Hera e pare e Doktorit

Hera e pare e Doktorit

Të gjitha rastet kur Sali Berisha do të duhej të ishte ulur përpara prokurorëve. Një listë e pafund me ngjarje kur politikani i fortë duhej të kishte së paku statusin e dëshmitarit të drejtësisë. Nga rrahja e opozitës në sheshin Skëndërbej në 96-ën, tek shoqërimi në polici në vitin 2000, nga vrasja e Hajdarit tek vrasjet e shumëfshta në Gërdec. Çfarë ndodhi që për herë të parë Berisha shkoi në prokurori mbas 25 vjetësh të një karriere politike që në thelb ka pasur akuzatorin e gjithëkujt? Një lajm mjaft i mirë që ndodhi në Tiranë, që si përjashtim nga rregulli, prodhohet nga politika dhe një surprizë që pritet të ndodhë shumë shpejt

Ka pasur një lajm të mirë në Tiranë në dy javët e fundit, por në morinë e lajmeve të këqia që kanë ndodhur, ai nuk ka rënë në sy. Nuk ka rënë në sy edhe pse ai është një lajm i prodhuar nga politika, e cila si rregull dhe deri më tani, pothuaj asnjëherë si përjashtim, ka prodhuar vetëm lajme të këqia. Të gjithë njerëzit më të fuqishëm të vendit, për nga rëndësia dhe pesha politike, u zhvendosën në një tjetër qendër rëndese, në organin e akuzës. Të gjithë, të thirrur prej saj, nxituan të japin dëshmitë e tyre për historinë “Doshi”. Kryeministri, kryetari i kuvendit, ministri i brendshëm, disa deputetë dhe mbi të gjitha Ai. Vetë Ai, Doktori. Ish-president i Republikës në një mandat e një çerek, ish-kryeministër i vendit në dy mandate dhe deputet në të gjitha legjislaturat postpluraliste, zoti Sali Berisha për herë të parë në karrierën e tij të gjatë politike nga hiri apo pahiri, u ul përpara tryezës së prokurorëve të krimeve të rënda, në atë procedurën standarte: u pyet për emrin, mbiemrin, atësinë e mëmësinë, datëlindjen, profesionin dhe skedinën penale. Për të arritur në pikën kur ju kërkua, natyrisht me mirësjellje që meqënëse ndodhej në prokurori, me cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për ngjarjen në hetim, të rrëfente nëse dinte rrethana të dobishme për hetimin. Për të kuptuar përmasën e lajmit të mirë që a ndodhur në Tiranë mjafton të bëhet një krahasim i thjeshtë dhe të përfytyrohej Doktori katër vjet më parë duke shkuar në zyrën e ish-prokurores Ina Rama apo që tek biondja e akuzës të shkonte brunia e politikës, domethënë Jozefina.


Çfarë është në thelb të këtij lajmi të mirë? Një filozofi tërësisht e ndryshme politike e kësaj maxhorance të sotme në krahasim me një të shkuar jo aq të largët. Një filozofi që ka të bëjë me ndarjen dhe balancimin e pushteteve e me respektin e pavarësisë reciproke. Natyrisht ende larg një standarti nordik të fjalës, por që bën përshtypje dhe është i rrallë për Ballkanin e jugut të Evropës.


Nëse një skenë e tillë do të kishte ndodhur vite më parë, me siguri dhe Shqipëria do të ishte ndryshe. Eshtë kështu siç është edhe pse kjo gjë as nuk mendohej më parë.


Revista Java bëri një udhëtim të shkurtër në kujtesë dhe siguroi disa nga momentet më të rëndësishme kur politika duhej të bënte këtë rrugëtim drejt prokurorisë. Dhe u ndal tek personazhi kryesor që nuk e kishte bërë kurrë një gjë të tillë, por që e humbi virgjërinë në fillimin e kësaj jave, kur tregoi gjeneralitetet e tij përpara prokurorëve.


Në shumë më shumë se një rast, Sali Berisha duhej të ishte bërë së paku klient i prokurorisë. Nuk e ka bërë, por njeriu i standarteve të shumëfushta, është shndërruar në prokurorin politik të gjithkujt. Njëlloj si komunisti i dikurshëm dhe i penduar Bedri Spahiu, për të cilin këndoheshin edhe këngë qesharake me rima primitive. Ndryshe nga Spahiu, Saliu modern është larg pendesës që provoi dikur Spahiu.
 
Në vitin 1996


Ai vit i largët njohu një farsë të vërtetë elektorale. Shteti, makineria policore, SHIK-u më shumë legjendë sesa real, grupe pothuaj të strukturuar paramilitarë e deri dhe pronarët mashtruesë të piramidave financiare dhe media e vetme shtetërore elektronike, u vunë përballë një opozite që megjithatë pak besonte në fitore. Por edhe pse kushtet ishin fare të pabarabarta, manipulimi nëpërmjet dhunës dhe përdorimi i faktit të kryer, realizoi atentatin e parë serioz politik dhe vrasjen e institucionit të zgjedhjeve. 26 maji ishte akti i parë i një drame që ende nuk ka mbaruar edhe gati dy dekada më pas. Por euforia e asaj fitoreje të grabitur, në dy ditët në vijim, do të shihte anët e saj groteske dhe tragjike. Një demonstrim paqësor i opozitës do të shtypej me forcë në sheshin Skënderbej dhe drejtuesit e saj kryesorë do të rriheshin publikisht. Kurrë nuk u morr vesh se kush dha urdhërin për atë agresion publik. Një hetim për tejkalimin e përdorimit të forcës nga policia dhe një hetim i brendshëm në ministrinë e rendi, dha pak rezultat. Ish-kryeministri Aleksandër Meksi dhe ministri i Brendshëm Agron Musarai mohuan në atë kohë dhe më pas të kishin dijeni për urdhërdhënësit. Edhe pse askush nuk e fshihte, që atëherë ishte e qartë se njeriu që e kishte urdhëruar atë rrahje masive e publike ishte ish-presidenti Berisha. Por askush, në asnjë rast atëherë e më pas, nuk e çonte në mend që hetimi do të përfshinte edhe vetë zotin Berisha. Që së paku do të duhej të dëshmonte të vërtetën e tij për atë 28 maj tragjik tiranas.
 
Humnera 97’


Ka qenë padyshim viti më i rëndë për ish-Presidentin Berisha. Kush vjen nga shpata, nga shpata do të shkojë, aksioma e hershme në rastin e tij modernizohej: kush vinte me kallashnikov, nga kallashnikovët do të ikte. U rizgjodh në tre mars 1997 për mandatin e dytë presidencial, por brenda një jave negocioi me opozitën mundësinë e zgjedhjeve të reja. Por ndërkaq i kishte provuar të gjitha. Deri dhe tentativën e çmendur për një sulm ushtarak të mundshëm drejt jugut të rebeluar me paramilitarë. Mijëra fakte dhe dëshmi, por fare pak prova të shkruara në letër, vërtetonin se Berisha, jo vetëm si kreu i shtetit, por dhe si individ, ishte përfshirë në veprime të paligjshme për vendosjen e ligjshmërisë në vend, sipas tij. Në vjeshtën e të njëjtit vit, i dorëhequr nga presidenca, i mbetur në opozitë, Berisha e pa veten në qendër të një hetimi penal për ngjarjet e marsit 97. Megjithatë, edhe pse i kërkuar si një nga dëshmitarët kyç të saj nga prokuroria, ai asnjëherë nuk e kapërceu portën e organit të akuzës. Një hetim parlamentar për ato ngjarje nuk mundi të tregojë diçka më shumë sesa atë që kishte provuar në kurriz çdo shqiptar: tmerri i kishte ardhur nga politika dhe në qendër të asaj politike primitive, kishte qenë zoti Berisha.
 
Vrasja e Hajdarit


Për ta vënë në kontekst kohor historinë e vjetër; në fund të verës së vitit 1998, PS e PD ishin pranë arritjes së një kompromisi për të qenë bashkëhartuese të kushtetutës së re të vendit. Dy bashkëkryetarët e tij, i ndjeri Sabri Godo dhe Arben Imami kishin firmosur ftesat zyrtare për opozitën dhe gjithçka dukej si një akt formal. Por pikërisht në atë kohë, prokuroria arreston gjashtë personazhe të dorës së dytë të opozitës për rolin e tyre në ngjarjen e 97-ës. Akuza, genocid. Gjithçka që dukej se po shkonte në normalitet, u rrokullis me shpejtësi në kaos. PD nisi protestat dhe hyri në muajin e parë të vjeshtës 98’, më agresive se kurrë. Në datën 12 shtator, përpara selisë së PD-së ekzekutohet deputeti Azem Hajdari. Berisha akuzon kryeministrin e kohës Fatos Nano dhe kreun e kuvendit Skënder Gjinushi si frymëzues dhe ekzekutorë të krimit. Dy ditë më pas, Tirana, bulevardi kryesor i saj, kryeministria, kryesia e kuvendit, RTSH pushtohen nga demonstruesit e opozitës. Një grusht i pastër shteti që u mbyll vetëm nga presioni ndërkombëtar. Dy hetime paralele, vrasja e deputetit dhe grushti i shtetit, kërkonin me ngulm kryedëshmitarin Sali Berisha. Por edhe pse prokuroria firmoste letra mbas letrash, Berisha thjesht injoronte kërcënimin se mund të shoqërohej edhe forcërisht në organin e akuzës. Nën një regji të huaj ai pranoi të japë versionin e tij të dëshmisë për vrasjen e Hajdarit në ambasadën amerikane. Edhe pse e premtonte solemnisht që me riadhjen e tij në pushtet, ajo dosje do të rihapej dhe ai do të dëshmonte, një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë.  Berisha refuzoi të dëshmonte dhe për ngjarjet e 14 shtatorit, i mbyllur në një dynym tokë tek selia e partisë së tij, i rrethuar nga besnikë të verbër dhe në një ndërtesë që ngjante si shtet më vetë paralel, larg autoritetit qëndror të shtetit.
 
Ka një herë të parë gjithmonë


Dhe ajo që nuk ndodhi mbas ngjarjeve tragjike të 1997-ës, do të ndodhte në fund të vitit 2000. Në 29 nëntor të atij viti, komisariati i policisë së Bajram Currit u sulmua nga një turmë e zemëruar. Pati një të vrarë dhe disa të plagosur aty, por ngjarjet u përshkallëzuan sidomos në Tiranë. Në orët e para pas mesnatës, Sali Berisha dhe shoqëruesit e tij ndalohen nga policia dhe shoqërohen forcërisht në drejtorinë e policisë. U krijua ideja se për njeriun që kishte dominuar skenën politike të vendit, hesapi i fundit i tij do të ishte me të ftohtin e nëntorit. Por bohçja me rroba të trasha që i dërguan në polici, nuk u hap sepse në mëngjez ai rifitoi lirinë e tij. Hetimi për ngjarjen e Tropojës kishte një nevojë të padiskutueshme për dëshminë e Doktorit, por ai edhe kësaj rradhe nuk e pa të udhës që të dilte përpara organit të akuzës. 
 
Gërdeci


Ka një detaj të pandryshueshëm në karrierën fantastike të zotit Berisha: gjithmonë ai ka dashur të japë përshtypjen se di gjithçka ndodh në këtë vend. Aq sa për kundërshtarët e tij është shndërruar gati-gati në fobi syri vigjilent i Doktorit. Por ishte një rast kur zoti Berisha u fsheh pikërisht mbas “padijenisë” së tij. Menjëherë mbas shpërthimit tragjik në Gërdec ai pretendoi se ishte hera e parë që e dëgjonte emrin e atij fshati dhe se nuk kishte asnjë dijeni se çfarë ndodhte aty. Mohoi madje edhe një të afërm që humbi jetën në Gërdec. Një hetim penal për çështjen u njoh me vështirësi të panumërta, që nisnin që me kompleksitetin e pazakontë të ngjarjes dhe përmasën e jashtëzakonshme tragjike të saj, do të kishte nevojë për kryedëshmitarin e rradhës. Ai ishte kryeministri i kohës, Sali Berisha. Por përfshirja e të afërmve të tij në tragjedi bëri që ai të bllokojë me çdo kusht dhe çmim hetimin. Për një kohë të papërcaktuar ai refuzonte të vinte në dispozicion të prokurorisë transkriptet e dy mbledhjeve të qeverisë që dhanë lejen për demontim në Gërdec, sa për të dhënë një shembull. Ndërsa për marrjen e dëshmisë së tij në prokurori, as që nuk bëhej fjalë.
 
21 Janari


Demonstrata po mbyllej me afrimin e muzgut. Përplasjet e forta të një pjese të qytetarëve me policinë kishin mbaruar kur garda e republikës e ndoshta edhe civilë të paidentifikuar andej gardhit të kryeministrisë, hapën zjarr me armë automatike kundër turmës. Reazultati, katër të vrarë dhe mbi 30 vetë të pagosur. Sali Berisha bën tentativën e parë për t’i faturuar ato vrasje tek vetë demonstruesit dhe më pas, mbasi i bie ky variant, shpik historinë e grushtit të shtetit. Vë nën një presioon të paimagjinueshëm prokurorinë, institucionin e presidentit të republikës dhe vetë opozitën. Kundërshton deri dhe veprimet normale proceduriale të prokurorisë në mbledhjen e provave. Ndikon në teatrin e veprës penale, prish dhe manipulon prova, kundërshton urdhërat e prokurorëve. Sërish në hetimin penal duhet të ishte personazhi kyç që do të duhej së paku të dëshmonte. Nuk ndodhi kurrë. Në të kundërt, ndërtoi një trupë paralele hetimi në Parlament që e quajti komision hetimor.
 
Epilogu që është larg


Për herë të parë, me cilësinë e dëshmitarit që mund të ketë dijeni për rrethana të dobishme të çështjes, zoti Berisha shkoi këtë javë në prokurori. Mund ta kishte bërë që në kohën e shpërthimit të bombës tek supermarketi i VEFA-s, për shembull, 20 vjet më parë apo kur deklaronte se njihte vrasësit e një zyrtari të lartë të burgjeve. Duhej ta bënte në një numër gati të pafundëm çështjesh penale që kanë ndodhur në Shqipërinë e dy dekadave të fundit. Që kur thotë se ka dijeni për autorët e disa vrasjeve mafioze, që kur pretendon se di se kush ishte pronari i skafeve të vdekjes në Adriatik, kur pohonte se Nano ishte padrino i trafikut të drogës në Shqipëri e kështu me rradhë.


E bëri kësaj rradhe, kur deklaroi se kishte dijeni që prej së paku tre muajsh se po përgatitej një atentat kundër jetës së dy deputetëve, Doshi dhe Fufi. Dhe se porositësi i krimit ishte kryetari i kuvendit Ilir Meta. Por kësaj rradhe presioni i fortë bëri të vetën edhe për të: ju kujtua se ai do të duhej ta denonconte krimin që ishte në pritje të ndodhte. Gjë që ai nuk e kishte bërë. Madje as duke vënë në dijeni deputetin e partisë së tij se po i kërcënohej jeta. Por tashmë asgjë nga këto nuk ka më rëndësi. E rëndësishme është që tabuja po thyhet dhe se me ndrojtje, me shumë vështirësi dhe vonesë, së paku në formë, Shqipëria politike prodhoi një lajm  të mirë: ndarjen e pushteteve dhe rivitalizimin e prokurorisë në të drejtën e saj kushtetuese si organ i akuzës. Edhe pse, vetë prokuroria, në një shtet normal do të duhej të ishte nën akuzë. Por kjo është një çështje tjetër, Shqipëria po bëhet shtet normal, por ende nuk është i tillë kur të vërtetat të thuhen deri në fund.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama