Financial Times Pas Irakut a e ka radhen Shqiperia?!

Financial Times: Pas Irakut, a e ka radhen Shqiperia?!

Të gjithë janë shokuar nga masakrat që po bëjnë militantët islamikë të ISIS në Irak. Mes frikës se ata po fitojnë shumë terren në Irak e janë duke arritur qëllimin e tyre, gazetari David Gardner i “Financial Times” ngre pyetjen: Pas Irakut, kush e ka radhën? Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, Abu Bekr el-Bagdadi, udhëheqës i xhihadistëve njoftoi krijimin e kalifatit islamik, e ndërsa ky njoftim ishte i përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, turqisht, rusisht dhe gjuhën shqipe”, shkruan gazetari David Gardner në analizën e tij. Duke rikujtuar se Arabia Saudite ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të islamit, me ndihma në hapjen e xhamive apo ndihma të tjera, gazetari i FT thotë se tani ajo ka humbur ndikimin në botën myslimane. Po përse njoftimi për krijimin e kalifatit islamik u bë dhe në gjuhën shqipe. “Që nga fundi i luftës së ftohtë dhe pas luftërave të ish-Jugosllavisë, në Ballkanin Perëndimor – veçanërisht  në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë, Maqedoni dhe madje pjesë të Bullgarisë, ndikimi i fesë myslimane është rritur, kjo me hapjen e xhamive apo dhe medreseve”, shkruhet në analizën e FT. Në foton e analizës së FT vërehet se si me rritjen e frymës islame, tani është rritur edhe një shqetësim, ai i përhapjes së radikalëve islamistë të ISIS. Rikujtojmë se dhe disa shqiptarë nga Kosova e Maqedonia tani luftojnë në radhët e ISIS dhe kanë tmerruar njerëzit me veprat e tyre.

Edhe Bin Laden distancohej prej IS

Një dokument i zbuluar tek shtëpia ku u gjet Osama bin Laden, tregon se edhe Al Kaeda ishte e distancuar nga ky grupim. Dokumenti prej 21 faqesh, i gjetur në strehën e kryeterroristit, paralajmëron ngritjen e një grupimi të ri dhe të pamëshirshëm me ekstremistë islamikë, në gjendje për të kryer të tilla brutalitete, aq sa edhe Al Kaeda mendonte se duhej të shkëpuste lidhjet me ta. Në dokument thuhet se Shteti Islamik në Irak dhe Siri nuk ka kurrfarë respekti për civilët dhe mund të dëmtojë edhe reputacionin e Al Kaedës. Në memo theksohet se ata kanë nisur që të bombardojnë edhe xhamitë. Tani IS ka nën kontroll një zonë që është më e madhe në hapësirë edhe se Britania e Madhe. Si për të ilustruar këtë barbari, djali i një xhihadisti nga Australia, por që lufton për këtë grupim islamik, ka pozuar me kokën e një ushtari sirian të vrarë në luftime. Babai i djaloshit, një nga terroristët më të kërkuar në Australi dhe i dyshuar për krime lufte, e ka postuar foton në Twitter me mbishkrimin: “Ky është djali im”. Ndërkaq kanë nisur kritikat ndaj politikave të SHBA-së në këtë drejtim. Ish- Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka bërë përgjegjës presidentin Barack Obama për këtë përparim të frikshëm të xhihadistëve. Ajo tha se ai nuk i ka mbështetur siç duhet rebelët në Siri, duke krijuar këtë vakuum, që është mbushur nga terroristët.

Kush janë jaziditë dhe pse po përndiqen?

Në malin Sinjar vjen era vdekje. “Qentë po hanë trupat e të pakallurve”, thotë Haji Khedev Haydev, 65- vjeçar. Ai është një nga jaziditë, një sekt në Irak, që po përndiqen nga Shteti Islamik. Ata kanë mësyrë malet në veriperëndim të Irakut, për të shpëtuar nga vdekja. Shumë prej tyre kanë humbur jetën nga etja apo uria. Mendohet se në total janë mbi 50 mijë jazidi. Por kush janë jaziditë dhe pse po përndiqen? Diana Darke thotë për BBC se shpesh ata etiketohen si besimtarët e djallit. Janë të shpërndarë në Irak, Siri dhe në Turqi. Në total mendohet se janë 500 mijë besimtarë jazidi. Ashtu si alavitët, është e pamundur që të konvertohesh në këtë fe, pasi vetëm mund të lindësh i tillë. Numri i tyre ka rënë ndjeshëm pas përndjekjes që iu është bërë përgjatë shekullit të shkuar. Edhe pse ka shumë spekulime për prejardhjen e emrit jazid, studiuesit thonë se vjen nga gjuha perse dhe do të thotë engjëll. Ata e njohin veten si adhurues të Zotit. Besimi i tyre lidhet edhe me Zoroastrianizmin. Në tempujt e tyre adhurohet dielli, por feja e tyre ka elementë të Krishterimit dhe të Islamit. Fëmijët pagëzohen me ujin e shenjtë nga piri (prifti). Në martesa, ai thyen bukën dhe i jep njërën gjysmë nuses dhe tjetrën dhëndrit.

 

Nusja, e veshur me të kuqe, viziton kishat e krishtera. Në dhjetor, ata agjërojnë për tre ditë, përpara se të pinë verë me pirin. Më 15 deri më 20 shtator kanë një pelegrinazh të përvitshëm në varrin e sheikut Adi at Lalesh, në veri të Mosulit. Ata praktikojnë synetllëkun dhe sakrifikojnë kafshët. Qenia e tyre supreme është Jasdani. Ai konsiderohet në një nivel aq të lartë, sa nuk mund të adhurohet në mënyrë direkte. Ai konsiderohet një forcë pasive, Krijuesi i botës, por jo ruajtësi i tij. Shtatë shpirtra burojnë prej tij dhe më i madhi është Engjëlli Pallua, që njihet edhe si Malak Taus- ekzekutues në tokë i vullnetit hyjnor. Palloi ka qenë simbol i pavdekësisë në Krishterimin e hershëm, për shkak se mishi i tij dukej sikur nuk kalbet. Malak Taus konsiderohet si alteregoja e Zotit, i pandashëm prej tij. Jaziditë i luten Malak Tausit pesë herë në ditë. Emri tjetër i tij është Shejtani, që në arabisht nënkupton djallin. Për këtë arsye, Shteti Islamik i konsideron ata si besimtarë të djallit. Jaziditë besojnë se shpirti kalon në formë të njëpasnjëshme trupore në formën e një emigrimi dhe se pastrimi gradual është i mundur përmes rilindjes, duke e bërë kështu ferrin të tepërt.

 

Komunitetet fetare të Shqipërisë dënojnë dhunën e ISIS në Irak

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe antarët e tij; Komuniteti Musliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, mbështetur dhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, kanë dënuar me forcë dhunën që terroristët e ISIS në Irak po ushtrojnë ndaj popullsisë lokale të krishterë, si dhe ndaj myslimanëve dhe minoriteteve të tjera.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shprehet se akte të tilla kriminale nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve tona duke bërë thirrje për paqe dhe bashkëjetesë.

Gjithashtu në deklaratë i bëhët apel faktorit ndërkombëtarë “që të gjejë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të ndalet fenomeni i largimit dhe i shpërnguljes me dhunë të banorëve të Mosulit dhe të rrethinave për shkak të besimit të tyre”.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë thekson në deklaratën e tij se “ne besojmë ngultësisht se e drejta e besimit është një e drejtë themelore e njeriut”.

“Ne i gëzohemi kësaj të drejte në Shqipëri dhe një realiteti që besimet fetare kanë ndërtuar e vazhdojnë të ndërtojnë me shumë mund në vendin tonë. Duam t’u themi të gjithëve se është e mundur të jetojmë bashkë, duke ndihmuar njëri-tjetrin e duke respektuar njëri-tjetrin pavarësisht besimit, etnisë apo races”, thuhet në deklaratë.

Në fund të reagimit, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shpreh solidaritetin “me të gjithë ata që vuajnë jo vetëm në Irak, por në të gjitha vatrat e konfliktit në Lindjen e Mesme e u sigurojmë atyre lutjen dhë afërsinë tonë shpirtërore”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama