Nëse problemi i apartamentit tuaj është ai i një dhome ndenjeje, i cili nuk është i ekspozuar nga dielli në mëngjes (apo pasdite), apo ai i të qenit të lodhur nga panorama e njëjtë e dhomës suaj të gjumit, atëherë ideja e arkitektit David Fisher (i lindur në Tel Aviv) mund t‘ju duket vërtet interesante: "Rotating Tower". Në të vërtetë, bëhet fjalë për një grataçielë, ku çdo kat është i pavarur nga ai i sipërmi apo i poshtmi dhe është në gjendje të rrotullohet rreth vetvetes. Mund t‘ju duket çudi, por ekzemplari i parë do të ndërtohet në Dubai, në Emiratet Arabe. Punimet do të nisin mes fundit të vitit 2007 e fillimit të 2008-ës dhe do të përfundojnë rreth vitit 2009. Një strukturë aveneristike, e cila mund të ndryshojë formë në çdo moment. Secili kat do të rrotullohet rreth një shtylle qendrore, e vetmja pjesë e kullës që do të ndërtohet në vend. Kur të ketë përfunduar, kulla do të ketë 68 kate, një lartësi prej 313 metrash dhe çdo kat do të ketë një sipërfaqe prej 1700 metrash katrorë. Faktikisht, "Rotating Tower" do të jetë sinonim i luksit. Përveç disa zyrave, brenda tij do të ketë një hotel me gjashtë yje, restorante, palestra, dyqane, apartamente të ndryshme dhe në katet më të larta pesë vila (secila do të ketë një sipërfaqe prej 1500 metrash katrorë) me kopsht dhe pishinë.
Çdo banesë do të ketë një garazh të vetin dhe "pronarët" e vilave do të kenë mundësinë për t‘u kthyer në shtëpi me helikopter, meqenëse "Rotating Tower" do të jetë me një pistë, e cila do të vendoset në katin e 64-t të saj. Shpejtësia e rrotullimit në çdo kat do të jetë dy-tri xhiro komplete në orë. Ata që do të vendosin për kohën dhe mënyrat e rrotullimit të saj do të jenë banorët e kateve vetëm me një apartament, ndërsa për të tjerët, rrotullimi do të vendoset në kontratën e blerjes (ose të marrjes me qira) të shtëpisë apo zyrës. "Ndërtesa do të jetë më shumë rezistente se ndërtesat e tjera tradicionale", shpjegon David Fisher, ideatori për ndërtimin e një pallati që rrotullohet. "Duke ndërtuar një strukturë që bazohet në një element të vetëm (shtylla qendrore), kulla do të jetë shumë fleksible, për shembull në rast të tërmeteve mund të lëkundet më shumë në krahasim me një strukturë klasike, e ndërtuar me më shumë trarë dhe lidhje që përfaqësojnë pikat kritike gjatë një lëkundjeje toke". Risitë e kësaj grataçiele, e cila do të kushtojë rreth 350 milionë dollarë (260 milionë euro) nuk kanë të bëjnë vetëm me mundësinë e ndërtesës për t‘u rrotulluar apo me strukturën më rezistente.
"Rotating Tower" është në të vërtetë edhe një central elektrik dhe mund të përballojë kërkesat energjetike jo vetëm të vetes, por edhe të ndërtesave të tjera afër saj (mendohet se do të jenë dhjetë të tilla), ja se si: nga një kat në tjetrin, duke nisur që nga kati i dhjetë e lart, do të ketë 48 turbina me erë. Çdo turbinë e vendosur në një pozicion të pazakontë horizontal (dhe jo vertikal) që të nisë punën do të ketë nevojë për një erë, e cila fryn të paktën me një shpejtësi prej dhjetë kilometrash në orë. Një problem që për Dubain thuajse nuk ekziston, pasi aty shpejtësia mesatare e erës është rreth 16 kilometra në orë. Po ashtu, projektuesit thonë se kanë menduar për të shmangur edhe problemin kryesor, që mund të "shkaktojë" prodhimi i energjisë me erë, zhurmën e turbinave. "Janë projektuar në mënyrë të tillë që të sigurojnë rendimentin më të mirë dhe në të njëjtën kohë të reduktojnë ndjeshëm zhurmën".
Secila turbinë do të prodhojë çdo orë rreth 0.3 megavat në krahasim me 1 - 1.5 që prodhojnë turbinat klasike, ato vertikale. Por, nëse do të bënim një llogaritje të thjeshtë, do të thoshim se era e nevojshme për t‘i vënë në veprim fryn përreth 4 mijë orë në vit dhe mund të arrihet një prodhim energjie rreth 1200 megavat çdo 12 muaj. Megjithatë, një familje konsumon mesatarisht rreth 24 megavat në vit, çdo turbinë mund të furnizojë me energji 50 familje, kështu për të plotësuar të gjitha nevojat energjetike të grataçielës që do të ketë rreth 200 familje mjaftojnë vetëm katër turbina. Po 44 të tjerat? Edhe këtu është menduar për një sistem ekologjik. I gjithë elektriciteti i prodhuar nuk do të "qëndrojë" në grataçielë, por do të futet në rrjetin elektrik, duke furnizuar me energji të pastër lagjet që do të jetë afër ndërtesës. Megjithatë, jo vetëm energji me erë. Në çatitë e çdo kati do të instalohen impiante të tilla, në gjendje që ta shndërrojnë energjinë e diellit në elektricitet. "Struktura e kësaj kulle, e karakterizuar nga çdo kat i ‘pavarur‘ dhe me një çati të vetën, rrit sipërfaqen e destinuar për panele diellore dhjetë herë në krahasim me një pallat me përmasa të tilla, por tradicional", vazhdon Fisher. Në këtë mënyrë, e gjithë energjia, ajo me erë dhe ajo diellore e prodhuar nga "Rotating Tower" do të ketë një vlerë vjetore prej 7 milionë eurosh. Për momentin, çmimet e apartamenteve nuk janë vendosur akoma.
Edhe pse është e lehtë ta imagjinosh se për të jetuar në një strukturë të tillë superluksoze çmimet duhet të jenë stratosferike, Fisher nënvizon se nuk është e thënë që çmimet të jenë të tilla: "Të realizosh një ndërtesë të tillë vërtet kushton 25 për qind më shumë se mesatarja, por kjo nuk do të thotë se çmimet do të jenë të papërballueshme", përfundon ai. Por, fati i "Rotating Tower" nuk është ai për të ngelur i "gjunjëzuar" në Emiratet Arabe. Të paktën kjo është ajo që shpreson Fisher dhe bashkëpunëtorët e tij, së bashku me shoqëritë që janë pjesë e këtij projekti: "Bosch", "Viega", "Kerakoll", "Kriston" dhe "Bovis". Arkitekti shpreson se ideja mund të shtrihet edhe në vende të tjera të botës, duke e përshtatur ndërtesën me karakteristikat e qyteteve të ndryshme. Ja përse në vitet e ardhshme ekziston një projekt për të ndërtuar rreth 12 pallate "të rrotullueshme" në dhjetë kryeqytete ekonomike. Mes këtyre qyteteve padyshim që renditen Nju-Jorku, Shangai, Berlini, Hong-Kongu dhe Milano.
Marre nga : Gazeta Shqip











