Dje, punëtorët e Bashkisë hodhën shtresën e fundit të betoni dhe shtruan copën e fundit të tapetit me bar sintetik tek këndi i lojrave në Parkun e Liqenit. Sot, kryebashkiaku Veliaj e inaguroi këndin e Lojrave të shumë reklamuar.
Tapeti prej plastike jeshile, si i vetmi mjet për të mbuluar betonin e tepërt është velloja e mëshirës e cila shtrihet për të mbuluar varrin e një ëndrre, një mashtrim, që për disa vite me rradhë ka tërhequr një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare.
Nën atë vello mëshire është varrosur shpresa e qytetarëve, të cilët duke zgjedhur një lider të ri politik, i cili premtonte rilindjen e Shqipërisë, rikthimin e ligjit, të ligjshmërisë, të normalitetit, për një vend të vogël me histori të trazuar, ndoshta më i varfër se të tjerët, por ndoshta me një të ardhme dhe një dinjitet si gjithë të tjerët.
Mirëpo nuk ndodhi kështu, po ta shikojmë me kujdes nuk mund të funksiononte, nuk mund të mjaftonte vetëm dëshira; nuk mund të mjaftonte vetëm propozimi i një personazhi kontrovers, apo trillimi i një "shoqërie civile". Diçka tjetër duhej, duhej e vërteta; ndërgjegjësimi i rrugës së vështirë që duhej ndjekur; dhe sigurisht ndërgjegjësimi i rrezikut të lindur nga mediokriteti i qënies njërëzore.
E për ta zbuluar mjaftoi t'i shqyeje maskën të vetëquajturve të rafinuar të cilët u ofruan si udhëheqës dhe kjo maskë u gris nga një grup i vogël të rinjsh, ndoshta jo me qëllim, të cilët gjetën tek Parku motivin që ia vlen për të luftuar në mbrojtje të betonizimit të parkut.
Nuk ishin dakort, nuk besonin më tek premtimet e dhurura me shumë lehtësi në fushata elektorale, e sapo dëgjuan për betonizimin u mblodhën nën një ulli dhe për 77 ditë protestuan dhe u ankuan për padrejtësinë e pësuar, nga ata por edhe nga të tërë.
Pa mandate, pa asnjë sponsor, pa shumë llogari apo arsyetime, pa mbulim mediatik, pa mbështetje nga ambasadat, apo partitë opozitare, pa asnjë shpresë të dukshme suksesi, por me një qëllim të caktuar: duhet që dikush të thotë mjaft!
Qëndrueshmëria dhe vendosmëria e tyre zbuloi në sy të të gjithëve brumosjen e politikanëve të rinj që pretendonin se do të shpëtonin vendin. Tregoi se sa ata ishin të aftë të gënjenin, të thyenin normat që ata vetë kishin dashur, tregoi falsitetin e tyre absolut, përçmimin që kishin për procedurat ligjore të një shteti normal. Tregoi aftësinë e tyre për t'u fshehur mbas slloganëve të mësuar në seminare të ndonjë fondacioni të huaj; aftësinë për të dërguar policinë në dhunim të qytetarëve; aftësinë për të simuluar një aksident me qëllim kriminalizimin e kundërshtarit.
Sot njerëzit e kanë kuptuar natyrën e vërtetë të kryeministrit Rama, i cili sakrifikon parkun në interes të miqve të tij ndërtues; natyrën e Kryebashkiakut Veliaj të gatshëm të mos mbaj asnjë premtim me kusht që të trashëgojë fuqinë e Ramës.
Sot, pothuajse të gjithë e kanë kuptuar se Rilindja është një trillim për të mos ndryshuar sistemin, demokracia nuk është e përfshirë.
Dhe këtë e kuptuam falë të rinjve të Parkut, të rinj që nuk u intervistuan nga asnjë televizion, asnjë nuk i njeh emrat e tyre, sepse nuk kanë fatura për të lëshuar apo votues për të gënjyer.
Ata janë qytetarët e parë të rilindur në këtë qytet dhe të vetmit fitues të kësaj historie.