("Viaggio agli inferni del secolo"), kushtuar pikërisht trajtave të hamendësuara e kurrë të para të ferrit, që vetëm nëpërmjet Dantes na vijnë me aq detaje dhe aq konkrete. Pa diskutim produkt fantazie, por që gjithçka në funksion të moralit dhe thelbit të ekzistencës. Por ndryshe nga Dante, Buxati do ofronte një lloj tjetër ferri në përshkrim, atë që ushqen iluzionin se para se të ndodhet diku në një dimension të padukshëm, ky ferr është mes nesh, në përditshmërinë tonë. Kohezionin e veprës së Buxatit do ta konfirmonte suksesi në teatralizimin e saj një muaj më parë në akademinë teatrore italiane, ku protagonistë do të ishin Alessandra Bedino, Andrea Chimenti dhe Massimo Fantoni.
Në shqip, kryevepra e Buxatit nuk ka pasur atë jehonën të paktën që ka emri i tij. Botimi i "Udhëtim në ferret e shekullit", me përmasën e një libërthi dhe me një "droje" nga cilësia modeste e letrës dhe e kopertinës, nuk ka atë fuqi imponuese në raport me goditjen vizuale që të ofrojnë botimet e sotme, megjithëse daton në vitin 1999 e nxjerrë në treg nga një shtëpi botuese pak ose aspak e dëgjuar. Emri i përkthyesit gjithashtu nuk të ngjall ndonjë kureshtje dhe nuk të kujton ndonjë përkthim të bujshëm. Të vetmet "investime" të fuqishme dhe tunduese për hapin e parë dhe delikat të futjes së kokës nën kopertinë janë: autori dhe fjala "ferr".
Ç`ndodh? Gazetari Buxati (i njohur si ish-korrespondent i "Corriere della Sera"-s për shumë vite), urdhërohet nga shefi i tij në gazetë që të hulumtojë mbi një përmasë ferri që ishte pikasur prej një punëtori metroje në nëntokën e Milanos. Edhe si personazh vetëquhet ai reali Buxati. Ky gazetar, siç e quan veten jo aq trim dhe paksa mjeran, arrin të depërtojë në atë përmasë që për eprorin e tij ishte vetë ferri dhe të mundej ta vëzhgonte me kujdes atë zbulim të frikshëm. Por gazetari Buxati befasohet jo nga tmerri dhe llahtaria e vuajtjeve njerëzore (duke i`u referuar Dantes), por nga normaliteti i jetës njerëzore, pikërisht aty në ferr. Befasia e gazetarit Buxati ishte pikërisht përmasa e njohur e asaj jetë aty në nëntokën e Milanos, ku nëpërmjet një zonjushe prepotente dhe shërbëtoreve të saj të hajthme, që ndryshe i quan djallushe, vërtitet në ca korridore dhe labirinte me shfaqje të asaj jete nëpër monitorë, ku nuk ishte veçse ferri vetë. Po ata ishin njerëz si ne, banonin si ne, festonin po si ne dhe i ngisnin makinat po si ne në mbi/tokë.
Gazetari Buxati futet në dilemën shekullore: se mos ferri është këtu mbi tokë! Njeh jetën e atjeshme, mbërthyer po në ato shqetësime dhe kaos si në realitet. Shpesh herë i pohon vetes se ai qytet/ferr ishte Milano, po ku ndahej kufiri mes tyre?! Këtë vështirë ta perceptonte. Dalëngadalë bëhet pjesë e atij realiteti, por gjithmonë me një habi e dilemë që s‘i ndahet; ishte në ferr a në jetë, po aty në Milano?! Dalëngadalë qartësohet për botën ku ndodhej, pasi bëhet dhe vetë pjesë e saj. Arrin të blejë një makinë aty në ferr. Dhe shkruan: "Kur ngas ‘Bull 370‘ ndjej kënaqësi bishe, një tërësi jetë shtazarake, një etje të jashtëzakonshme për veprime të shfrenuara, dëshira të imponohem, të bëj të më tremben e të më respektojnë. Shija e fyerjes, e epiteteve vulgare dhe si të tilla poshtëruese, pikërisht gjërat që njëherë e një kohë urreja më shumë". Gazetari Buxati arrin t‘i ndërfutet atij misteri që e brente për dimensionin ku ndodhej, duke ndjerë atë norkamonijete në brendësi të tij.
Sapo bëri akt-këmbim si qytetar konsumator, bleu një makinë. "Pastaj, shkruan ai, në mbrëmje, kur në vetminë e pafund të shtëpisë sime ripërshkoj me mendje gjithçka kam bërë ditën, unë frikësohem. Pra, ferri ka depërtuar tek unë, në gjakun tim, unë kënaqem me të keqen dhe turpërimin e tjetërkujt, unë kënaqem të vë poshtë të afërmin, t‘i dërrmoj, unë shpesh do doja t‘i fshikulloja, t‘i rrihja, t‘i poshtëroja, t‘i vrisja". Pasi është bërë tashmë banor ferri me trajtat e jetës reale, gazetari Buxati ndjek po aty në ferr një mbledhje të këshillit të qytetit, ku urdhërohen punime në disa kopshte të paqme (edhe këto në ferr), ku në njërin prej tyre një vajzë luan me lepurin e saj pas një gëmushe. Tri vendime prej ferri shndërrojnë kopshtet në platforma të frikshme betoni, ferri vetë. Pasi bindet se po përjetonte të njëjtin dimension jete, që i ishte ofruar si ferr, gazetari Buxati zgjidh dilemën e fëmijëve në këtë katrahurë: "Tani do të më kërkohet të korrigjojmë, pasi në ferr nuk mund të ketë fëmijë.
E përkundrazi ka dhe jo pak. Pa dhimbjen dhe dëshpërimin e fëmijëve, që sipas gjasës është më e keqja e të gjitha gjërave, si mund të ishte një ferr "comme - il - faut?" Në fund, gazetari Buxati gjithçka e konsideron të përfshirë në qerthullin e një fati misterioz. Zbulimet e tij okulte qëndrojnë brenda realitetit, aty ku dhe fshihet misteri më i madh që ndryshe e quajmë jetë. Tek "Ushtari i mirë Shvejk", hasim një lloj të ngjashëm përçapje okulte, por që ka të bëjë me transferimin e shpirtrave. Shvejku rreket t`u shpjegojë shokëve të tij se shpirti i një oficeri të vrarë në një betejë mund të kishte kaluar te kali i tij. Mirëpo dhe ngordhja e kalit nga një predhë kishte bërë që shpirti të transferohej te fiziku i ndonjë telefonuesi të kompanisë. Në këtë moment, reagon i irrituar telefonuesi Hodounski, që habitet se përse pikërisht ai duhet të bëhet nishan i talljeve të tilla të çmendura!
Marre nga : Gazeta Shqip











