Imunitetet - Nga Carcani tek Doshi

Imunitetet - Nga Carcani tek Doshi

Ka një listë të gjatë deputetësh që kanë humbur imunitetin e tyre dhe më pas i janë nënshtruar hetimit. Ajo fillon me ish-kryeministrin e fundit komunist Adil Çarçani, por është pasur dhe nga tre ish-kryeministra të tjera, Nano, Meta dhe Berisha. Nga këta vetëm Nano është shpallur fillimisht fajtor dhe është dënuar me burgim, për të rifituar më pas pafajësinë mbas daljes nga burgu. Meta është i vetmi që fitoi pafajësinë në gjykatë, kurse Berisha nuk shkoi në asnjë ditë në zyrat e prokurorisë.

Janë dënuar me burg ish-deputetët Arben Lika, Gafur Mazreku dhe që nga e enjtja mbasdite, dy deputetë të tjerë janë ndaluar nga policia pas kërkesës për arrest të prokurorisë së përgjithshme. Tom Doshi dhe Mark Froku janë dy deputetët e fundit të listës së gjatë që kanë probleme me ligjin. Revista Java ka gjetur fjalët e një pjese të deputetëve në seancën e heqjes së iminutetit të tyre. nga largësia e kohës, ata duken shumë më interesante për shkak të rrethanave ku janë mbajtur dhe shërbejnë dhe sot si një pjesë shpesh e çuditshme e historisë sonë të re politike.
 
Ilir Meta, 22 tetor 1992
 

Deputeti Meta akuzohej për nxitje të trazirave në Poliçan dhe nxitje të protestave të paligjshme. Mbas heqjes së imunitetit, çështja u pezullua për mungesë provash. 
 

Hedh poshtë “…çdo përpjekje të sforcuar që bëhet për të më identifikuar në organizimin e këtyre ngjarjeve apo me pasojat që sollën ato është i dështuar, çka e vërteton edhe ndryshimi i akuzës që m'u bë në këtë Parlament nga ministrat e Partisë Demokratike për organizim dhe terror, me një akuzë fatkeqe qesharake që ushqehet nga logjika partiake dhe pasionet politike, nga interpretimet sofiste dhe jo nga interpretime juridike. Unë… jam i shqetësuar për këtë provokacion të ri që i drejtohet Parlamentit Shqiptar, gjoja në emër të drejtësisë, e cila tani është kthyer në një çorape të grisur që kërkon të mbulojë këmbën e zezë të revanshizmit që po shkel çdo normë demokratike dhe njerëzore; ndaj edhe njëherë më duhet të përsëris aktivitetin tim si deputet në ngjarjet e 26 gushtit në Poliçan, në mënyrë që të ndihmojë ata deputetë që kanë nevojë të gjykojnë dhe jo të paragjykojnë për veprimtarinë time dhe aktakuzën që paraqitet. …Çdo diktaturë ka si domosdoshmëri për të përligjur veten, demagogjinë. Dhe nuk është e rastit që avokatët e diktaturës së Enver Hoxhës po bëhen dhe avokatët e revanshizmit. Kjo tregon se në këtë Parlament nuk ka vetëm antikomunistë, nuk ka vetëm ish-komunistë, por ka dhe komunistë të pandreqshëm, pavarësisht nga kapelat që ndërrojnë çdo ditë. ..Imunitetin tim unë nuk e kuptoj si privilegj, pasi deputeti mund të jetë i pari që të përgjigjet para ligjit, por unë jam deputet i një partie opozitare dhe si i tillë imuniteti nuk mund të shërbejë për shfajësime, por vetëm për të mbrojtur nga montimet e kundërshtarëve politikë, që sot kanë pushtetin”.
 
Lulëzim Basha, 27 dhjetor 2007

Akuza, shpërdorim detyre dhe korrupsion,
 

Kishte dy vjet që ishte bërë një nga ministrat më të rëndësishëm të kabinetit; Lulëzim Basha do të shihte një nga humnerat më problematike të karrierës së tij. Prokuroria e Përgjithshme i kërkon imunitetin për ta përballuar me akuzën e rëndë që parashihte një shpërdorim deri në 220 milionë euro. Por mbas një viti nuk ndodh asgjë. Me procedurë Basha shmang hetimin gjyqësor dhe karriera e tij njeh që nga ai moment vetëm ngjitje.

Çfarë tha ai në 27 dhjetor 2007 në seancën që do t’i hiqte imunitetin:

 “…ky është pa dyshim projekti më madhor i ndërmarrë ndonjëherë nga një Qeveri shqiptare, rruga e parë që hapin shqiptarët dhe jo pushtuesit e tyre, rruga që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe bashkon dy vëllezër të ndarë nga një histori e dhimbshme dhe nga një reliev i ashpër. Mund të thosha, sepse këtu në Shqipëri shpesh është e domosdoshme të deklarohet e dukshmja, që kjo rrugë përfundimisht ndryshon gjeostrategjinë jo vetëm të Shqipërisë, jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë rajonit, se në të janë mpleksur interesa të mëdha, dhjetëra në mos qindramiliarda euro dhe dollarë të shtrira në kohë, që ndryshojnë raportet, shanset për mirëqenie, peshën specifike, ekonomike, politike dhe gjeostrategjike të kombeve të rajonit tonë… Duke votuar për heqjen e imunitetit…ne i japim shansin Prokurorisë së Republikës të Shqipërisë të vërtetojë ose të hedhë poshtë baltën, shpifjet, luftën e atyre që do t’u harrohen emrat kur rruga të ketë mbaruar. Do të vendosë një standard për të gjithë ata që shpifjen, gënjeshtrën dhe përbaltjen i kanë sot veglat e mbrojtjes së të keqes, një standard për të mirën, për të ndershmen dhe për të vërtetën.
 
Fatmir Mehdiu, 16 qershor 2008
 

Ish-ministri i mbrojtjes u vu nën akuzë për tragjedinë e Gërdecit. 26 vetë, përfshi fëmijë e gra u hodhën në erë në një ndërmarrje kriminale që ishte krijuar me miratimin e qeverisë shqiptare të kohës. Vite më pas u dënuan shumë personazhe të dorës së parë dhe të dytë të kësaj tragjedie, por vetë Mehdiu, ndonëse me imunitet të hequr, nuk ju nënshtruar asnjëherë hetimit gjyqësor, për shkak të procedurave të komplikuara ligjore dhe presionit direkt dhe indirekt të politikës mbi akuzën publike.
Çfarë tha Mehdiu në 16 qershor 2008?

 “…imunitetin e kam dorëzuar prej kohësh, ashtu siç ju kam kërkuar në mënyrë të përsëritur që ta votoni heqjen e tij. Imunitetin e kam dorëzuar më 15 mars, më tej me dorëheqjen time si ministër i Mbrojtjes, si dhe ligjërisht me letrën që i kam dorëzuar Prokurores së Përgjithshme, në datën 4 prill.
 
 
Kam vepruar në këtë mënyrë me bindje, sepse unë jam interesuar më shumë se kushdo tjetër që të gjithë qytetarët shqiptarë, viktimat dhe familjet e tyre që duan drejtësi, të mësojnë të vërtetën për ngjarjen e rëndë të Gërdecit. Si  bashkëqytetar i  viktimave  dhe  i  atyre  që  pësuan dëme të tjera fizike apo materiale, si prind e familjar dhe si i zgjedhur nga populli,  nuk besoj se do të më qetësohet ndonjëherë në shpirt dhimbja për atë që ndodhi në Gërdec. …Mund të kisha kërkuar të fshihesha mbas imunitetit, si shumëkush më parë ka vepruar, por kjo do të ishte e padrejtë, sepse kjo nuk përputhet me moralin tim, megjithëse sot moralin kërkon të ma tregojë shumëkush që nuk e ka pasur ndonjëherë atë. Vota juaj… është një akt formal për mua, sepse ky imunitet nuk më intereson. Por gjithmonë raste të tilla duhet të shërbejnë si momente reflektimi, sepse kjo lojë e paprinciptë politike, për qëllime meskine, tenton të shkatërrojë në themel këtë institucion, Parlamentin dhe në këtë mënyrë t’i hapë rrugë ndikimit në politikë të klaneve dhe të gjithë atyre që mbas çdo deklarate që bëjnë nuk kanë asnjë qëllim tjetër, veçse të mashtrojnë, të fyejnë e të përbaltin, duke harruar se historia përsëritet, si për mirë, edhe për keq”.
 
 Ilir Meta, 16 shkurt 2011
 

Dha dorëheqjen mbas historisë së videopërgjimit dhe pak ditë më pas kërkon të lerë dhe imunitetin për t’ju nënshtruar hetimit nga prokuroria dhe më pas, edhe hetimit gjyqësor në gjykatën e lartë. Eshtë e vetmja çështje e këtij profili politik që ka pasur një proces të vërtetë që ka përfunduar me një vendim unanim të pesë gjyqtarëve në favor të të akuzuarit.

Çfarë tha Meta në 16 shkurt 2011
 

“Ka më shumë se një muaj që e kërkoj prokurorinë dhe bashkëpunimin me të për të hetuar mbi akuzat e ngritura ndaj meje bazuar mbi një video-përgjim të montuar… në mënyrë vullnetare kam shkuar vetë në prokurori dhe kam kërkuar të deponoj për të gjitha rrethanat e asaj videoje dhe për ta sqaruar atë çështje. Pavarësisht nga vullneti im, si pengesë zyrtare për t’u thelluar në hetime prokuroria shikonte pikërisht domosdoshmërinë e autorizimit nga Parlamenti për heqjen e imunitetit. Këtë ia kam kërkuar me kohë. Cili është dëshmitari mbi të cilin nisi kjo çështje? Është ai, i cili, katër orë pasi ka marrë njoftimin nga Kuvendi i Shqipërisë për kërkesën që ka bërë prokuroria, për një provë që ka çuar vetë për veten e tij pa dashje, bën deklaratë për shtyp ku thotë se është surprizë kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme etj., etj. Prokuroria dyshon se është bërë korrupsion, pasi ka parë një video të re të regjistruar nga vetë unë si video e Ilir Metës, thotë ky. Në fakt askush nuk i beson të gjitha këto që kanë ndodhur. Me përjashtim të një prove që një njeri çon për veten e tij, këtë e ka të vështirë  ta kontestojë dikush tjetër. Është e vërtetë që unë jam filmuar me bllok në dorë dhe kushdo kur takohet me mua mund të më filmojë mua me bllok në dorë dhe bllokun e kam mbajtur edhe kur kam qenë kryeministri juaj dhe mbaja shënim hallet dhe problemet që kishit ju”.
 
Nikollaq Neranxi, 23 prill 2008

Ju hoq imuniteti nën akuzën e evazionit fiskal. Dosja e tij u dërgua në gjykatë, por fitoi pafajësinë.
Çfarë tha Neranxi në 23 prill 2008

 “Sot na është imponuar një akt-votimi që ka për qëllim heqjen e imunitetit tim parlamentar. Unë jam i sigurt se kjo ndodh jashtë vullnetit të mbi 90 për qind prej jush që gjendeni prej afro 4 vjetësh në këtë sallë parlamenti. Jam gjithashtu i sigurt se shumica juaj, ashtu si dhe unë, e merr lehtësisht me mend se kërkesa e ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme në Parlament është ideuar dhe vënë në lëvizje vetëm për shkaqe dhe qëllime të pastra politike. Që në fillim dua të jem lehtësues i procedurës, të cilën Kryetarja e Parlamentit e ka pasur me pasion për ta kryer një orë e më parë, për qëllime dhe interesa që lidhen me ortakë të saj politikë. Unë nuk kam nevojë për imunitet. Këtë e kam provuar e vazhdoj ta provoj jashtë dyerve të kësaj godine të nderuar. Për kaq kohë sa kam qenë deputet, imuniteti ka qenë dhe mbetet gjëja më pak e rëndësishme. Imuniteti im i vetëm mbetet investimi, përpjekja, lidhja me qytetarët e zonës sime dhe matanë zonës sime, respekti që kam pasur ndaj çdo qytetari në hall dhe ndjenja që kam trashëguar për të qenë besnik i karakterit. Pse kërkohet sot penalizimi im? Sepse unë kam dëshmuar qëndresë morale në veprimet, sjelljet dhe artikulimet e mia politike.

Jam i pari që demaskova politikanin me sjellje dhe përmbajtje skandaloze të quajtur Lufter Xhuveli. Jam denoncues i “xhuvelizmit”, i Xhuvelit si protagonist i parë i shitblerjes në politikë. Pavarësisht nga detyrimi që kam ndaj votës së zgjedhësve shqiptarë, duke mos marrë parasysh pasojat, unë i ktheva shpinën kësaj kategorie të ndyrë politike. Jam ndoshta një rast i veçantë në skenën politike ballkanike, duke kaluar nga shumica qeverisëse në deputet i opozitës”.
 
Gafur Mazreku, 18 shtator 1997

Ju hoq imuniteti për tentativën e vrasjes ndaj deputetit Azem Hajdari. Ai ndodhej në dhomat e paraburgimit kur u mbajt seanca për heqjen e imunitetit të tij sepse ishte arrestuar në kushtet e flagrancës. Ish-kryetari i Kuvendit Skënder Gjinushi

“...menjëherë pas kësaj u kërkua të bëhet arrestimi flagrant i deputetit Mazreku, ligja e lejon ndalesën, ai tashmë është i izoluar, kurse zoti Hajdari ndodhet në spital, është në kurim e sipër, nën kontrollin e mjekëve.

Prokuroria e Përgjithshme pas kryerjes së ndalesës kërkon pëlqimin e Parlamentit për procedimin e mëtejshëm. Konkretisht, Prokurori i Përgjithshëm drejton këtë kërkesë ndaj Parlamentit, kërkohet heqja e imunitetit dhe pëlqimi për ndjekje penale dhe arrestimin e deputetit të Kuvendit Popullor, Gafurr Mazreku. Duke qenë edhe vetë dëshmitarë në këtë ngjarje të shëmtuar, e paraqesim ketë kërkesë para jush për të dhënë pëlqimin përkatës”.
 
Azem Hajdari, 25 shkurt 1998

Deputeti akuzohet për kundërshtim të forcave të rendit. I hiqet imuniteti, por prokuroria më pas pushon çështjen në ngarkim të tij.
Çfarë tha deputeti Hajdari ditën që do t’i hiqej imuniteti
 

Nëse mendoni se idetë e Azem Hajdarit burgosen gaboheni, nëse ju mendoni se prangat në duart e Azem Hajdarit i bëjnë ndonjë dëm gaboheni. Pse? Sepse ju jeni bindur këtu, në këtë Parlament, se mua 5 plumba nuk më kanë bërë dot gjë. E keni këtë bindje, i kam këtu në trupin tim, jo për arsye kanunore, por për arsye se di të mbroj idetë e mia, për arsye se dola në dhjetorin e 1990-ës për të mbrojtur idetë e mia. Nuk mungojnë këtu disa deputetë që për 4 vjet më sulmuan, të përzier, ose jo me piramida dhe ndërtojnë apo nuk ndërtojnë pallate, ndërsa Azem Hajdari nuk ka asnjeri në punë as në dogana, as në prokurori, as në Shërbimin Informativ Kombëtar, kam qenë dhe kam mbetur djalë i një punëtori dhe i një pastrueseje.


 Nëse klani i Hoxhës apo ai i Kapos mendon se i erdhi koha, mbas 7 vjetësh, të godasë Azem Hajdarin, unë po i them se gabohet, gabohet dhe gabohet shumë rëndë. Azem Hajdari është shumë vështirë të nënshtrohet nga ata njerëz të cilët mendojnë që funksioni i sotëm u jep mundësi për të justifikuar fytyrat e tyre. Prandaj unë e kam thënë në deklaratën time dhe e përsëris edhe një herë: do të vazhdoj ushtrimin e sovranitetit të votës sime në tërë Shqipërinë, do të vazhdoj ushtrimin e integritetit të votës sime dhe të forcës sime politike në tërë Shqipërinë. …nëse respektohen lojërat e politikës, ju ftoj t’i respektoni ato. Unë edhe një herë e përsëris: poshtë ky Parlament! Çfarëdo qendrimi të mbani ju, bindja ime që ky është Parlament i bandave nuk ndryshon, bindja se ju nuk kini burgje për të mbyllur idetë e mia, kurrën e kurrës nuk ndryshon. Bindja ime për të denoncuar të vërtetën kurrë nuk ndryshon. Këto nuk janë lojëra, këto janë meskinitete, ky është Parlament makbethian dhe çfardolloj qëndrimi të mbani është në turpin tuaj. Ora 12 ka për t’ju ndenjur. Në tërë Shqipërinë do të luftoj që ky Parlament të ndryshojë, që këtu të vijë një qeveri teknike, që në këtë vend të fillojë stabiliteti dhe integriteti i vendit. Duart e Azem Hajdarit ja ku i keni, këtu do të rri, në Shqipëri” .
 
Sali Berisha, tetor 1998
 

Berisha ishte nën akuzë për nxitje të kryengritjes së armatosur të 14 shtatorit. Akuza u pushua nga prokuroria.
Çfarë ndodhi në seancën e bojkotuar nga zoti Berisha dhe partia e tij.


Ish-kryetari i Kuvendit Skënder Gjinushi thotë se: “Duhej të shprehej vetë deputeti për të cilin kërkohet t’i hiqet imuniteti. Për të proceduar për votimin do të ngrihet një komision, i cili do të përbëhet nga pesë anëtarë. Votimi është i fshehtë dhe me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Nga prokuroria pati dy kërkesa, por nga Kuvendi u dha pëlqimi vetëm për heqjen e imunitetit për të lejuar ndjekjen penale,  ndërsa masën e arrestit e vlerëson prokuroria”.
 
Tre deputetë socialistë, Taulant Balla, Besnik Bare dhe Tom Doshi lënë imunitetin mbas akuzës për organizimin e demonstrimit të 21 janarit, në mars të vitit 2011. 


Balla: “Sot kam 2 ndjesi të kundërta. E para, ndihem realisht mirë, që emri im është përfshirë në këtë listë të pjesshme nga Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e tre imuniteteve parlamentare, për t’u hapur rrugë hetimeve të mëtejshme për 21 janarin. Në të kundërt, do të më duhej të pyesja veten, t’u përgjigjesha zgjedhësve të mi dhe atyre dhjetëra e mijëra shqiptarëve, që protestuan atë ditë të zezë në bulevard, apo që ndoqën me dhimbje tragjedinë nga ekranet televizive, se ku ndodhesha unë vetë atë ditë. Do të më pyes edhe im bir, kur të rritet: Po ti, baba, ku ishte më 21 janar?! Nëpërmjet heqjes së imunitetit tim parlamentar, sot e mot, do të kem krenarinë politike, morale dhe qytetare, që të them: po, unë isha në bulevard...”


Doshi: “Sot unë do të votoj për heqjen e imunitetit tim. Ju kërkoj të gjithëve të votoni njësoj si unë, jo sepse jam fajtor, por sepse dua të kontribuoj me gjithçka di për zbardhjen e plotë të krimit qeveritar të 21 janarit. Pa asnjë dyshim, është këmbëngulja kryesisht e Sali Berishës, e realizuar me të tëra mjetet që ai është mësuar të përdorë, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen te ndërkombëtarët, që unë patjetër dhe me çdo çmim të përfshihem në hetimin e organit të akuzës. Kam qenë aktiv në organizimin e demonstratës si çdo deputet i Partisë Socialiste, kam mobilizuar protestues në qarkun e Shkodrës për të ardhur në protestë paqësore. ...Pa imunitet ndihem më i qetë se nuk thotë njeri që Tom Doshi nuk hetohet se është me imunitet. Biznesi im ka qenë për një kohë të gjatë me ilaçet, por ilaçi më i mirë në këtë botë është drejtësia. Unë shpresoj që ky popull ta pijë një ditë këtë ilaç e të shërohet nga padrejtësia pasi të heqim qafe të paburrin dhe të pabesin Sali Berisha”.


Baraj: “E konsideroj nder dhe detyrë ndaj subjektit tim, ndaj dhjetëra mijëra qytetarëve të vendit, të vihem në dispozicion e të dëshmoj përpara prokurorisë, me konsideratën si një ndër të paktët institucione të pavarura në Shqipëri pas 100 vjetësh shtet. Çfarë ndodhi më 21 janar? Një det njerëzish ishin derdhur në Tiranë. Vargu i protestuesve shtrihej nga Kryeministria deri te Muzeu Kombëtar. A ishte thjesht PS-ja dhe opozita e bashkuar që  nxori në rrugë mbi 200 000 njerëz?

 

Jo, kolegë të nderuar, është politika e këtyre viteve, ku padrejtësitë po shpojnë deri në palcë jetën e çdo shqiptari, është gjendja e rënduar ekonomike, papunësia, varfëria ekstreme, dhuna, klanizimi, monopolizimi i pasurisë, falja e 350 kilometra katrorë det Greqisë, shfrytëzimi barbar në minierat e kromit, ku merren çdo muaj jetë njerëzish, është korrupsioni galopant, padrejtësia në shpërndarjen e pronës, vjedhja e saj e tjetërsimi, janë mijëra studentë, që pasi diplomohen, mbushin kafenetë e Tiranës, pa shpresë, se mund të zënë një vend pune. Ju doni organizatorët e dhunës, i keni në Kryeministri, i keni në Qeveri, mos i kërkoni armiqtë jashtë Qeverisë dhe Kryeministrisë. Kryeministri nuk mund ta duronte atë valë të pamatë njerëzish që protestonin, Qeveria nuk mund ta gëlltiste këtë dëshmi të gjallë të masës së popullit kundër saj. Prandaj Kryeministri e ministri i tij i Brendshëm urdhëruan që protesta të shpërndahej pa filluar ende”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama