Francezet blejne libra libra te vertete!

Francezet blejne libra, libra te vertete!

Vlerësimet e një gazetareje amerikane mbi përvojat e saj në tregun francez të librit. Përse Franca ndryshon nga Amerika në këtë aspekt dhe cilat janë rreziqet e botës globale dhe fenomenit “Amazon”, për tregun e librit?



Një nga gjërat më të habitshme të të qenët i huaj në Francë është se rrallë ndokush në pjesën e mbetur të botës, e di se çfarë ndodh këtu. Ata mendojnë se Parisi është një muze social, ku njerëzit janë jashtëzakonisht të mësuar me të ngrënët e ndonjë copëze të vogël çokollatë dhe shallet e lidhur këndshëm në qafë. Në fakt, francezët zotërojnë të gjitha idetë e vlefshme edhe për çështje “të mëdha”. Kjo më ndodhi ta konstatoja kohët e fundit, kur po sodisja nëpër lagjen time me karakter muzeor në Parisin Qendror, dhe vura re se aty kishte — vë bast se ju nuk e dinit — shtatë librari brenda një xhiroje 10-minutëshe, në një shëtitje që bëra nga apartamenti im. E marrim të mirëqenë se unë jetoj në një zonë librarish. Por megjithatë: a mos dinë diçka më shumë francezët rreth biznesit të librit, që amerikanët nuk e dinë?

Unë isha duke numëruar dyqanet e librarive, për shkak të lajmit se “Amazon” ka vonuar apo stopuar shpërndarjen e disa librave, për shkak të debateve që kanë lindur mes saj dhe shtëpinë botuese “Hachette”. Kjo solli një ulje me 41 për qind të librave të rinj të shitur nga “Amazon” në Amerikë dhe 65 për qind të librave të rinj të shitur online në përgjithësi. Për pak hapa shëtitje dhe komoditetit të të blerit nga krevati, ne paskemi lënë pas dore një pasuri të vërtetë natyrore — librat e kombit tonë — në dorë të një miliarderi me një diplomë në shkencat inxhinierike?

Franca, ndërkohë, ka kaluar në Parlament thjesht një ligj të ashtuquajtur ligji “anti-Amazon”, i cili thotë se shitësit online nuk mund të ofrojnë shpërndarje pa kosto për librat e zhvlerësuar d.m.th. me çmim të ulur. (“nuk është as djathë e as ëmbëlsirë, e as të dyja bashkë”, – shpjegoi një komentator francez).

 

Ligji “Lang” dhe “biblio-diversiteti”

Masat e reja janë pjesë e përpjekjeve të Francës për të promovuar “biblio-diversitetin” dhe për të ndihmuar libraritë e pavarura që të garojnë ndershmërisht dhe me fitim. Këtu, nuk ka shitës të mëdhenj librash me fuqinë që papritur të heqin spinën të bllokojnë tregun. Njerëzit në këtë industri vlerësojnë se Amazon ka një pjesë prej 10 apo 12 përqindësh në tregun e librave në Francë. “Amazon”, në vijimësi trajton 70 për qind të shitjeve online, por vetëm 18 për qind të librave shiten online.

Sekreti francez është thellësisht joamerikan: libra me çmime fikse. Ligji “Lang” i vitit 1981, i emëruar sipas emrit të ish-ministrit të Kulturës, Jack Lang, thotë se asnjë shitës nuk mund të fitojë më shumë se 5 për qind nga çmimi tavan i librave të rinj. Kjo do të thotë se një libër kushton më shumë apo më pak se e njëjta vlerë që ka, kudo që ta blesh ti atë, në Francë apo gjetkë, madje edhe online. Ligji “Lang” u hartua për t’u siguruar që Franca të vazhdojë të ketë libra të ndryshëm, shtëpi botuese e shitës librash. Çmimet fikse të librave mund të duken shokuese për amerikanët, por e njëjta gjë ndodh thuajse në shumicën e vendeve të botës, për të njëjtën arsye. Në Gjermani, shitësit nuk lejohet të ulin çmimet e librave, thuajse fare. Gjashtë nga vendet më të mëdha në listën e librave të shitur — Gjermania, Japonia, Franca, Italia, Spanja dhe Koreja e Jugut — kanë versione të çmimeve fikse të librave. Libraritë franceze po luftojnë edhe me ndihmën e shtetit. Xavier Moni, bashkëpronar i “Comme Un Roman in Paris”, thotë se ai mund t’ia dalë të japë 5 për qind vetëm në çdo 10 shitje. Më shumë e rëndësishme se sa shpërndarja pa kosto, ai dhe të tjerë si ai, thotë se vlen fakti se përveç operacioneve shtesë në Francë, apo kudo në Europë, ‘Amazon’ paguan taksa në Luksemburg, ku taksat e kombinuara janë efektivisht më të ulëta dhe në disa raste masivisht të shmangshme. Bashkimi Europian ka nisur një hetim ndaj taksave të “Amazon”.

 

Britania i braktisi çmimet fikse në vitet ‘90

Akoma mezi mund të dallosh një lidhje mes çmimeve fikse të librave dhe librarive të pavarura që po lulëzojnë, apo të paktën “frymojnë” akoma. Në Britani, e cila e braktisi sistemin e vet të çmimeve fikse në vitet ‘90, kanë mbetur më pak se 1,000 dyqane librarish të pavarura. Një e treta e tyre u mbyll në nëntë vitet e fundit, kur supermarketet dhe rrjeti “Amazon” uli çmimet për disa libra në një shifër prej më shumë se 50%. “Duhet të jesh më shumë se mazokist të shkosh sot në një librari në Britani të Madhe e të blesh një “bestseller”, thotë Dougal Thomson nga Shoqata Ndërkombëtare e Botuesve.

 

Libri për francezët, jo thjesht ekonomi

Ajo çka i nënshtrohet ligjit francez mbi librat, nuk është vetëm një çështje me karakter ekonomik — është gjithashtu edhe një pikëpamje për botën. Fare e thjeshtë, francezët i trajtojnë librat si diçka e veçantë. Lexuesit thonë se u besojnë librave shumë më tepër se sa mediave të tjera, përfshirë këtu edhe gazetat dhe TV. Qeveria franceze i klasifikon librat nën emërtimin “e mirë bazë”, bashkë me rrymën elektrike, bukën dhe ujin. (një miku im francez merret me bamirësi, “Librari pa kufi”, nismë, e cila u dërgon libra të mbijetuarve nga fatkeqësitë natyrore). “Ne nuk i detyrojmë francezët për të shkuar nëpër librari”, na shpjegon Vincent Montagne, kreu i Shoqatës franceze të Botuesve. “Ata shkojnë në librari, sepse ata lexojnë”.

Asnjë nga këto nuk merret si diçka e mirëqenë. Njerëzit këtu kanë menduar gjatë shekujve rreth asaj se çfarë e bën industrinë e librave tërheqëse, dhe po vështrojnë zhvillimet në Britani e Amerikë, si rrëfime paralajmëruese.

 

Monopoli, ai që tremb

“Ne nuk shesim patate”, tha zoti Montagne. “Ka pra edhe ide në libra. Kjo është paksa e rrezikshme. Sepse në ditën që ti ke një shitës të madh që shet 80 për qind të librave, ai është dikushi që do të vendosë se çfarë do të botohet, dhe çfarë jo. Kjo është ajo çka më tremb mua”. Francezët nuk po shfaqin pretendime apo idealizojnë libraritë. Ata po përpiqen të ngrenë zërin për diçka që ne e dimë edhe në Amerikë, gjithashtu. “Kur kompjuterët tuaj të vdesin, do t’i hidhni tej ata”, thotë z. Montagne nga Shoqata e Botuesve.

 

Trego raftin e librave, të them se cili je

“Por një libër mund ta ruani e mbani mend edhe pas njëzet vjetëve. Përmbajtja e një rafti librash të përcakton se kush je”. Gjëja më e rëndësishme që një raft librash më thotë mua, është se unë nuk jam franceze. Ndërsa më pëlqen të shëtis e të kundroj ato librari të vogla në lagjen time parisiene, ajo çka unë blej zakonisht atje, janë letra të bardha dhe dhurata të minutës së fundit për ditëlindjet e fëmijëve. Shitësit online janë një dhuratë nga perëndia për emigrantët pa atdhe. Si njerëzit kudo në botë që po flasin kundër dominimit global të “Amazon”-it, edhe unë dua të shijoj “biskotën” time: opsioni për të blerë online qëndron, por kënaqësia e të shfletuarit në një librari, është edhe më e madhe. Dhe unë nuk dua të shes çdo libër për ta kuptuar si një qëndrim politik. Francezët pëlqejnë të gjejnë libra të shpërndarë me postë në dyert e tyre të shtëpisë, sipas porosive online, sikurse gjithë të tjerët, dhe ata po ia nisin të lexojnë më shumë e-books (të cilët aktualisht përbëjnë vetëm 3 për qind të të gjithë tregut të librit). Në fakt, përtej të gjitha librarive të tyre të stilit të vjetër, ata po synojnë për diçka që tingëllon paksa amerikane: zgjidhja (ata këtu e quajnë atë “équilibre” — d.m.th. balancë). Ndryshe nga ne, ata mund ta ruajnë atë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama