Gjermaneve u pelqen udhetimi me trenin shqiptar

Gjermaneve u pelqen udhetimi me trenin shqiptar

Kur dikush dëshiron të udhëtojë me tren në Shqipëri, menjëherë merr reagime të tilla si: Me atë hedhurinën e skrapit? Megjithatë, dy gazetarë gjermanë kanë bërë një udhëtim me tren në Shqipëri dhe thonë se u ka shijuar. Veronika Widmann dhe Ole Pflueger nga gazeta Zeit, përkundër habisë së gjithë shqiptarëve që takuan, vendosën të udhëtojnë nga Shkodra deri në Vlorë me tren. U nisën në mëngjes me tren nga Shkodra, ndërsa imamët bënin thirrje për lutje në minare.

“Pas gjysmë ore udhëtim, rrezet e para të diellit nisin të përkëdhelin alpet shqiptare. Dritaret janë plot me të çara, vrima e gërvishtje, por mbahen. Me ne udhëtojnë një familje e madhe, disa adoleshentë dhe ca pleq. Ndërkohë treni është mbushur plot, por vetëm ne jemi ata që e shijojmë udhëtimin. Bileta kushton 1.15 euro, një marrëveshje e mirë,” shkruajnë ata.

Në trenin e dytë për në Vlorë ka më pak pasagjerë.

“Temperatura ngrihet 30 gradë, shpejt bëhet shumë nxehtë, ca insekte na fluturojnë mbi kokë. Por sa i përket ajrit të kondicionuar, Shqipëria është një hap përpara Gjermanisë. Nuk ka ajër me temperaturë të kontrollueshme, por gjithçka është sipas metodës së vjetër: ulni dritaren dhe nxirrni kokën jashtë”.

“Edhe tualeti është pragmatik. Një vrimë e thjeshtë në dysheme- kjo pastrohet më lehtë se një banjo normale. Dhe kush është ai që nuk e ka devijuar ndonjëherë shënjestrën gjatë udhëtimit me tren”.

Udhëtimi duket se është bërë në verë, ndërkohë që shumë lexues në komentet e tyre thonë se Shqipëria është e bukur dhe ky udhëtim, pavarësisht vështirësve, u duket interesant. Shqipëria ka kohë që nuk investon në fushën e hekurudhave. Nga ish- qeveria Nano pati një tentativë të dështuar për ndërtimin e një treni elektrik nga Tirana në Durrës. Ndërkohë një ditë më parë, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, përsëriti nevojën e një hekurudhe mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Sa herë thuhet kjo!


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama