Një qarkullim të plotë rreth Tokës e bënte për 96 minuta dhe 12 sekonda. Ky satelit u quajt ndryshe Hënë artificiale. Ishte i pajisur me dy radiomarrës, që dërgonin sinjale pa ndërprerje dhe lehtësuan vrojtimin e vazhdueshëm, ashtu sikurse dhe lokalizimin e tij, pavarësisht kushteve të shikimit.
Amerikanët kanë Von Braunin
Në po të njëjtën ditë, në qytezën Huntsville, në shtetin Alabama, ku ndodhej qendra e projekteve dhe ndërtimit të raketave me hedhje të mesme e të largët, që përfshihej në aviacionin ushtarak të SHBA-së, u zhvillua një vizitë nga Sekretari i ri i Mbrojtjes, Neil Mek Elroi. Ai u takua me gjermanët, me veteranët e qendrës së raketave në Pinemun, ku gjatë periudhës së luftës Verner Fon Braun punoi edhe për raketën V-2. Në bazën e raketave në Redston, gjermanët projektuan dhe i vunë vetes si detyrë të krijonin bombën atomike. Gjatë takimit me Verner von Braun, sekretari u ndal në informacionin rreth sputnikut rus. Von Brauni atëherë tha: "E kam ditur, se ata janë duke e bërë këtë". Ai deklaroi se për të lëshuar satelitin amerikan në kozmos duhen 60 ditë kohë.
Më 4 tetor, në mbrëmje, lideri i Senatit të Lartë, Lindon Xhonson, e vlerësoi ngjarjen me fjalët: "Qielli na u duk i huaj, kur trajtuam çështjen se dikush kishte arritur përparësi ndaj vendit tonë të madh". Demokratët në senat, lidhur me këtë ngjarje, deklaruan se hedhja e satelitit rus përbënte "javën e turpit dhe shkatërrimit". Në këtë kohë, Presidenti i SHBA-së ishte Duajt Aizenhauer. Pak ditë pas hedhjes së sputnikut rus, në konferencën për shtyp ai tha se "suksesi i Bashkimit Sovjetik nuk ndjell frikë". Me këtë ka dashur të krijojë bindjen në shoqërinë amerikane, se atë nuk e kanos asgjë nga kozmosi. Nga fundi i tetorit, Aizenhauer mbajti raportin për të shpejtuar punët në ndërtimin e satelitit amerikan. Ky satelit kishte për të qenë Vanguardi, starti i të cilit ishte planifikuar për muajin dhjetor. Përgatitjet u bënë nga marina e Shteteve të Bashkuara, të cilat zgjatën dy vjet. Lëshimi i tij do të ndodhte në kuadrin e Vitit Ndërkombëtar Gjeofizik 1957-1958, për të bindur botën se Amerika është partnere e barabartë në studimin e kozmosit me Bashkimin Sovjetik. Vanguardi do të fluturonte në lartësinë 320-480 km mbi Tokë. U ngrit pothuajse disa metra, por pas dy sekondash raketa mbartëse u përfshi nga flakët. Pjesët e tij u shkatërruan gjatë rënies në Gadishullin Kanaveral. Dështimi i Vanguardit u vu re nga 200 korrespondentë dhe publiku i gjerë.
Vetëm më 31 janar 1958, në saj të Von Braunit, Amerika më në fund arriti të lëshojë satelitin e saj. Shtetet e Bashkuara, sputnikëve të tyre u vunë emrin Explorer. Shtypi botëror shkruajti se pesha e tij ishte 14 kg, ndërsa diametri 15 cm. Sateliti i parë rus të sillte ndërmend formën e një topi futbolli, ndërsa ai amerikan kishte formën e një "greipfruti". Kështu e përcaktoi atë Nikita Hrushov. Sipas tij, madhësia e të dy satelitëve u ilustrua si arritje e hapur ndërmjet BRSS-së dhe SHBA-së, në prag të erës kozmike.
Aso kohe pak njiheshin kulisat e rivalitetit të këtyre dy superfuqive në fushën e kozmonautikës. Ajo filloi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Raketat e para amerikane dhe sovjetike e përmirësuan më tej versionin e ndërtimit të predhave balistike V-2. Lartësia e tyre ishte 14 metra, ndërsa pesha e startit 13 ton, me shpejtësi që arriti në 4800 km/orë me hedhje deri në largësinë 400 km. Një ndër konstruktorët e V-2 ishte Verner von Braun, i cili aty nga fundi i luftës paralelisht udhëhoqi punën rreth predhave të raketave dyfazore ndërkontinentale të quajtura Amerika-Raketa. Megjithatë, kjo raketë nuk arriti të ndërtohej.
Në vitin 1945, së bashku me specialistët më të mirë gjermanë të sektorit të raketave dhe Von Braun shkuan në SHBA me mision për të përpunuar dhe prodhuar në seri raketat balistike amerikane, por edhe sistemet e hedhjes së anijeve të ardhshme kozmike. Këto ishin detyrat kryesore të programit amerikan për raketat. Në vitin 1955 atij ju dha e drejta e qytetarit amerikan. Fillimisht u mor me përsosjen e raketës V-2, pastaj shpiku raketën Redstone, duke mos parashikuar se kjo do të shërbente për të ngritur satelitin e parë amerikan. Kjo ndodhi në saj të bashkimit me raketën Juno. I gjithë montimi që bëri Von Braun përbëhej prej katër raketash. Për nga forma i ngjan majës së një lapsi të mprehur me gjatësi 20.9 metra dhe masë 29 ton.
Sovjetikët kanë Korolovin
Nga fundi i Luftës së Dytë Botërore në Bashkimin Sovjetik punën për raketën e ngjashme me V-2 e udhëhoqi Vladimir Cellomi. Fatkeqësisht ajo u copëtua që në start. Pjesët e saj u shpërndanë gjithandej. Madje, disa prej tyre u gjendën edhe në Berlin. Për këtë ishte në dijeni edhe Hitleri, prandaj dhe nuk vendosi të përdorte "armën e çuditshme" të tij kundër Rusisë edhe pse më 1945-ën raketat gjermane balistike ranë në Antverp, Bruksel, Liezh dhe Luksemburg.
Ja vlen të nënvizohet se të dy konstruktorët kanë lindur në tokën polake. Cellomi më 1914 në Siellkaç (familja e tij me origjinë nga fshati Cellomiej), Von Brauni më 1912 në Vyrzysk, që ndodhet ndërmjet Nakllem dhe Pilles.
Pjesën kryesore të programit kozmik sovjetik nuk e zinte Cellomieni, por Sergej Korolovi, i cili që prej vitit 1932 në Moskë, u mor me problemin e shtytësve (propulsorëve) për hedhjet. Puna e pionierëve të teknikës së raketave u mbështet edhe nga marshalli Mikail Tuhaçevski. Mbi të gjitha atij i interesonin raketat, të cilat do të pasuronin arsenalin e Ushtrisë së Kuqe. Në to bënin pjesë edhe hedhësit e raketave të artilerisë, të famshmet katjushka, aeroplani i parë eksperimental sovjetik në hedhjen e raketave nga poshtë krahëve të avionit. Në vitin 1938 Tuhaçevski u dënua me vdekje nga Stalini. Instituti në të cilin punoi Korolovi u shpërnda, ndërsa punëtorët e tij u trajtuan si armiq prandaj dhe ju nënshtruan represioneve të rënda. Korolovi u dënua me dhjetë vjet punë të rëndë si punëtor në byronë speciale të konstruksioneve, ku punësoheshin të burgosurit, që kishin vlera të veçanta për shtetin. Nga fundi i luftës ai fitoi lirinë. Në shtator të vitit 1945 atë e dërguan në zonën gjermane të okupuar nga sovjetikët, ku do të siguronte gjithçka që i përkiste programit të raketave, Bashkimi III. Pjesën më të madhe të teknologjisë gjermane të raketave, dokumentacionin, madje edhe atë të raketës së gatshme V-2 i rrëmbyen amerikanët. Në duart e rusëve ranë vetëm disa konstruksione. Fillimisht, specialistët rusë kishin ndërmend, që me ndihmën e tyre të prodhonin V-2 në zonën e okupuar. Në serinë e pilotimit montuan 15 komplekse raketash, si dhe po kaq komplekse për raketat e ardhshme. Në vitin 1946 u ngrit Qendra e Studimit të Raketave në Kaleningrad të rrethinave të Moskës. Në këtë qendër Korolovi ishte konstruktor kryesor i raketave me hedhje të largët.
Në fillim të vitit 1947 në BRSS filloi ndërtimi i raketës R-l, që ishte kopje e V-2. Prova e saj u bë në poligonin e Kapustin Jar të stepës dhe 120 km në lindje të Stalingradit. Atje u ndërtua kompleksi i hedhjeve, i cili përmbante modelin e parë të kozmodromit të ardhshëm. Në startet e raketave të tipit R-l morën pjesë edhe specialistë gjermanë. Një prej tyre kujtonte se një funksionar i lartë sovjetik i asaj kohe, pasi lëshimi i raketës së parë doli me sukses, kërceu nga gëzimi si një fëmijë dhe pastaj u deh.
Në vitin 1948 Korolovi realizoi konstruksionin e raketës R-3 me hedhje 3000 km. Pas kësaj ai filloi të ëndërrojë për raketën ndërkontinentale. Në korrik të 1948-ës në Akademinë e Shkencave të Artilerisë dëgjoi leksionin nga miku i tij Mikail Tikonravov me temë: "Raketat shumëfazëshe të afta për të çuar në orbitë satelitët artificialë të Tokës". Drejtuesit e Akademisë u lëkundën për një kohë të gjatë, që ëndrra të humbte fantazinë utopike. Në fund u ra dakord të dëgjohej se çfarë mund të përfitohej nëse raketës R-3 t‘i shtoheshin akoma dhe dy faza. Korolovi së bashku me Tikonravovin formuluan programin me titull: "Studimi i satelitëve të Tokës".
Në vitin 1952 Korolovi i përvishet punës për projektin eksperimental R-5 të pajisur me një motor të fuqishëm të tipit Valentina Glloshki, me të cilin hapi perspektivën e lëshimit në orbitën e Tokës të satelitit. Starti i tij i parë u bë pas vdekjes së Stalinit, të cilit i interesonte para së gjithash aspekti ushtarak i programit të raketave.
Në vitin 1953 aeroplani spiun britanik e zbuloi poligonin e Kapustin Jar-it. Dy vjet më vonë futi në arritjet e tij edhe stacionin radar amerikan të vendosur në Turqi. Pikërisht atëherë Korolovi iu drejtua shtetit me kërkesën për ndërtimin e një kozmodromi të vërtetë përtej Uraleve. Zgjodhi shkretëtirën e rrethinave të Bajkonurit, ku në gjysmën e vitit ‘50 takoi të vetmen shenjë jete, një tendë nomade. Megjithatë, këtu dikur ka kaluar hekurudha, si mbetje nga periudha e vendosjes atje në fillim të shekullit XX të minierës së nxjerrjes së qymyrgurit. Përveç kësaj, vendosja e kozmodromit (përveç ekuatorit) krijoi mundësi për t‘i dhënë raketës të digjej në drejtimin lindor, në përputhje me lëvizjen rrotulluese të Tokës me shpejtësinë shtesë 316 m/sek.
Unë e pashë me sytë e mi satelitin e parë
Programi sovjetik kozmik u shpejtua. Përmbajtja e tij tashmë kishte raketën më të re balistike R-7 me shpejtësi thuajse 7 km/sek. Korolov pa mundësinë e lëshimit të saj me shpejtësinë 8 km/sek, e cila do të mjaftonte për të çuar satelitin artificial në orbitë. Ishte e dukshme dhe kishte tërheqje më të madhe nga raketat amerikane. Më 21 gusht 1957 u realizua prova e parë me sukses, e cila fluturoi në largësinë 6400 km. Çka do të thotë se mbuloi largësinë ndërkontinentale. Në shtator u lëshua edhe një raketë tjetër. Atëherë komisioni shtetëror e lejoi Korolovin të lëshonte sputnikun e parë.
"Më 4 tetor 1957, vonë në mbrëmje u ktheva nga ekskursioni detar në portin Suhum. Qëndrova në pupe (në pjesën e prapme të anijes), duke parë qiellin yjor. Papritur pashë që të lëvizte shumë shpejt një yll i ndritshëm. Ai nuk mund të ishte as meteorit, sepse nuk ra në Tokë, por as nuk mori flakë. Nuk mund të ishte po ashtu as aeroplan, pasi nuk mund të fluturonte kaq lart. Edhe pjesëtarët e tjerë të ekskursionit vrojtuan të njëjtën gjë. Ramë dakord se mbi ne fluturonte një UFO. Ditën tjetër lexova në gazetat e ditës për satelitin e parë dhe rrugën e fluturimit të tij. Qarkullimin e parë rreth Tokës e bëri mbi Detin e Zi. Ora e fluturimit përputhej me vrojtimet tona. Kështu që unë isha një prej njerëzve të shumtë, që panë lindjen e erës kozmike me sytë e tyre".
Marre nga : Gazeta Shqip