Francezet “synojne” serish kishat e Voskopojes

Francezët “synojnë” sërish kishat e Voskopojës


Voskopoja dhe trashëgimia e çmuar kulturore që gjendet në të, edhe këtë vit do të mbeten në qendër të vëmendjes. E njohur për kishat e veçanta, afresket dhe ikonat që mbajnë për autor piktorë të njohur si David Selenica apo vëllezërit Zografi, Voskopoja është bërë pjesë e mbrojtjes së fondacionit të njohur francez "Trashëgimi pa kufi". Kjo organizatë e cila synon ruajtjen dhe rindërtimin e monumenteve të rralla kulturore në të gjithë botën, në Shqipëri është përqendruar në Voskopojë. Në një mbledhje shkencore që është zhvilluar në Paris, anëtarët e saj kanë vendosur që në vazhdim të vitit 2007 të ndërhyjnë në një tjetër kishë të rrezikuar të Voskopojës. Ajo është kisha Shën Ilia, e ndërtuar rreth vitit 1751, periudhë që përkon edhe me lulëzimin që pati kjo qendër. Gjatë vitit që shkoi, studiues arti dhe restaurues kanë punuar mbi pikturat murale të kishës së njohur të Shën Thanasit. Afresket dhe ikonat e saj kanë për autor vëllezërit Zografi. Kjo kishë ka qenë vazhdimisht e dëmtuar nga vjedhje që janë bërë në të. Vetëm një muaj më parë është shënuar vjedhja tjetër, që ka pasur si synim kornizën e mbetur të ikonostasit të gdhendur në dru dhe të lyer në ar. Megjithatë, fondacioni francez ka vendosur të vazhdojë punën për ruajtjen e vlerave të tyre artistike. Pas një mbledhje shkencore të mbajtur në Paris, fondacioni ka vendosur që ndërhyrjet restauruese do të vazhdojnë në kishën Elie. Në këtë mbledhje shkencore të drejtuar nga Simona Sajeva, inxhinierja e cila ka hartuar planin dhe me pjesëmarrjen e specialistëve shqiptarë, Gëzim Hoxha dhe Kozeta Anjeliu, të cilët mbikëqyrin punimet si pjesa e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë, institucion me të cilin ky fondacion ka disa vite që bashkëpunon. Pas analizës së punës që është bërë dhe asaj që do të bëhet, organizatorët janë shprehur se kisha mbi të cilën do të ndërhyjnë ndodhet në një gjendje të degraduar dhe rrezikon të shembet. Sipas tyre, interesi i saj në aspektin artistik qëndron kryesisht në tavanin prej druri të gdhendur me dekor dhe në pajisjen origjinale që siguron akustiken, e cila përbehet nga copa balte të pjekura të vendosura në mure.
Përpara se projekti i hartuar nga "Trashëgimi pa kufi" të prekë restaurimet murale të kishës Shën Ilia, do të punohet për sigurimin e ndërtesës, në mënyrë që ajo të mos degradohet më tej. Kjo do të përfshijë studime të mjedisit, lagështirës etj. I ftuar në këtë mbledhje shkencore ka qenë edhe specialisti Pierre Cabanes, themeluesi i misionit francez në Shqipëri, i cili është shprehur i shqetësuar për vonesën e punimeve. Kjo ndërhyrje paraprake mundësohet si rezultat i fondeve të akorduara nga Fondacioni Getty. Fondi që kap shifrën prej 750 mijë dollarëve do të përdoret për të ndërhyrë në Voskopojë, një qendër e cila që prej vitit 2002 renditet në listën e 100 monumenteve më të rrezikuara të botës të hartuar nga Words Monuments Fund (Fondi i monumenteve botërore). Prej kohësh është hedhur alarmi që i kanoset Voskopojës dhe kësisoj, vlerave kulturore që ajo mbart. Përveç degradimit të kishave të shumta dhe në këtë rast të dëshmisë së vlera artistike dhe të kultit që ato mbartin nga ndikimi i kushteve atmosferike dhe mosndërhyrjet në to, ato rrezikohen vazhdimisht edhe nga grabitjet. Për shumë kohë me radhë asnjëra prej tyre nuk ruhet. Kjo i bën të ekspozueshme për të gjithë, edhe ndaj atyre që kanë qëllime përfitimi. Jo rrallë janë denoncuar raste të vjedhjes së këtyre kishave, duke synuar kryesisht në ikonostaset e tyre. Qëllimi është shitja e këtyre objekteve në treg të zi, duke përfituar një shumë të majme dhe duke shkatërruar një vlerë të papërsëritshme.

Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama