tokë, dhe nëse po, nga cili vend?


Në një konferencë për shtyp, zyrtarët thanë se ishte e mundur që sinjali satelitor i marrë nga avioni u dërgua kur ishte akoma në Tokë. Ekipet e shpëtimit analizuan një hartë se ku mund të ishte ulur aeroplani. Në bazë të madhësisë së avionit, ka 634 vende ku BOEING 777 mund të ketë zbritur.
 
8-Si u futën në aeroplan pasagjerët me pasaporta të vjedhura?


Interpoli konfirmoi se të paktën dy persona rezultonin të ishin me pasaporta të vjedhura, përkatësisht një austriak dhe një me pasaportë italiane. Mendohet se të dy i kanë vjedhur pasaportat në Tajlandë vitin e kaluar. Sekretari i Përgjithshëm i Interpolit tha se është ende herët të flasësh për një lidhje mes pasaportave të vjedhura dhe avionit të zhdukur. Gjithashtu ai tha se po kontrollohen të gjitha pasaportat e personave të tjerë në bord, që mund të jenë raportuar të vjedhura.
 
9-Pse telefonat e pasagjerëve që ndodheshin në bord po binin ende disa ditë pasi aeroplani ishte zhdukur?


Një i afërm i një pasagjeri kinez që ndodhej në aeroplan kishte telefonuar në celularin e tij. Zilja po binte, por askush nuk përgjigjej.
 
10-Pse u desh shumë kohë që kompania e fluturimit të zbulonte se avioni ishte zhdukur?


Kulla e kontrollit të aeroplanit malajzian humbi kontaktet me të rreth orës 02:40. Por, për orë të tëra, të afërmit e pasagjerëve që prisnin në Pekin të mbërrinte aeroplani, mendonin se fluturimi thjesht ishte vonuar. Familjarët thanë se kishin mësuar për zhdukjen e aeroplanit vetëm nga lajmet. Përfundimisht, kompania nëpërmjet një deklarate në orën 09:05 pranoi se kishte humbur kontaktet me aeroplanin BOEING 777.
 
11-Pse një pilot tjetër kishte dëgjuar interferencë kur u mundua të kontaktonte me aeroplanin e zhdukur?


Një pilot i një aeroplani tjetër që po fluturonte pranë avionit të zhdukur tha se kishte dëgjuar zhurma dhe interferencë kur u përpoq të kontaktonte me avionin. "Ka patur shumë zhurma, interferencë...Kjo ishte hera e fundit që dëgjova prej tyre", tha piloti i cili kërkoi të mbetet anonim.
 
12-A kanë ndonjë rëndësi gjurmët e naftës që u gjetën në oqean?


Ekipet e kërkimit zbuluan gjurmë nafte në zonën ku aeroplani u zhduk. Anije të tjera u dërguan në atë zonë për të gjetur shenja të mëtejshme të avionit, por nuk konfirmohet nëse ato i përkasin avionit të zhdukur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama