Hollivudi nje vere e nxehte edhe me para

Hollivudi, një verë e nxehtë edhe me para

Gjithçka kësaj vere funksionoi mirë, madje edhe paraloja dimër - pranverë ishte çuditërisht e fuqishme me realizimin e filmave si "300", "Ghost Rider" etj. Të gjitha strategjitë kanë funksionuar mirë. Blockbuster‘ët e shtrenjtë "hapeshin" në mijëra kopje në çdo cep të botës dhe rezultati ka qenë i shkëlqyeshëm, gjë për të cilën dëshmojnë tre filmat në vendin e parë si "Pirates of the Caribean", "Harry Potter 5" dhe "Spider Man 3". Mirëpo, nuk gaboi as kompania "Paramount/Dreamworks" me "Shrek the Third", e cila ka shkuar vetëm në ato tregje ku "klima" ka qenë e përshtatshme, dhe atje ku kanë filluar pushimet shkollore, në mënyrë të njëjtë veproi edhe "Disney" me filmin "Juhu-Hu".

Në të dyja, rastet rezultatet janë shumë të mira. Para dy tri viteve asnjë kompani e madhe nuk do të shfaqte asnjë hit filmik pas 1 gushtit, ndërsa një gjë të tillë e ka bërë "Universal Pictures" me "Bourne Ultimatum" si dhe "New Line" me filmin "Rush Hour 3". Filmi i parë ka qenë një mega-hit, i dyti edhe s‘është ndonjë gjë, kryesisht nga shkaku i kritikave të dobëta. Vera hollivudiane zyrtarisht filloi nga fillimi i majit dhe vazhdoi deri në gjysmën e muajit gusht, ngase nuk ka tjetër mënyrë se si t‘i fusin gjithnjë e më shumë tërë këta blockbusterë, të cilët në majat e top listave të kinemave e kalojnë vetëm nga një javë dhe ia lëshojnë tjetrit në radhë. Fitimi jashtë Amerikës është bërë pjesë kyçe në rritjen e profitit. Para pesë viteve "Spider Man" ka qenë hit, mirëpo, raportet e garës mes Amerikës dhe tregut ndërkombëtar kanë qenë baras.

Për analistët kjo ishte një tregues se ku duhet drejtuar marketingu dhe distributorët e filmave, andaj këtë verë "Spider Man 3" përmirësoi drejtimin e vet. Pothuajse 62 për qind nga 890 milionë dollarë të fitimit kanë ardhur nga bota. Filmat "Pirates of the Caribean 3", "Harry Poter 5" kanë një fitim gjithnjë më të mirë (67, 69 %), megjithatë diçka duhet lënë diferencimeve kulturore; filmat me përmbajtje aventureske jashtë Amerikës shihen më me dëshirë, sesa stripat e ekranizuar. Vera hollivudiane ka edhe "paraskenën". Nëse llogaritët inflacioni, i bie që në vitin 2002 fitimi veror në kinematë amerikane ishte 4,29 miliardë dollarë, ndërkaq sipas numrit të shikuesve në vitin 2004 ishte më e suksesshme. Si u realizuan rezultatet e shkëlqyeshme në vitin 2007? Thjesht, me shtrenjtim gradual të biletave! Evropa Perëndimore është shumëfish e mbrojtur dhe vështirë që aty mund të vijë deri te rritja e të ardhurave, përveç nëse nuk rritet çmimi i biletës. Marrë parasysh që kjo tashmë është në proces e sipër, parashihet që në 5 vitet e ardhshme të ardhurat e Hollivudit mund të rriten për 17 për qind.

Natyrisht, një pjesë të "barrës" do ta marrin përsipër shtetet të cilat ende nuk janë mjaftueshëm të mbrojtura shumëfishtë- fillimisht Evropa Lindore. Pason Rusia, e cila po bëhet një treg gjithnjë më i rëndësishëm për filmat hollivudianë, e njëjta pritet për shumë shtete tjera. Kur Evropa është globalizuar e tëra, mbetet edhe Azia dhe Lindja e Mesme. Kina deri më tani po i reziston invazionit hollivudian me kuotën e limituar të importit të filmave amerikanë, megjithatë një ditë edhe kjo pengesë do të rrënohet dhe blockbuster‘ët nga ana tjetër e botës do ta vërshojnë Lindjen e Largët. Por deri atëherë, kino-tregu sigurisht do të jetë krejtësisht më ndryshe nga ky që është sot.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama