Historia e nje heroi ne Luften e Dyte Boterore ne Shqiperi

Historia e një heroi në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri

Lucas, gazetari shqiptaro-amerikan sapo ka botuar një libër të titulluar “The OSS in World War II Albania”(OSS në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri). Ndërsa nëntitulli i librit “Operacioni i fshehtë dhe bashkëpunimi me komunistët partizanë” sqaron më tej idenë e tij për këtë libër. Sipas tij, në këtë libër përshkruhet pjesa e patreguar e historisë se si OSS (Zyra e Shërbimeve Operative), që ishin paraardhësit e CIA-s, ndihmuan komunistët të largonin gjermanët dhe të merrnin në dorë vendin në vitin 1944. Mes historisë së shkruar nga ai, përshkruhet misioni i fshehtë i forcave sekrete amerikane për të mundur gjermanët. Ndërsa thekson se Enver Hoxha nuk e njohu këtë. Pas përshkrimit të përgjithshëm të ngjarjeve, mbi atë se ç’ka ndodhur në vitin 1944, Lucas ndalet më tepër në një personazh të veçantë. Ai është Thomas Stefan, shefi i misionit sekret. Lucas merret gjatë me këtë personazh. Madje, ai e quan si një hero të panjohur të Luftës së Dytë Botërore. Stefan ishte me origjinë shqiptare. Lucas përshkruan që nga ditët e tij të para në Shqipëri, përpjekjet për të hyrë në kontakt me Enver Hoxhën, deri te ditët e fundit para largimit e jeta e tij e mëtejshme. “Kam punuar pesë vjet për këtë libër. Kërkimet për Stefanin dhe ajo çfarë i kishte ndodhur atij, më çuan mua drejt këtij projekti”, - shprehet Lucas. Gazetari që ka shkruar për “Boston Herald” dhe “Boston Globe”, e ka vizituar më shumë se 20 herë Shqipërinë dhe ka botuar edhe më parë libra që lidhen me vendin tonë. “Libri i referohet ndodhive të Luftës së Dytë Botërore dhe njerëzit janë të interesuar për një histori lufte. Gjithashtu, ky libër zbulon për herë të parë se si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndihmuan komunistët të godisnin gjermanët dhe të merrnin në dorë vendin. Shpresoj që Stefan, deri tani një hero i panjohur, më në fund të nderohet për kontributin që ka dhënë në këtë kohë lufte”, - tregon më tej në një intervistë Lucas. Ai shkruan se Enver Hoxha, i cili mori më pas në dorë shtetin, shkroi versionin e tij të pandryshueshëm duke injoruar OSS-in.

Libri

Mes këtyre burrave ishte edhe Tom Stefan, i cili shfaqet në periudhën e katërt”, kështu e fillon Peter Lucas rrëfimin për misionin e Stefan në Shqipëri. “Misioni i Stefan, në ndryshim nga të gjitha operacionet e mëparshme sekrete, ishte të kontaktonte direkt me Enver Hoxhën, drejtuesin e partizanëve. Stefan e kishte marrë përsipër misionin që i kishin ngarkuar për të kontaktuar me Hoxhën”. Tregimi për takimin e parë vazhdon. “Stefan mbërrin në Shtabin e Përgjithshëm të Enver Hoxhës në nga fundi i prillit. Pavarësisht se atje ndodheshin disa oficerë britanikë të SOE-s, dhe njerëz të tjerë, Stefan ishte amerikani i parë. Ata ishin vendosur në një fshat të vogël që nuk kishte më shumë se 20 shtëpi. Fshati ishte qarkuar nga ushtarët. Që prej andej, Hoxha dhe stafi i tij drejtonin luftën kundër gjermanëve. Hoxha thuhet ta ketë pritur mjaft ngrohtë Stefan. Kjo ndoshta ka ndodhur nga fakti se Stefan ishte ushtari i parë amerikan që kishte mbërritur në Shtabin e Përgjithshëm. Por më tepër se ky fakt, Hoxha e priti miqësisht Stefan, sepse prindërit e tij ishin nga Shqipëria.

Stefani jo vetëm që fliste shqip, por ai fliste në dialektin toskë të Hoxhës. Hoxha ishte 36 vjeç në atë kohë. Ai ishte më i gjatë se shumë të tjerë. Kujdesej më shumë se kushdotjetër aty për pamjen e tij dhe ishte i pashëm. Stefan sapo kishte mbushur 27 vjeç. Ai ishte më i shkurtër se Hoxha. Uniforma e tij ishte e shkujdesur, si ajo e një njeriu që ka ecur për ditë të tëra në malet e Shqipërisë. Kur mbërriti, tërhoqi vëmendjen e të gjithë partizanëve në kamp”. Kështu e përshkruan Lucas takimin e heroit të tij, Stefan me Enver Hoxhën. Por ngjarjet vazhdojnë, duke treguar ditët e para pas çlirimit të vendit deri në largimin e tij. “Kapiteni u martua me të dashurën e tij shqiptare, Lulu Vrioni, në një ceremoni në Tiranë. Fillimisht u larguan në Romë dhe më pas në SHBA”, - vazhdon Lucas. Në librin e tij, ai vazhdon të merret edhe me ato vite jetë që i kishin mbetur derisa Tom Stefan varroset më 14 shtator 1959, në varrezat e Laconia. Peter Lucas e konsideron si një hero të panjohur të Luftës së Dytë Botërore.


Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama