Romanca që filloi në spitalin ku doktor Khan ushtronte profesionin e tij, do të përfundonte vetëm pak kohë para se Diana dhe Dodi al Fajed të humbnin jetën në aksidentin tragjik, ditën e fundit të gushtit në tunelin e Parisit. Për më shumë se një dekadë, ai preferoi të mos fliste asnjë fjalë, duke "injoruar" hapur teoritë e ashpra, madje dhe për ato që janë thënë për jetën e tyre së bashku. Por tani, në një nga javët më domethënëse në hetimin gjyqësor mbi vdekjen e Dianës, një nga njerëzit më të dashur për princeshën e Uellsit, ka folur publikisht për lidhjen e tyre gati dyvjeçare dhe për dhimbjen që ai akoma ndien për humbjen e saj.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për mediat britanike, Hasnat Khan tregon se dëshiron të korrigjojë informacionin e gabuar mbi atë që kishin shkruar mediat se ai mund të jetë personi i vetëm që mund të japë prova mbi vdekjen e Dianës. Kirurgu i zemrës tregon se që nga vdekja e "dashurisë së tij" ka luftuar për të hedhur poshtë të gjitha akuzat dhe teoritë e padrejta që kanë hedhur baltë mbi kujtimin e princeshës. "Kur kthehem dhjetë vjet para ndihem shumë keq. Ato kanë qenë vërtet kohë të vështira për mua. Edhe pse jam përpjekur t‘i harroj, por nuk kam mundur". Martesa e tij me një grua afgane, e kryer sipas zakoneve të vendit të tij të lindjes në Pakistan, përfundoi brenda më pak se dy vjetësh. Është vërtet e çuditshme, por duket se ai ndihet i lirë të kthehet pas në kohë për të kujtuar dy vitet e mrekullueshme të kaluara me Dianën, e cila shpesh e thërriste "Mr. Beautiful". Hasnat Khan nuk është një burrë që flet shumë, por fjalët e tij janë plot dashuri dhe respekt të thellë, që duket se nuk janë zbehur aspak nga kalimi i kohës. Duke i zgjedhur me kujdes fjalët që kërkon të thotë, ai nis të tregojë: "Diana ishte një njeri i jashtëzakonshëm, me cilësi për t‘u pasur zili". Khan ka zgjedhur të flasë tani, më shumë se dhjetë vjet pas vdekjes së princeshës, ndoshta për të thënë më shumë të vërteta dhe gjëra me vlerë, në një kohë kur hetimet mbi vdekjen e saj kanë arritur në një pikë delikate. Në të vërtetë, në seancën gjyqësore me dëshmitar Paul Burrel, maxhordomi që kishte punuar rreth dhjetë vjet përkrah Dianës, u thanë shumë gjëra mbi lidhjen e Dianës me kardiologun e famshëm.
Pikërisht nga garazhi i makinës së zotit Burrells, zoti Khan arriti të hynte në "Kensington Palace", gjatë romancës sekrete të çiftit. Madje, atij princesha i kishte ngarkuar detyrën që të gjente një prift, i cili mund ta kurorëzonte me martesë lidhjen e tyre. Burrell, 48 vjeç, kishte ardhur nga Florida për të dëshmuar se mund të tregonte vetëm një pjesë të sekreteve të saj, sepse ai është betuar se do t‘i marrë me vete në varr sekretet më të mëdha të Dianës. Zoti Khan refuzon të flasë me detaje rreth lidhjes së tyre dhe as me ato që thuhen në media për të dashurit e panumërt të Dianës. "Jam besnik ndaj saj, jo sepse ishte një princeshë, por sepse kështu jam unë. Edhe ndaj miqve të mi jam besnik. Përse duhet të them gjëra që publiku nuk duhet t‘i dijë", vazhdon ai. "Edhe ato që nuk janë të vërteta dhe bëhen të tilla, sepse vetë personi nuk është aty që t‘i mohojë apo t‘i pranojë se nuk kanë ndodhur kurrë. Personalisht, nëse do të kisha diçka për të thënë për të do ta kisha bërë para 1997-ës, kur ajo mund të më përgjigjej. Kjo është edhe arsyeja që nuk mund të bëj asnjë koment për të".
Por, ajo çka duket qartë, është se kirurgu, që u largua nga Britania tetorin e kaluar dhe vendosi të qëndronte me të afërmit e tij në shtëpinë në Jhelum në jug të Islamabadit, ka luftuar shumë për të kaluar humbjet dhe dhimbjet e tij në jetë. Këto ditë, doktor Khan e kalon pjesën më të madhe të kohës në punë si kirurg zemre në spitalin e Kuala Lampurit. Doktori flet me rezerva edhe për prishjen e martesës së tij fare të shkurtër me Hadia Sher Ali-n, vajzën 29-vjeçare, bijë e një familjeje fisnike afgane, me të cilën kishte lidhur kurorë në një ceremoni madhështore rreth 18 muaj para ndarjes. "Ishin të shumta arsyet që na çuan drejt divorcit. Kjo është e gjitha ajo që mund të them". Doktori akoma flet me një dashuri të madhe për Dianën dhe me një admirim të madh për punën e saj me të sëmurët, të varfrit, njerëzit në nevojë dhe pa të drejta. "Ajo bëri një punë të mrekullueshme në të gjithë botën, jo vetëm në Britani, por kudo dhe kjo është shumë e rëndësishme. Bëri atë çka ishte e "prerë" të bënte. Ajo kurrë nuk e takoi apo përshëndeti popullin e vendit ku shkonte, por mundohej të bënte të pamundurën për ta. Është e vërtetë se tani që nuk është më ka lënë një boshllëk të madh dhe një zbrazëti për të gjithë ne", vazhdon më tej Khan. Për këtë arsye ai beson se edhe memoriali që kanë ngritur për të në Hajd Park, nuk është mënyra e duhur për ta nderuar kujtimin e saj. "Të krijosh një memorial nuk është mënyra më e mirë për të kujtuar një njeri si ajo. Ju i ngrini njerëzit e mëdhenj sa më lart që të jetë e mundur. Për shembull, merrni Nelson Mandelën, apo princin e Monakos. Atyre u kanë ngritur statuja që për së gjalli për atë çka ata kanë bërë për ta. Mos harroni që në Angli dhe kudo në botë Dianën të gjithë e kujtojë si Princesha e Popullit".
Doktor Khan dhe princesha Diana u takuan për herë të parë në vitin 1995, kur Diana kishte shkuar të vizitonte Joe Toffolon, bashkëshortin e mikeshës së saj të ngushtë, që kishte kryer një by-pass në zemër, nën kujdesin e doktor Kahnit. Pas kësaj vizite, Diana shkonte për vizitë në spital pothuajse çdo ditë, ku takohej edhe me doktorin simpatik, një mysliman, të cilin shumë e krahasojnë me aktorin e njohur Omar Sharif. Pikërisht nga kjo miqësi nisi të lindte një histori e papritur dashurie. Ata qëndruan së bashku dhe e mbajtën sekret lidhjen për muaj me radhë para se lajmi të merrte dhenë. Për miqtë e ngushtë dhe ata që e njihnin mirë Dianën, mendohet se kjo ka qenë lidhja më serioze e saj që nga ndarja me princin Karl tre vjet më parë. Çifti kishte gjetur edhe mënyrën për t‘u marrë vesh dhe për t‘u shpëtuar fotografëve që i rrethonin në çdo kohë. Vetëm në këtë mënyrë ata mund të takoheshin jashtë spitalit. Khan kujton me dashuri se njëherë kur Diana nuk ndihej mirë vendosi që ta çonte për t‘u argëtuar në një pab afër "Harefield Hospital", aty ku të gjithë e njihnin si profesor Magdi Yacoub. "Kjo ishte shumë argëtuese për të", tregon Khan. Në një rast tjetër ata hynë në një klub xhazi, ku Diana, e maskuar me një paruke të zezë në kokë, shkonte te bari të porosiste pijet e pashqetësuar nga paparacët. Princesha dhe doktori qëndruan së bashku në Stratfordupon- Avon, ku xhaxhai i Khan, që ishte martuar me një grua angleze, kishte një shtëpi të vetën. Në "Kensington Palace",
Diana lexonte libra mbi islamin dhe mbante një fotografi të "doktorit të saj simpatik", të cilën e mori me vete në Krishtlindjet e vitit 1996 që ata kaluan së bashku në Karaibe. Ajo takoi të afërmit e tij në shtëpinë në Pakistan, ku ajo veshi edhe veshjet tradicionale e shaminë për të respektuar zakonet e besimit të tyre fetar. "Ajo u kënaq gjithashtu në pasditen që kaluam me familjen time dhe mendoj se e pëlqeu shumë kulturën e përgjithshme të familjeve aziatike". Kur u kthyen në Londër, Diana e prezantoi doktorin pakistanez me djemtë e saj, Uilliam e Herri, dhe ajo diskutonte se si do të ishte jeta e saj si gruaja e një pakistanezi me mikeshën e saj, Jemima Khan, që ishte martuar Imran Khan - një martesë e cila më vonë përfundoi. Zoti Khan e pranon se ishte shumë e vështirë për princeshën të përballonte të gjitha presionet, gjatë kohës që ata të dy ishin të lidhur. "Ishte shumë e vështirë", tregon ai. "Kudo në botë një person kaq i famshëm është gjithmonë në qendër të debateve. Por, pavarësisht kësaj, Diana ishte një njeri normal, që e bënte shumë mirë punë e saj, rriste fëmijët dhe bënte me kujdes çdo gjë tjetër. Kjo është e vërteta". Ndërkohë që lidhja e tyre private forcohej, presionet e opinionit publik mbi romancën e tyre bëheshin gjithmonë e më të mëdha.
Khan ishte i bindur se ai nuk do të mund ta vazhdonte punën si mjek, ndërkohë që do të ishte i dashuri i princeshës, ndaj të dy filluan të mendonin për lëvizjen e tyre drejt Pakistanit dhe, pasi ranë dakord, ishte Diana ajo që ndryshoi mendim. "Princesha mendonte se po të shkonte në Pakistan do të duhej të vinte shumë shpesh në Londër për të parë fëmijët e saj dhe kjo e bënte atë të dukej një nënë e keqe në sytë e tyre", më tregoi një mikeshë e princeshës. Të dy vendosën që të shkonin të jetonin në një tjetër shtet, përfshi dhe Australinë, ku Khan kishte punuar, dhe Diana kishte përdorur miqësinë e saj me kirurgun e zemrës, Christiaan Barnard, për të parë nëse ai mund ta ndihmonte që të gjente një punë për të dashurin e saj. Në fundin e pranverës dhe fillimin e verës së vitit 1997, lidhja mes të dyve filloi të krisej. Diana donte që të shfaqej hapur dhe ta kurorëzonte martesën e saj, ndërsakirurgu kishte frikë nga ajo që mund të ndodhte nëse bëhej diçka e tillë. Fundi nuk ishte i papritur, por me tepër pasoja për dy njerëz me dy bekgraunde dhe kultura të ndryshme. Por, pavarësisht se Khan nuk dëshiron të tregojë arsyen e vërtetë të prishjes së lidhjes mes tyre, ai pranon se e ka dashur vërtet dhe se ajo ka qenë një nga njerëzit më të shtrenjtë për të. Doktor Khan thotë se nuk ishte në dijeni për fluturimin e saj me Dodin në Paris në verën e vitit 1997, deri sa ai u publikua në media. Gjatë korrikut dhe gushtit ata ishin takuar edhe dy herë të tjera, një herë në Battersea Park dhe një herë tjetër në "Kensington Palace". Për sa i përket vdekjes së saj, kirurgu i talentuar mund të thotë vetëm kaq: "Ishte shumë e rëndë për mua kur e mora vesh, vërtet e tmerrshme dhe një nga çastet më të vështira të jetës". Sot, për dashurinë më të madhe të jetës së tij, zoti Khan thotë vetëm kaq: "Të gjithë kemi mangësitë tona, por ajo ishte një njeri i zakonshëm, me shumë cilësi të mira, sigurisht me plot të meta, ashtu siç jemi të gjithë".
Doktori i nderuar në çdo moment refuzon të flasë me detaje për kohën e kaluar me të. "Gjithmonë ka pasur njerëz që më kanë thënë se përse nuk i kam shkruar të gjitha kujtimet e mia. Por nuk është kjo ajo që dua të bëj... Nuk është kjo rruga ime". Ai pranon se shpesh është mërzitur edhe nga ajo që është thënë për lidhjen e tyre. "Të gjitha ato gjëra janë shkruar nga njerëz që as mua, as Dianën nuk na kanë njohur aq sa duhet". Më pas ai kujton edhe se si interesi i madh i medias ndërhynte në punën e tij. "Gazetarët më merrnin në telefon çdo sekondë në spital. Kjo ishte vërtet e padurueshme". Tashmë që është kthyer në shtëpinë e tij në Pakistan, Hasnat Khan ndihet vërtet i lirë. "Në Britani nuk ndodh kështu. Kudo që të shkosh media të ndjek pas si hije. Këtu nuk është kështu dhe për mua është një lehtësim shumë i madh". Khan tregon se nuk ka dëshirë të jetë i pranishëm për të dëshmuar në gjyqin që po zhvillohet në Londër, madje ai është lajmëruar nga avokatët e tij, se meqenëse jeton jashtë Britanisë nuk është i detyruar që të shkojë. Ai ka rënë dakord që raporti që ai dha në hetimin e "Lord Stevens" për vdekjen e Dianës do të lexohet përpara jurisë. "Nëse është brenda rregullave për një mjek ligjor që të më pyesë mua, atëherë do të jem i pranishëm", vazhdon më tej. "Megjithatë, ajo që unë kam thënë nuk ka të bëjë me faktin se unë nuk mund të jem aty pasi jam larg Londrës. Do të veproj sipas udhëzimeve të avokatëve të mi. Do të veproj ekzaktësisht ashtu siç e kërkon ligji. Nëse avokatët më thonë se duhet të shkoj, do të shkoj patjetër. Nuk kam asgjë për të shtuar". Nga shtëpia e tij, zoti Khan nuk ka preferuar të flasë mbi dëshmitarët, që në çështjen gjyqësore mbi hetimin e vdekjes së Dianës kanë nxjerrë edhe emrin e tij. Aktualisht, dëshira e tij është që gjithçka të marrë fund dhe të qartësohet. "Për të mirën e të gjithëve kjo çështje duhet të marrë fund sa më shpejt. Megjithatë, i takon drejtësisë që të vendosë". Por, pavarësisht asaj që tregoi doktor Khan, u tregua shumë i rezervuar në atë që tha. Ndoshta një ditë ai do të tregojë gjithçka dhe gjithë bota do të marrë vesh çdo detaj në lidhje me dy vitet e jashtëzakonshme që ai kaloi me princeshën e bukur të Uellsit.
Marre nga : Gazeta Shqip