IASDA nje histori e dyshimte e ndihmes italiane per Shqiperine

IASDA, një histori e dyshimtë e ndihmës italiane për Shqipërinë

IADSA është një bashkim gërmash për "Italian Albanian Debt Swap Agreement" (Marrëveshja Italo-Shqiptare për Shkëmbimin e Borxhit) --një marrëveshje për kanalizimin e borxhit ende të papaguar të Shqipërisë ndaj Italisë në mbështetje për zhvillimin e Shqipërisë.

Shqipëria e cila i ka borxh Italisë, për shkak të kredive dypalëshe të marra në të shkuarën, në vend që t'i kthejë shtetit italian këstet e papaguara do të financojë me to projekte të vogla të bashkëpunimit italo-shqiptar në sektorë të ndryshëm të dakordësuar ndërmjet dy qeverive.

Që në emrin e marrëveshjes lind pyetja: marrëveshja thotë "shkëmbim hauje" po ku është shkëmbimi? Shkëmbim do të thotë që merr diçka dhe jep diçka tjetër në këmbim, por në këtë rast është e vështirë të kuptosh "aktin reciprok"--pra, Italia heq dorë nga marrja e kësteve, me një kusht, që qeveria shqiptare t'i shpenzojë këto para në marrëveshje me të, pra nën një farë vëzhgimi të zyrtarëve italianë, për të krijuar projekte zhvillimi në Shqipëri me shpresën se ato do hapin vende pune për italianët.

Në të vërtetë, sipas rregullave të marrëveshjes vetëm institucionet publike shqiptare mund të bëjnë kërkese për financim, ndërsa ofrues të asistencës apo njohurive teknike në projektet e kërkuara mund të jenë vetëm dy lloje organizatash: njësitë lokale apo rajonale italiane--pra funksionarë që paguhen një herë nga taksapaguesit italianë; dhe organizata joqeveritare, përfshi edhe ato shqiptare.

Për çdo thirrje për aplikim, një zyrë e veçantë e Bashkëpunimit Italian (Cooperazione Italia) përcakton shumën maksimale që do të financohet dhe institucionet publike që mund të aplikojnë. Propozimi duhet të paraqitet në gjuhën angleze nga ndërmjetësit "e duhur" italianë, pra institucione publike apo OJQ-të italiane që punojnë në Shqipëri.

Vlerësimi bëhet nga një komision i përbashkët ndërmjet Ambasadës Italiane dhe qeverisë shqiptare. Pas vlerësimit të propozimeve, afishohet një lajmërim me të gjithë projektet fituese, të cilët kanë një afat kohor prej dy vjetësh për tu realizuar. E njejta zyrë ka edhe detyrën për të monitoruar mbarëvajtjen e projekteve, por nuk jep asnjë të dhënë publike në lidhje me mbarëvatjen e tyre.

Komisioni i vlerësimit përbëhet nga Ambasadori italian dhe nga ministri shqiptar i financave, ndërsa Njesia e Mbështetjes Teknike (TSU) përbëhet nga dy bashkëdrejtues të zgjedhur nga palët; njëri përfaqëson interesat e qeverisë italiane dhe tjetri ato të qeverisë shqiptare, dhe tre punonjës të tjerë, një financier, një sekretare dhe një logjistikë.

Bashkëdrejtori shqiptar i zyrës së mbështetjes teknike të IADSA-së është Zoti Ismail Ademi, ish-këshilltar i Zyrës së Cooperazione Italiane në Tiranë. Zoto Ademi është me origjinë shqiptare por me pasaportë italiane, i shkolluar në Itali. Në zgjedhjet parlamentare italiane të vitit 2013, ai u propozua fillimisht por nuk arriti të përfshihej dot në listat finale të kandidatëve të Partisë Demokratike të Italisë (PDI).

Zoti Ademi njihet më shumë për rolin e tij si sekretar i Rrethit të Tiranës të Partisë Demokratike Italiane (PDI-ja ka organziata të saj edhe jashtë italisë), ndërkohë që dihet dëshira e tij për të qenë pjesë e listave të PDI në zgjedhjet e ardhshme rajonale në Lombardi. Zoti Ademi mesa duket e ka parë të udhës të lërë një vend të mbrojtur dhe të sigurtë në një një zyrë diplomatike italiane në Shqipëri (Zyrat e Copprazione Italia) për të kaluar nën varësi të administratës shqiptare. Motivimi i pranimit të një pune më të ulët dhe më pak të sigurtë mund të spekulohet nga gjithkush, por shumë persona pohojnë se pëlqimi i Zotit Ademi është i domosdoshëm për përzgjedhjen e propozimeve.

Mundësi tjetër për të garantuar suksesin e propozimeve është mbështetja e ambasadorit italian, i cili në bazë të marrëveshjeve jo të shkruara ka një kuotë të caktuar projektesh nën kujdesin e tij; pjesa tjetër është në dorë të Ministrisë së Financave të Shqipërisë. Në këtë rol, ish-Ambasadori Gaiani u dallua për premtimet e tij për financim ndaj të gjithëve pa asnjë dallim.

Në fund jo të gjithë mbetën të kënaqur me të, por të paktën disa frekuentues të zellshëm të Rezidencës italiane u shpërblyen me financim për projekte të cilave nuk i dihet as nevoja dhe urgjenca.

Problemi kryesor është se IADSA nuk ofron mjaftueshëm transparencë. Edhe pse programi ka një faqe të posaçme në rrjet, në tre gjuhë, është e vështirë të mësosh se kush janë fituesit e projekteve, për çfarë saktësisht janë dhënë dhe shpenzuar fondet dhe pse.

Nga viti 2012 deri më sot janë organizuar katër thirrje për aplikim nga IADSA dhe janë miratuar 42 projekte me financim total prej rreth 15.7 milionë euro. 13 prej tyre kanë përfunduar, 18 janë në zbatim kurse 11 projekte të miratuar në fund të janarit 2016 janë në fazën e fillimit.

Katër raportet e publikuara për secilin cikël financimi janë të dobta, me format dhe përmbajtje të ndryshme nga viti në vit. Nga raportet por edhe nga infomacioent e tjera në faqe nuk arrin të mësosh se çfarë projektesh janë propozuar, cilët janë propozuesit dhe kush e çfarë është financuar saktësisht.

Ka vetëm tituj akrobatik projektesh disa deri në kufijtë e qesharakes. "Innovation Hubs" duhet të jetë vlerësuar për nikoqirllëk fjalësh; "Innovative social services for vulnerable (de-institutionalisation practices)" dhe"Building Stronger Communities Through Business Incubation", duhet t'i kenë prekur ambasadorin dhe ministrin me zhargonin superteknik, supermodern, super; "Building Bridges of Partnerships for Arras Community Development" duket si luks (përtej mosdijes se për çfarë partneritetesh bëhet fjalë) për një komunë popullsia e së cilës është përgjysmuar nga emigracioni që mbetet burimi kryesor i të ardhurave të saj; "Planning and Catalytic investments for social cohesion and sustainable tourism development in Gramsh" duhet të ketë prodhuar fantazi turistike me "katalistët" e titullit duke çuar magjepsshëm në miratimin e projektit; kurse "Tradition and Culture: key words for new social opportunities in Këlcyrë Municipality" duket si niveli i dytë i leksionëve që italianët u japin përmetarëve për gatimin e byrekut të përmetit të cilin e kemi shpjeguar këtu.

Në të gjitha këto projekte, por edhe në të tjera, paraqitet shuma dhe detajimi i financimeve, por nuk behet i ditur përfituesi, në veçanti ai italian mbahet në heshtje.

Ndoshta për shkak të kësaj velloje misteri, IADSA është në gojën e të gjithë italianëve që vinë përqark në Shqipëri në kërkim të fondeve--në mënyrë të veçantë të qindra burokratëve të niveleve të ndryshme në kërkim një misioni të ri, të cilët u propozojnë projekte miqve të tyre burokratë shiptarë, firmosin memorandume, përgatisin plane biznesi dhe lobojnë pranë Ambasatës për të të miratuar financimin. Mesatarisht një në katër projekte siguron financimin.

Kjo normalisht rrit pushtetin dhe "forcën bindëse morale" të Ambasadorit dhe forcon pozicionin qëndror të Ambasadës kundrejt kësaj turme punonjësish me pushime, shpesh jo ekspertë dhe shpesh të vështirë për t'u koordinuar.

Por çfarë të mire ka prodhuar, për popullin shqiptar apo për popullin italian, i gjithë ky lulëzim i projekteve?

Siç theksuam faqja e IADSA-s, sikurse edhe ajo e Bashkëpunimit Italian për Zhvillim, janë dorështrënguara në informacion, por me aq informacion sa kanë kuptohet se programi i financimit ndjek çdo herë objektiva të ndryshme: dikush ristrukturon një shkollë apo një qendër shendetësore me justifikimin për të bërë aty një qendër trajnimesh; dikush ristrukturon një shtëpi për pleqtë; dikush organizon konferenca për të trajnuar administratën vendase; dikush rindërton një inkubator biznesi të financuar edhe nga BE që, mesa duket, ka përfunduar keq sapo kanë mbaruar paratë e financimit; dikush organizon fushata "dhuro gjak"; dikush ndjek strategji të përfshirjes sociale të romëve; shumë organizojnë sisteme "bed and breakfast" "bio" dhe me "kilometra zero" në mes të maleve shqiptare duke i shitur për turizëm të qëndrueshëm; për të mos folur për projekte si ai i muzeut fallco tek Ministria e Brendëshme që do të kthehet në muze për komunizmin, apo projekte të ngjashme të destinuara për të arnuar një sistem buxheti dhe planifikimi të investimeve që pinë ujë nga të gjitha anët.

Të gjitha projektet janë të destinuara vetëm për prerje shiriti në fushata elektorale, një sërë ndërhyrjesh të vogla në formë shiu në territor, të destinuara për t'i lenë gjërat ashtu siç janë, por për të garantuar siguri elektorale, propagandë dhe ndonjë vend pune për të afërm dhe miq të pushtetit në fuqi në ndonjë cep të humbur të këtij vendi.

Ndoshta ky është përfitimi shqiptar: përfitim politik dhe propagandistik. Por populli italian i cili, deri tani, ka hequr dorë nga përfitmi i 15 milionë euro nga qeveria shqiptare çfarë fiton? Nuk kemi arritur të gjejmë një përgjigje të besueshme, por mesa duket vlerësimet zyrtare, edhe pse ka përfunduar një e treta e projekteve të financuara, janë shumë pozitive, në pikën që disa ditë më parë Ambasadori Cutillo dhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj firmosën marërveshjen e dytë të financimit me vlerë rreth 20 milionë euro nga kredia e skaduar.

Me rreth 15 milionë euro e marrëveshjes së parë dhe 20 milionë të kësaj marrëveshje të dytë mund të ishte ndërtuar ndonjë rrugë, ndonjë spital, disa shkolla a kopshte, ose mund të ishin mbuluar shpenzimet shëndetësore të shqiptarëve që jetojnë në Itali dhe që përfitojnë falas nga shëndetësia italiane.

Një tjetër, element i çuditshëm është se propozim projektet duhet të paraqiten detyrimisht në gjuhën angleze. A mos ndoshta është objektiv i politikës së jashtme të Italisë të përhapë gjuhën italaine? Nëse një nënpunës shqiptar do të përfitojë financime italiane të paktën të mësojë gjuhën, kështu të paktën do të nxisnim përfshirjen në burokracinë shqiptare të shumë të rinjve të shkolluar në Itali.

Në të vërtetë, i gjithë ky program duket se është konceptuar vetem për të luajtur i ashtuquajturi "sektori i tretë", i cili në emër të ndërhyrjes humanitare i cakton vetes rroga të mira dhe bën sikur mbikqyr veetveten; apo së dyti për të nxitur bashkëpunimin e decentralizuar të njësive të pushtetit lokal e rajonal, të cilat, edhe pse ankohen se nuk u shërbejnë dot qytetarëve për shkurtim buxheti, vazhdojnë të ndërtojnë misione të vështira e shpesh të pamundura të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Sigurisht heqja dorë nga kreditë, shpesh të dhëna me kushte krejtësisht politike (për shembull, me interes 0,75 për qind, me shumë vite mospagesë dhe afate të gjata shlyerje), sidomos në situatën e tanishme të financave italiane duket zgjedhje e diskutueshme. Të paktën nëse do kishte më shumë informacion mbi aktivitetin e sistemit publik italian në Shqipëri, do të ishim në gjendje më të mirë për të arsyetuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama