Nuk kanë kurrfarë problemi me personalitetin. Nuk është aspak e lehtë që njerëzit të shohin dikë tjetër te ti, duke e përqendruar tërësisht interesin te njeriu të cilit i ngjan. Por nuk është rasti i këtyre individëve, përkundrazi, janë vetë ata që zbaviten me këtë ngjashmëri, madje shumë kanë mësuar edhe të përfitojnë. "Përse të mos e shfrytëzojmë këtë ngjashmëri me Riçard Gir apo Sofia Loren, e të mos përfitojmë, madje edhe financiarisht", thonë ata?
Nën hijen e shoqërive të spektaklit lulëzon shoqëria e sozive, njerëz të zakonshëm, por me tipare të ngjashme me ato të ndonjë personazhi të famshëm. Ftohen nëpër festa, martesa, spektakle televizive. Zakonisht nuk bëjnë asgjë veç ekspozimit të ngjashmërisë me personazhet e famshëm, por me kalimin e kohës ia marrin më mirë dorën profesionit. Rregullojnë me shumë kujdes pamjen e mënyrën e të sjellurit e të vepruarit. Bëhen thuajse identikë me "binjakët" e famshëm. Dhe në këtë pikë nisin të dalin në skenë edhe përfitimet financiare. Nuk është aspak e çuditshme që përreth ekzibimit të tyre ka lindur një treg i përbërë nga agjenci të specializuara, aktiviteti i të cilave shtrihet në nivel ndërkombëtar. Torinezi 41-vjeçar, Aleks Karrera, është një ndër njohësit më të mirë të kësaj industrie. Është ai që ka krijuar në internet atë që konsiderohet si arkivi më i madh me profile sohish. Më rast se kërkoni një sozi të caktuar për festën e ditëlindjes, mund ta gjeni fare lehtë duke shfletuar faqet e këtij siti. Më pas mjafton kontaktimi me agjencinë, "VIP"-i merr avionin dhe pas pak orësh ju troket në derën e shtëpisë. Kundrejt çfarë pagese? "Është e vështirë të flasësh për shifra të sakta", shpjegon Karrera: "Varet nga shkalla e ngjashmërisë, nga rëndësia e personazhit të cilit i ngjan, nga lloji i ekzibimit. Por mund të themi në vija të trasha se pagesat luhaten nga 500 në 3 mijë euro për një festë. Shpenzimet nuk janë të përfshira në këtë shifër: duhet shtuar përqindja që merr kompania, shpenzimet e udhëtimit, hoteli, përkthyesi në rastet kur sozia është i huaj".
Nga Sinatra, te Françesko Toti
Edhe shoqëria e "pikave të ujit" ka yjet e saj. Amerikania Elain Holgado, për shembull, është riprodhimi i përkryer i aktores Sofia Loren. "Ka mbërritur në Itali disa ditë më parë", rrëfen Karrera, në kompaninë e të cilit numërohen rreth 4 mijë sozi. "E kontaktuam për disa tabela publicistike, por kur zbriti në aeroportin e Bolonjës shpërtheu kaosi. Dukej sikur kishte mbërritur aktorja e vërtetë". Francezja Naja është kloni i këngëtares Selin Dion, madje edhe për sa u përket dhuntive vokale, gjë që i ka dhënë mundësinë të këndojë për tri vite me radhë nëpër kazinotë e Las Vegasit. Sindy Harrelson, binjakja e të famshmes Barbara Streisand, prej pak kohësh ka nënshkruar kontratën për një turne në Japoni, ku do marrë pjesë në një mbrëmje me 3 mijë të pranishëm. Më pas është Rik Sonata, rimishërimi i Frenk Sinatrës, që ka arritur të këndojë edhe përpara një orkestre prej 80 elementesh. "Në Amerikë nuk kanë dyshime", guxon menaxheri torinez: "Në rast se u duhet të zgjedhin mes tij e Sinatrës Xhunior (birit të artistit të madh), zgjedhin Sonatën".
Në klasifikimin e "impersonators"-ve (kështu i quajnë amerikanët) më të kërkuar, triumfojnë yjet e Hollivudit. Shumë i suksesshëm është sozia e Bred Pit, për shembull. Vendet ku kërkohen më shumë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Japonia. Në Evropë kërkohen më shumë në Greqi, në Angli, në vendet ballkanike ku adhurohen thuajse sa yjet e vërtetë. Furnitori më i madh i tyre mbetet padyshim Italia: Alesandro Avorio (sozia e Riçard Gir), Elena Pinto (Monika Beluçi), Mireno Skali (pika e ujit e Roberto Beninjit), Marko Riçi (i cili ka ngjashmëri mbresëlënëse me këngëtarin Majkëll Xhekson) e Karlo Mariani, binjaku i futbollistit Françesko Totti, i cili javën e ardhshme do luajë edhe në një film.
Një ndër sukseset më të rëndësishme në botën e sozive i përket dhjetë viteve më parë, kur u transmetua edhe spoti i parë publicitar me protagonist sozinë e dikujt. Bëhej fjalë për sozinë e komikut të famshëm britanik, Mister Bean, në një reklamë të kompanisë italiane "Telecom". "Pas atij spoti fshiheshin përpjekje ligjore që avokatëve u kushtuan dy muaj punë", kujton Karrera. "Mbi të gjitha duhej zgjidhur çështje e të drejtës së imazhit. Por përpjekjet na u shpërblyen tërësisht. Ai spot rezultoi një sukses i vërtetë". Me pak fjalë, edhe sozitë përjetojnë çastet e tyre të madhështisë. "Në stadiumin olimpik të Romës dërguam një sozi në vend të një aktori të famshëm, i cili u mor nga të gjithë në ‘Rai‘ si të ishte aktori i vërtetë". Sukses dhe popullaritet për pikat e ujit. Prova përfundimtare? Në Toskana të Italisë po shfaqet në skenë sozia e sozisë së magjistarit të modës, Valentino.
Marre nga : Gazeta Shqip











