Gjitonet ne celuloidin e regjizorit Pluton Vasi

Gjitonët

Një grup fëmijësh shqiptarë dhe minoritarë grekë luajnë së bashku hareshëm dhe plot dëshirë në një shesh në qytetin e Gjirokastrës. Është kjo ndër skenat e shumta të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe minoritetit grek në zonën e Gjirokastrës, të cilat përcillen në filmin dokumentar "Gjitonët" më skenar të Arjan Dodbibës dhe regji të Pluton Vasit. Grupi realizues, pjesë e të cilit janë edhe operatori Ardian Kamberi dhe operatori i zërit Bardhyl Xhani, ka përfunduar këto ditë në Gjirokastër realizimin e filmimeve të fundit.
Dokumentari ka në qendër elementët e bashkëjetësesës dhe pikat e përbashkëta mes shqiptarëve në zonën e Gjirokastrës dhe minoritarëve greke kryesisht në ritualin e dasmës, konceptimin arkitektonik dhe ndërtimor, këngen polifonike etj. Dokumentari realizohet me ndihmën e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Tiranë,kompanive AMC dhe "Mabetekst" si dhe pushtetit vendor në zonën e Dropullit.

Dokumentari i bashkëjetesës
"Në qendër të dokumentarit është bashkëjetesa midis banorëve të Gjirokastrës, kryesisht komunitetit mysliman dhe minoritetit grek", thotë skenaristi Arjan Dodbiba. Mbi bazën e kësaj bashkëjetese, mes elementëve të shumanshëm të saj, realizuesit e dokumentarit kanë zgjedhur ritualin e dasmës. "Ne, vijon skenaristi Dodbiba, kemi zgjedhur dasmën si modeli më i mirë i bashkjetesës, duke qenë dasma pikërisht ajo që i afron, i bashkon njerëzit, shembulli i mirësisë së jetës, i gëzimit, i vazhdimësisë së jetës". Për skenaristin e dokumentarit " dasma përmbledh gjithçka pavërisisht nga përkatësitë etnike, pavarësisht nga fetë dhe një shëmbull të mirë për këtë gjë përbën rituali i dasmës në luginën e Drinosit, pra në Gjirokastër dhe Dropull". Për të qenë sa më afër elementëve realë realizuesit e dokumentarit "Gjitonët" kanë hulumtuar në elementët historik, arkivor, etnokulturor të zonës. "Gjatë xhirimeve ne e kemi parë bashkëjetesën në disa rrafshe, edhe në të kaluarën, edhe në të sotmen, duke e parë në tri breza të moshuar, një moshë e mesme dhe të rinjtë", thotë Dodbiba. Në këtë mënyrë fenomeni i bashkëjetesës është reflektuar në tri kohë të ndryshme duke qenë tri breza, respektivisht përfaqsues në tri kohë të ndryshme të zhvillimit historiko-social shqiptar. "Pra, pohon skenaristi, pjesë e dokumentarit janë tri çifte në kohë të ndryshme por gjithsesi jo tri çifte personazh por tri çifte historiko-simbolik".

Tradita etnokulturore
I gjithë ky bosht plotësohet me elementë etnokulturor, të ritualit familjar, elementë arkitektonik dhe ndërtimor jo vetëm të Gjirokastrës karakteristike por edhe të zonës së Dropullit. "Pjesë e dokumentarit është polifonia labe madje ajo ka qenë një nga nxitëset për realizimin e dokumentarit sepse duke u konsultuar me etnomuzikolog, me burime arkivore kemi zbuluar, kemi vënë rë që polifonia këndohet njëlloj, është e njëjta polifoni si për minoritarët, në dasmat e minoritarëve grek e njëjtë edhe në dasmat e gjirokastritëve pra elementi dallues është se këndohet në dy gjuhë të ndryshme. Ky është shëmbulli dhe konvencioni me i mirë i bashkëjetesës", thotë skenaristi i dokumentarit. Krahas elementëve të përbashkët të dasmës dhe këngës dokumentari veçon dhe përqasje të tjera mes komunitetit shqiptar dhe minoritarëve grekë në zonën e Gjirokastrës si respekti për festat respektive. Realizuesit e dokumentarit kanë evidentuar faktin që " të krishterët kanë respektuar Bajramin dhe myslimanët anasjelltas Pashkët apo kontribute te përbashkëta financiare në ndërtim urash ose objektesh social-kulturore në Gjirokastër".

Koncepti regjizorial i Vasit
Një ndër elementët thelbësor të realizimit të këtij dokumentari është edhe koncepti filmik i regjizorit Pluton Vasi, një ndër emrat e njohur të regjisë së dokumentarëve shqiptarë. "Vetë përmbajtja ose vetë shtysa e realizimit të dokumentarit "Gjitonët" është rituali i dasmës dhe koncepti regjizorial i tij synon për të mos rënë thjesht në etnografi", pohon regjizori Pluton Vasi. Gjatë xhirimeve të dokumentarit regjia është përpjekur të ruajë sensin e masës në raportet mes ritualit të dasmës dhe statusit social të martesave mes shqiptarëve dhe komunitetit të minoritarëve grekë në Gjirokastër.
Koncepti i ndërtimit të dokumentarit i ngjan një cirkuiti që vjen edhe shpërfaqet pak nga pak nëpërmjet gojës së një rrëfimtari që krijon idenë që ka vite dhe vite që jeton në këtë zonë duke përjetuar të gjitha ndjesitë dhe duke qenë dëshmimtar në ngjarjet që rrëfehën tek "Gjitonët". Sipas regjisorit Vasi "ky është ndër elementët e servirjes së dokumentarit duke sjellë elementin ndjesor të ngjarjes pasi dokumentarin e rrëfen një njeri i cili lëviz në të gjitha ngjarjet, në të gjitha dasmat, është dëshmimtar edhe në një provokim politik që mund të ketë ndodhur më përpara, edhe në keqkuptimin e filmit "Helena e Trojës" me thënien se vdiq trimeria greke po nuk vdiq dinakëria".
Përgjatë minutave të dokumentarit këta elementë janë të pohuara nëpërmjet intervistave të njerëzve. Elementët e dokumentarit serviren nëpërmjet njerëzve,nëpërmjet një kamarieri të vogël që është nip i një martese të tillë, çifteve që janë martuar, nëpërmjet tregëtarëve të Qafës së Pazarit duke bërë që gjithë harmonia e kësaj bashkëjetese të vijë mes ndjesive njerëzore.
Premiera e filmit dokumentar "Gjitonët" është shfaqur në qytetin e Gjirokastrës dhe zonën e Dropullit.

Shkruan Nga Gjirokastra, Blerim Kore - Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama