Ilva Tare/ Zvicra Gjermania dhe Rruga e Elbasanit

Ilva Tare/ Zvicra, Gjermania dhe Rruga e Elbasanit

Virozat e stinës që prekin sidomos të vegjëlit, më detyruan që pas një nate të vështirë, mëngjesi të niste me një vizitë nga pediatrja e vajzës. Një zonjë e sjellshme dhe mjeke me eksperiencë tek e cila drejtohem për këshilla, edhe pse lundrimi në internet mbi diagnozat dhe mjekimet përkatëse, rrezikshmëria e ilaceve dhe sugjerimi për përdorim minimal të tyre, e bën shpeshherë një marrëdhënie delikate.

Edhe pse mëngjes i trazuar, fakti që nuk ishte dicka serioze u duk se e stabilizoi ditën e nisjes, sikur të mos ishte për lajmin që mora kur pediatrja më besoi planin e saj për të ikur në Gjermani. Nuk është e lehtë me fëmijë dhe bashkëshort dhe në moshën time, për ta nisur nga zero, të mësoj gjermanishten, të jap provime, por më duhet të sakrifikoj për fëmijët, tha zonja me sy të qeshur dhe kurajo për t’u admiruar.

Disa kolege të saj janë zhvendosur tashmë me familjet e tyre në Gjermani dhe punojnë si mjeke. Ky fakt kishte ndikuar që edhe pediatrja që i telefonoja dhe dërgoja mesazhe në orarë të papërshtatshme të natës apo ditës të ndërrmerrte vendimin e vështirë, por vendimtar për të ardhmen e fëmijëve të saj. Fjalia e zakonshme, “ky vend nuk bëhet” që e dëgjoj rëndom dhe më qëllon ta përdor edhe vetë herë pas herë, tingëllon si fataliste dhe ndoshta për ata që bëjnë si patriotë të mëdhenj, nuk është e duhura. Por është e vërteta.

Kur je prind dhe shikon sesi vdekja u merr prindërve nga duart fëmijën në aksidente automobilistike dhe kur ke ankth të sëmuresh, pasi mendon gjendjen e spitaleve, e kupton se cdo sakrificë për brakstisje të vendit dhe ikje në emigrim është e justifikuar. Pacientët e saj në Rrugën e Elbasanit do të ngushëllohen me faktin se Gjermania vend i zhvilluar, i paguan mirë profesionistët që shpenzojnë një dekadë për shkollim dhe trajnim. Do të duhet të kalojnë edhe disa vite përpara se të kuptohet pesha e vërtetë e humbjes së profesionistëve të tillë, që nuk krijohen dot brenda një kohe të shkurtër.

Më erdhi keq dhe mirë njëkohësisht kur mësova lajmin e ikjes së mjekes. Mirë për të që do t’i krijonte familjes së saj një mundësi për një jetë europiane me rregulla e ligje ku nuk flitet sikur të jesh në psikiatri për reformën në drejtësi, por kur e ndjen që drejtësia është e barabartë për të gjithë, edhe për emirgantët. Sikundër më erdhi keq për veten që do më duhet të gjej një mjeke tjetër që ka ambicje për të lexuar revistat bashkëkohore të shkencës dhe mirësjelljen për të punuar me përkushtim me fëmijët pavarësisht pagesës modeste mujore.

Të ikurit e 2016-tës nga Shqipëria duan të ikin sepse u lodhën nga pritja e ndryshimit të pandodhur. Ata, nuk duken të mërzitur me Zvicrën apo Gjermaninë që përmes standardeve të jetesës joshin shqiptarët të marrin një rrugëtim të ri të mbushur me mundim, punë dhe shpresë se mund të jetojnë si të barabartë në një vend ku dramat nuk i prodhon politika, por ajo shërben si motor zhvillimi i shoqërisë, përmes një dialogu të pandërprerë me qytetarët e saj.

Më të guximshmit po largohen. Të korruptuarit po luftojnë deri në grahmat e fundit për t’i shpëtuar uraganit të pritshëm të një drejtësie europiane, edhe në Shqipëri. Të tjerët, shohin telenovela me emaile dhe personazhe të shpikur qëllimisht për t’u përdorur në serialet e politikës, që e bëjnë edhe më dëshpërues realitetin e çdo të enjteje parlamentare në Tiranë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama