Financat Gjeniu i matematikes punesohet nga qeveria

Financat: Gjeniu i matematikes punesohet nga qeveria

Në botën e financave të komplikuara, ekspertët më të mirë punësohen me rroga fantastike nga korporatat e mëdha. Por një gjeni matematike ka vendosur të punojë për qeverinë amerikane… falas

Disa vite më parë, inxhinieri financiar me famë Endriu (Andrew) Lo ndërtoi një model kompjuterik që i lejoi një banke të madhe amerikane të zbulojë se cilët klientë kishin më shumë gjasa të shfaqnin vonesa në shlyerjet e kredive të marra me kartë krediti.

Por së fundmi, profesori i Financave i Institutit të Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT) po merret me një klient tjetër: qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Duke punuar me rregullatorët e bankave te Zyra e Kontrollorit të Monedhave (OCC), një degë e Departamentit të Thesarit, ai po ndihmon në ndërtimin e mjeteve sasiore për të gjetur rreziqet potenciale të kreditit në industrinë bankare, duke filluar nga tregu i kredive me kolateral për pronat e patundshme.

Përpjekjet e Lo, një pionier në këtë fushë, janë pjesë e një prirjeje të paprecedentë të OCC për të përqafuar analizën sasiore. Rregullatori po ndërton modele, po punëson inxhinierë financiarë – të njohur si “kuantët” e Uoll Stritit apo “Stratsat” – dhe duke i marrë bankat nën kontroll në një nivel shumë më të lartë sesa më parë.

Përpjekjet e OCC rrjedhin pjesërisht nga ligji për reformën financiare i njohur si Akti Dodd-Frank 2010, i cili i kërkon OCC dhe Rezervave Federale të vlerësojnë modelet kuantitative që përdoren nga bankat.

Rregullatori shpreson se duke kryer analizat e veta, mund të parandalojë flluskat e kredive me kolateral te pronat e patundshme, të cilat në të shkuarën kanë ndodhur pjesërisht për arsyen se analistët e kredive, investitorët, agjencitë e vlerësimit dhe pjesëmarrës të tjerë të tregut që të gjithë supozuan se çmimet e shtëpive në SHBA nuk do të ulen.

“Ne kemi nevojë për modele më të mira, më reaguese, që identifikojnë rreziqet më herët”, thotë Lo. “Kjo do të jetë një epokë e re për novacionin financiar te modelet kuantitative”.

Rregullatori 150 vjet i vjetër nuk e ka pasur gjithmonë të lehtë të përqafojë analizat sasiore të shekullit të 21. Para së gjithash është problemi se kuantët me eksperiencë mund të fitojnë mbi 500 mijë dollarë në vit në Uoll Strit dhe nuk janë shumë të gatshëm të punojnë për pagat 80 mijë deri në 175 mijë dollarëshe në vit të ofruara nga OCC.

Një arsye tjetër është se bankat dhe rregullatorët e tjerë thonë se nuk është e qartë nëse iniciativa e OCC për të kontrolluar me agresivitet modelet që përdorin bankat është një përpjekje që ia vlen, veçanërisht në një kohë kur burimet janë të pakta dhe rregullatorët argumentohet se kanë detyra më të rëndësishme për të plotësuar.

Pozicione të paplotësuara

Majkëll Salivan (Michael Sullivan), i cili mbikëqyr stafin e kuantëve tek OCC si zëvendëskontrollues për analizën e rrezikut, thotë se agjencia ka 53 ekonomistë sasiorë dhe mbështet një grup prej shtatë kërkuesish të asociuar dhe analistësh financiarë, ndërsa në vitin 2007 kishte një staf prej 31 analistësh.

Salivan thotë se skuadra e tij rekrutoi një kuant tjetër të njohur nga një agjenci tjetër, megjithëse refuzoi të japë emrin e të punësuarit. Ai ka ende disa vende pune vakante dhe po vlerëson nëse duhet të shtojë edhe më tej numrin e analistëve.

“Ne ofrojmë një vend pune unik që kombinon angazhimin e drejtpërdrejtë në mbikëqyrjen dhe ndërveprimin me bankierët dhe ekzaminuesit për të zbuluar se si operojnë bankat dhe çfarë me lloje sfidash përballen ato në termat e kërkimit dhe të politikave që zbatojnë”, thotë Salivan. “Është ky kombinim që e bën tërheqës këtë vend pune për personin e duhur”.

Këto lloj sfidash janë mjaftueshëm tërheqëse për Lo i cili po e këshillon OCC falas. Vetë stafi i agjencisë po punon ngushtësisht me të, dhe ai ka akses te të dhënat bankare me të cilat punon OCC. Ai shpreson të publikojë rezultatet e analizave.

Përpjekjet e OCC janë të qarta për nga objektivat, por disa drejtorë bankash, madje edhe disa rregullatorë mendojnë se këto përpjekje janë një çmenduri.

Një drejtor ekzekutiv në një nga bankat më të mëdha amerikane i tha Reuters se një debat mes ekspertëve të OCC dhe atyre të bankës mbi një model vlerësimi për një lloj të caktuar bondi kërkoi shumë javë për t’u zgjidhur. Sipas këtij drejtori, kishte vetëm dallime shumë të vogla mes mendimit të mbikëqyrësve dhe atij të punonjësve të bankës në këtë model dhe pothuajse asnjë ndryshim në rezultatin final. Banka tashmë përdor të dyja modelet, atë të vetin dhe atë OCC-së për të kënaqur këtë të fundit edhe pse modeli i bankës është konfirmuar si i pranueshëm nga Banka e Rezervave Federale.

Një zyrtar i Thesarit që foli për Reuters mbi përqasjen e OCC tha se agjencia po humbet kohë duke sfiduar modelet që bankat kanë zhvilluar duke shpenzuar burime të konsiderueshme financiare. Shpesh, shtoi ky person, ekspertët e OCC kanë shumë më pak eksperiencë se ekspertët e bankave dhe privatisht përqeshen kur shtrojnë pyetje për modele që nuk i kuptojnë tërësisht.

Në të njëjtën kohë, vetë bankat po trajnojnë ekspertët e vet sasiorë që dikur vlerësonin produkte bankare të panjohura, që të punojnë në përputhje me kërkesat e autoriteteve mbikëqyrëse dhe të bashkëpunojnë me ta.

“Fakti është që i vetmi sektor ‘me rritje’ në sistemin financiar këto ditë është ai me bazë mbikëqyrjen bankare: puna sipas rregullave të autoritetit mbikëqyrës dhe raportimi tek autoriteti, ekzaminimet rregullatore, optimizmi rregullator”, thotë Leif Andersen, bashkëdrejtor i grupit të analizave sasiore te Bank of America Corp, në një prezantim të mbajtur në Universitetin Aarhus në Danimarkë. “Për fat të mirë, për kuantët/stratët, shumica e rregullave të reja është komplekse”.

Mbikëqyrja ka rëndësi

Eshuin (Ashwin) Rao, i cili ka kaluar 14 vjet si ekspert kuant në Uoll Strit tashmë drejton një biznes të quajtur Zlemma, i cili përdor algoritme për të lidhur punëofruesit dhe punëkërkuesit në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inxhinierisë, tha se kuantët zakonisht në të shkuarën kalonin 30 për qind të kohës së tyre duke u marrë me punët e lidhura me mbikëqyrjen bankare para krizës, por tashmë po shpenzojnë 50 deri në 60 për qind të kohës së tyre të punës. Nga ana e vet, OCC është e kënaqur me ecurinë e programit deri tani dhe beson se nuk do të ketë vështirësi në punësimin e talenteve.

“Ky është një nga ato lloj histori suksesi të heshtura”, thotë kontrolluesi Thomas Kurri (Curry) në një intervistë me Reuters. “Kjo është një fushë me shumë konkurrencë, por një nga joshjet që ne kemi për kuantët është se nuk duam punë tërësisht akademike, por atë që është praktike”.

Lo thotë se puna për OCC është një karrierë që mund të jetë joshëse për disa nga studentët e tij. OCC shpesh e pyet atë për rekomandime për studentët që mund të dëshirojë të punësojë.

“Një pjesë e joshjes për studentët nga kjo punë është fakti që ata mund të ndryshojnë gjërat”, thotë Lo. “Ata duan të bëjnë gjëra të mira në botë”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama