Historia e 28-vjecares shtatzene me AIDS Une jam e infektuar por dua te bej nje engjell te shendetshem

Historia e 28-vjecares shtatzene me AIDS: Une jam e infektuar, por dua te bej nje engjell te shendetshem

Është 28 vjeçe. Prej dy vitesh ka mësuar se është e infektuar me HIV-AIDS. Vetëm 3 vetë  e dinë sëmundjen e saj të rëndë, edhe pse ajo e konsideron thjesht një virus. Frika nga paragjykimet bën që edhe në këtë intervistë të mos identifikohet. Por gjen kurajon të denoncojë tmerrin që përjeton në spitalet shqiptare kur drejtohet për ndihmë. Sëmundjen e ka mësuar rastësisht dhe gjëja e parë që i shkoi ndërmend ishte vetëvrasja.

 


“Nisi nga disa probleme shëndetësore, u bënë të gjitha analizat që të zbulohej se çfarë kishte në të vërtetë dhe doli që ishte kjo. Nuk dua t’i vë fajin askujt dhe asgjëje sepse tashmë ndoshta nuk ka më shumë rëndësi, por që kam disa dyshime të vogla që lidhen edhe me spitalet ku ne shkojmë për të kryer analiza apo shërbime. Në fillim ndoshta ishte dhe paragjykimi i vetëvetes, në atë moment paragjykon veten më shumë se çdo gjë tjetër në jetë, dhe duke filluar nga kjo mendon se të gjithë e dinë, të gjithë të shohin me një sy tjetër, sepse ne ashtu jemi mësuar që nuk dimë asgjë për këtë virus. Ne nuk e shohim si një sëmundje normale, siç është kanceri apo edhe hepatiti B. Po të gjithë e shofin se është e infektuar.

 


Kur e zbulova nuk isha me atë atë ditë, ai e ka marrë vesh rastësish sepse nuk do ta kishte marrë vesh kurr për atë moment. Ai e ka marrë vesh rastësisht duke parë analizat pa dijeninë time. Kam qenë unë që doja ta largoja pavarësisht se kemi goxha vite martuar. Doja ta largoja nga jeta ime, nga cdo gjë e imja sepse e ndjeja veten shumë keq dhe normalisht është paragjykimi i vetes. Por ai më thoshte se nëse do vdesim sot, do të vdesim të dy, sepse ajo është shumë e rëndësishme. Gjykimi i parë është që jeta nuk vazhdon , jeta u mbyll me aq, cdo gjë është errësirë. Pastaj dita ditës fillon dhe e pranon, dhe thua se do të vazhdoj edhe kështu siç jam. Fillon dhe shmangesh vetë njëherë në radhë të parë nga njerëzit se thua: Ja po ta marrë vesh cfarë zhgënjimi…! Unë nuk mund ta transmetoj virusin, as nëpërmjet shikimit, as nëpërmjet muhabeteve, as nëpërmjet puthjeve, as nëpërmjet përqafimeve. Mendoj se nuk janë të gjithë si unë, me kaq forcë me kaq guxim, mendoj se mund të ketë dhe skandale, gjera ekstreme vetëvrasje, gjera të papërballueshme. Më mirë të vdesësh sesa të jetosh në Shqipëri.”

 


Ditën që ka mësuar se është e infektuar, e quan më të vështirën e jetës së saj. Ka kërkuar pafund të ngjashëm, por që në Shqipëri nuk njeh askënd të sëmurë me HIV-AIDS, dhe pse numri zyrtarë i të prekurve është 774 persona.

 


“Më ka bërë përshtypje sepse më dukej vetja si e vetme. Unë isha e gatshme të pyesja mjekët, t’i thosha: Më trego vetëm një rast, të shoh vetëm një rast që jeton sepse e thashë që përballja është e tmerrshme, nuk mund ta përballosh direkt, nuk mund ta kalosh atë fazë. Është faza më e rëndë e jetës. Ndodhi që unë fola me disa, dhe aty kuptova që është dikush që ekziston dhe është mirë, është i shëndetshëm, bën jetë normale, ka fëmijë, ka një bashkëshort”.

 


Gjithçka e ka mësuar nga interneti e bisedat virtuale me miqtë e saj. Prej tyre di që, dhe pse e infektuar, mund të jetë një nënë e shëndetshme, mund të sjellë një jetë një bebe. Të shtunën e 27 nëntorit ajo ka mësuar se është shtatëzanë, e ndihet njeriu më i lumtur në botë.

 


“Në fillim mendoja që nuk do lindja kurrë, pavarësisht se është endrra e çdo femre dhe thosha: Pse mua? Unë jam e infektuar, por dua të bëj një ëngjëll të shëndetshëm ,që të lë dikë prapa se dua që ta jetojë këtë jetë. Nuk do doja asnjëherë të bëja një fëmijë të infektuar sepse ndoshta nuk do ta përballonte dot ai, sepse do të ndjeja më shumë përgjegjësi dhe akoma më shumë veten në faj.”

 


E jeton ditën, si të ishte e fundit e jetës së saj. Ka pranuar të bashkëjetojë me një virus vdekjeprurës por apelon për kryerjen e një analize, për të cilën ajo thotë se është me fat që e ka kryer në fazën e parë të sëmundjes.

 


“Unë kam bërë vërtet një jetë shumë të rregullt dhe jam e bindur, nuk kam marrë drogë dhe them që çdokush për sigurinë e tij ta bëjë një analizë. Është më mirë ta kapësh në fazat e para dhe je i gatshëm edhe për ta kuruar ndoshta përfundimisht sesa ta zbulosh pas 10 vjetësh kur cdo gjë ka marrë fund, ku çdo lloj organi ka marrë fund.”

 


Gjendja e klinikave ku trajtohen të sëmurët me HIV-AIDS, është aq e mjerueshme sa, jo rrallë herë ka menduar të qëndrojë në shtëpi për të pritur e vetme vdekjen. Ne spital, vetëm paragjykohet por trajtimi mjeksor shumë herë pacientëve u shkakton efekte anësore.

 


“Në Shqipëri, e para do rrish do presësh, është frikë në kuptimin e paragjykimit sepse të gjithë të duket sikur e dinë. Po çfarë dinë? Dinë që je thjesht e infektuar me një virus që nuk është se ti ke dashur të infektohesh dhe atëhere kjo të shtyn të mbyllesh dhe të rrish akoma më tepër në vetëvete, ndoshta dhe të mos shkosh në spital për të bërë analizat. Nuk po shkoj më mirë sesa të përballem me ata sy, sepse sytë janë e para gjë që ti sheh te tjetri. Paragjykimet janë të llojit: Kush merret tani me këtë! Dhe për të hequr këtë pjesë, nuk po shkoj farë me mirë. Këtu kam frikë, kam frikë edhe nga terapia pavarësisht se më kanë siguruar që është një nga më të mirat, por që është e frikshme që ti do mendosh që do marr një terapi për të kuruar diçka dhe do sëmurem nga gjera të tjera dhe i bie që unë gjithë kohës të jem e sëmurë gjithë kohës dhe kjo është e frikshme. Terapia që përdorin njerëzit këtu në Shqipëri është ndoshta terapia më eee..jo e skaduar….por më e ulëta dhe ka efekte anësore që cdo njeri nuk do donte ti kishte. Ne e kemi një problem, pse duhet të kemi një problem tjetër të shkaktuar nga terapia. Nesër mund të ketë terapi për mua, por për fëmijën tim nëse do jetë faza e parë që ai do ketë nevojë për një terapi antiviruse që është shumë e fortë, atëherë çfarë do bëhet? Do të paguhen lekë? Po ku do paguhen? Në shtet, ndërkohë që shteti i ka për detyrë ti marrë falas.”

 


Krejt e kundërta i ka ndodhur në Itali, ku ka shkuar qoftë dhe për një konsultë pasi ka mësuar se është e infektuar.


“Edhe pse nuk dija mirë italisht më kanë mbajtur aq shumë afër dhe më kanë dhënë aq shumë ngrohtësi, vetëm se nuk kishin mundësi që të bënin diçka për mua që të merrja terapinë apo të bëja një kurë atje, sepse kjo është e vendosur nga shteti, nuk mund të marrësh terapi jashtë. Një mikesha e imja ishte shumë e lumtur që merrte terapi një herë në tre muaj, që do të thotë se ajo ishte në fazën më të mirë të kurimit, dhe të shërimit ndoshta edhe të zhdukjes. I kishte thënë edhe doktori që jemi gati në nxjerrjen e vaksinës, por këtu në Shqipëri ndoshta do të vijë vaksina pas 100 vjetësh.”

 


Nuk kërkon që mjekët të jenë bamirës apo mëshirëplotë në dhimbjen e saj, por thjesht të dëgjojë një fjalë të ngrohtë, tani që e ardhmja e saj është pashmangshmërisht në duart e tyre.
“Mungesa e parë fillon që nga ilacet që është më kryesorja. Atëhere çfarë duhet të bjmë? Të bashkohemi të gjithë ne. Po ku janë? Edhe pse kemi këta mjekë, tek ata do mbështetemi, edhe pse janë ato infermiere, prap atje do mbështetemi duam apo nuk duam, i pranojmë apo nuk i pranojmë, atje, sepse është e vetmja zgjidhje, ose do rrimë në shtëpi të presim kur të…Por që mendoj se duhet të ketë pak më shumë ngrohtësi, cdo i sëmurë, qoftë edhe me grip ka nevojë për një supë të ngrohtë, ka nevojë për një fjalë të ngrohtë dhe të shërohesh nesër dhe jo më për një virus që është i paragjykuar dhe do të jetë gjithmonë mendoj unë.”


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama