Heronjte e Luarasit

Heronjtë e Luarasit

U shkruan gjatë shekullit të shkuar, por ky fakt vetëm sa ia rrit vlerën penës prej biografi të Skënder Luarasit. Faktet historike vijnë në mënyrë të rafinuar, me një stil unik edhe në këtë 95-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, kur shtëpia botuese "Migjeni", me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve riboton tre monografi të përkthyesit Luarasi. "Kolonel Tomson", "Ismail Qemali" dhe "Isa Boletini" nën një titull të vetëm "Tri jetë". Për botuesen Angjelina Ceka, njëkohësisht e bija e Luarasit, ky libër vjen në një moment historik, ashtu si në kohën kur u shkruan. Vepra e Luarasit është konsideruar si një biografi e letrarizuar, kjo është edhe arsyeja pse materiali historik është i veshur me ngjyrime përshkruese, dialogje e fjalime. Në vepër flasin vetë heronjtë. Një stil ky i veçantë që nuk e gjejmë sot në vepra të këtij lloji. Përveç stilit, ajo që e ndihmon Luarasin është edhe bashkëkohësia. Ai e jetoi kohën kur jetuan të tri figurat historike. Monografia "Kolonel Tomson" hap triptikun e heronjve sepse është edhe e para që u shkrua, në vitin 1929, kohë kur Luarasi student krejt rastësisht takon të afërmit e kolonelit në një bar të Vjenës dhe nxitoi të hidhte në letër përshtypjet e momentit dhe gjithë çka dëgjoi nga goja e familjarëve dhe miqve. Është një monografi e shkurtër që në të vërtetë ai nuk e nisi për të tillë, 12 faqe.

Nuk ka vetëm fakte dhe data, por ka edhe dëshmi për portretin e Tomsonit njeri. "Tomsoni ka qenë në çdo pikpamje një burrë i mirë. Nuk di të kem hasur ndonjë njeri tjetër që të ketë fituar miqësinë dhe simpatinë e të huajve aq shpejt sa Tomsoni. Pati vërtet armiq të shumtë, sidomos në ushtri, por edhe kundërshtari më i vrazhdët e çmonte si njeri",- kujtonte shoku i kolonelit D. Hans. Në këto faqe të kursyera Luarasi e paraqet kolonelin hollandez si një njeri që e deshi shumë vendin tonë, aq sa dha edhe jetën. "E deshi Shqipërinë tonë posi Holandën vetë. Më të madhen therori që mund të bënte, ai bëri kombit tonë", - thotë Luarasi. Siç tregon e bija, Angjelina, autori do të kishte dashur t'i rikthehej edhe njëherë figurës së Tomsonit, për ta plotësuar me të tjera fakte, por regjimi komunist e quajti atë agjent të imperializmit, madje i hoqën edhe monumentin kushtuar kolonelit, që durrsakët e nderonin me ëndje. Gjithsesi Luarasi mbeti biografi i parë i Tomsonit.

Më tej vijon monografia kushtuar plakut të urtë të Vlorës, Ismail Qemalit. Aty njihesh me familjen, fëmijërinë, arsimimin, fillimin e karrierës politike, mërgimet, kryengritjet, kongreset, ditën e 28 nëntorit dhe qeverinë e përkohshme. Ismail Bej Vlora vjen vetë përmes fjalimeve, telegrameve, dialogjeve me bashkëkohës, me të cilët vetë Luarasi ka komunikuar. Autori e trajton me dashuri figurën e Ismail Qemalit, edhe pse është i ndërgjegjshmë për kritikat që i janë bërë atij.

Gati një të tretën e librit e zë "trimi i Kosovës", Isa Boletini. Angjelina Ceka tregon se Boletini ishte një figurë shumë e dashur për të atin. E ndiente shumë të afërt këtë figurë, çështjen e Kosovës, të pavarësisë…, ndaj dhe i kushtoi edhe më shumë kohë e vëmendje. Ceka thotë se i ati pati si burim kryesor të nipin e heroit, Tafil Boletinin, me të cilin pati miqësi të ngushtë. Po kështu shfrytëzoi dëshmitë e familjarëve të tjerë dhe bashkëkohësve të Boletinit që banonin në Fier e Tiranë. Monografia e Isa Boletinit ka njohur sukses të madh në Kosovë, ku është përpirë menjëherë nga lexuesi brenda 48 orëve. Por edhe pse flitej për një nga figurat më të njohura të historisë shqiptare, botimi i biografisë nuk ka qenë i lehtë. "Për një apo dy vjet libri mbeti në sirtarët e Ndërmarrjes së librit. Mbaj mend tim atë të shqetësuar në ecejaket e tij, pa marrë asnjë përgjigje. Në fund i dërgoi një letër kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehut, ku e pyeste se përse nuk botohej libri i tij", - thotë Angjelina Ceka. Duhej që dorëshkrimi të kalonte së pari nga zyra e kryeministrit, që të mund të botohej në 60-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Edhe ky libër i tretë ka strukturën e dy monografive të para, ku fakti historik gërshetohet me rrëfimin dhe bashkëbisedime të Boletinit. Për këtë ribotim, Angjelina ka bashkëpunuar edhe me Arkivin e Shtetit, Institutin e Historisë, Muzeun Historik Kombëtar, të cilët e pasuruan botimin me dokumente fotografike, të papublikuara më parë. Një ndihmë të veçantë ka dhënë profesori anglez Harrie Teunissen, i cili siguroi fotografitë e kolonelit Tomson.

Tradhti ndaj një miku

Një ushtarak i suksesshëm, anëtar parlamenti, atashe ushtarak në vatra lufte, Kolonel Lodevajk Tomsoni erdhi në Vlorë në 10 nëntor 1913 për të organizuar xhandarmërinë dhe administratën. Qëlloi në një periudhë të vështirë, u përball me grushtin e shtetit të Esad Pashës në Durrës, ku edhe mbeti i vrarë. Luarasi e përshkruan me shumë dhimbje këtë moment: "Plumbi i një fanatiku të verbër dhe skllavi të shitur te armiqtë e kombit të tij, që nuk dinte ç'bënte e ç'kërkonte, e shtiri përdhe të vdekur mikun më të madh të Shqipërisë".

Ismail Qemali

Pak gabime në kohë të vështirë

Filozofia e portretizimit të Ismail Qemalit në pak rreshta: "Në shtypin patriotik shqiptar janë bërë kritika, nganjëherë të ashpra jashtë masës, për veprime, ose qëndrime të caktuara të Ismail Qemalit. Mirëpo veprimtaria e Ismail Qemalit nuk duhet vlerësuar nga pozitat e asaj kritike që iu bë atëherë, por duhet vlerësuar para së gjithash nga rezultatet përfundimtare të gjithë punës së tij… Në këtë rrugë të gjatë, të vështirë e të ndërlikuar që ndoqi Ismail Qemali, nuk do të kishte pasur burrë që t'u shpëtonte gabimeve. Është për tu çuditur që e mbylli jetën me kaq pak gabime".

Isa Boletini

"Lum shekulli që e njohu!"

Emri i Isa Boletinit lidhet me kryengritjet për liri e pavarësi në Kosovë kundër politikave xhonturke, në vitet 1909-1912, ku ai edhe u shqua si strateg. Skënder Luarasi e dinte se jo rrallë herë figura e Isa Boletinit ishte krahasuar me Robn Hudin, apo Gec fon Berlihingenin, por ai ishte i bindur se Isa ishte heroi me të cilin mund të krenohesh. "Të rinjtë shqiptarë ta njohin kryetrimim e Kosovës, që brezat e ardhshëm të thonë "Lum shekulli që e njohu!", - shkruan Skënder Luarasi.

Alma Mile : Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama