FBI dhe DEA ne Tirane Naco Njesi te perbashketa

FBI dhe DEA ne Tirane, Naco: Njesi te perbashketa

FBI dhe DEA do të instalohen në Tiranë me njësi të përbashkëta hetimore amerikano- shqiptare. Ato do të zhvillojnë operacione të përbashkëta antimafie dhe antiterroriste. Gjatë takimeve të nivelit të lartë që zhvilloi në SHBA ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka marrë mbështetjen e autoriteteve amerikane për reformat në drejtësi dhe ndryshimet në ligjin penal. 

 

Njësitë e përbashkëta 

 

Në takimin me Zëvendësprokurorin e Përgjithshëm të SHBA-ve, James M. Cole, ministri Naço ka informuar lidhur me rëndësinë që do të kishte prezenca e FBI-së për trajnime dhe veprime operacionale të përbashkëta. “Jemi të vendosur për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet dhe me çdo mjet. Paketa ‘Antikorrupsion’ do të na ndihmojë për ta dekurajuar këtë fenomen”, theksoi Naço. Numri dy i prokurorisë amerikane, Cole ka përshëndetur reformat ligjore antikorrupsion dhe e ka inkurajuar ministrin Naço për t’i vijuar ndryshimet e nevojshme në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurave Penale. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, duke sjellë si model Njësitë e Përbashkëta Hetimore. Shkëmbimi i informacionit është cilësuar nga Cole si një element i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu gjatë takimit, bashkëbiseduesit janë ndalur edhe në rëndësinë e rishikimit dhe të plotësimit të marrëveshjeve lidhur me ekstradimet dhe transferimet me SHBA-në. Nga ana e tij, ministri Naço i ka kërkuar vazhdimësinë e mbështetjes amerikane përmes programeve të ndihmës në fushën e drejtësisë, nëpërmjet OPDAT, ICITAP dhe USAID, ndërsa ka shprehur mirënjohjen për kontributin e këtyre programeve në drejtim të thellimit të proceseve reformuese. Ndërkaq, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të lartë të DEA-s (Administrata e Zbatimit Ligjor mbi Substancat Narkotike), mes të cilëve, James Soiles. Kreu i drejtësisë shqiptare ka kërkuar ndihmën e DEA-s për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta operacionale, ndërsa e ka vlerësuar me mjaft rëndësi asistencën edhe me trajnime të specializuara. Misioni DEA-s lidhet me zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve të SHBA-ve mbi substancat e kontrolluara, dhe sjelljen në sistemin e drejtësisë penale dhe civile të SHBA-ve ose të ndonjë juridiksioni tjetër kompetent, të organizatave të përfshira në kultivimin, prodhimin ose shpërndarjen e substancave të kontrolluara që shfaqen ose synohen për trafikim të paligjshëm në SHBA. DEA rekomandon dhe mbështet programet parandaluese që synojnë uljen e pranisë së substancave të paligjshme në tregjet ndërkombëtare dhe të brendshme. 

 

Reformat në drejtësi 

 

Ndërkohë, më herët ministri Naço ka zhvilluar takime edhe me kongresmenët Gary Peters dhe Eliot Engel, ku ndër të tjera ka diskutuar edhe mbi proceset integruese të Shqipërisë. Kongresmenët e kanë përgëzuar ministrin Naço në lidhje me kursin e reformave të qeverisë, por edhe të reformës në drejtësi, ndërsa kanë theksuar nevojën e rezultateve konkrete kundër korrupsionit dhe terrorizmit. Gjatë takimit ministri Naço ka kërkuar nga kongresmenët edhe krijimin e mundësive për lehtësimin e regjimit të vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa, i pyetur nga VOA, duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me deklaratën e bërë nga Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle, për bashkëpunimin mes qeverisë dhe opozitës, ministri i Drejtësisë tha se, reformat janë të nevojshme, por në këtë aspekt, kërkohet edhe përfshirja e plotë e opozitës, qoftë në reformën e ndarjes së re administrative apo të sistemit gjyqësor. Zoti Naço tha se, opozitën nuk e ka ndaluar askush të marrë pjesë, për shembull me interpelanca. Por, tha ministri, është taktika që ajo ndjek, duke mos kërkuar ato që i jepen me rregulloren e kuvendit dhe duke mbajtur qëndrim bllokues ndaj çdo reforme që bën shumica e sotme. Përsa i përket rrëzimit të aktit normativ për nëpunësit civilë dhe kompetencat e Inspektoriatit të Ndërtimeve, ministri Naço tha se, qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Lidhur me ndryshimet në sistemin gjyqësor të vendit, Ministri Naço tha se, janë kërkuar të bëhen ndryshime pa prekur kushtetutën. Nëse nga Komisioni i Venecias kërkohen edhe ndryshime kushtetuese, tha ai, atëherë për të përmirësuar sistemin, edhe këto duhen bërë, gjithnjë në bashkëpunim edhe me opozitën. Zoti Naço tha se, “të gjithë janë dakord se sistemi gjyqësor në Shqipëri nuk ka treguar integritet. Ne duam që në Këshillin e Lartë të Drejtësisë të ndryshojmë sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve”.  

 

Rezultate kundër korrupsionit dhe bashkëpunim me opozitën 

 

“Shqipëria duhet të përqendrohet te shteti ligjor dhe të prodhojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe përparimit të reformës së gjyqësorit dhe reformës administrative”, shkruan Fule në një mesazh të dërguar nga Brukseli. Sipas tij, integrimi i komunitetit rom, antidiskriminimi dhe qartësia mbi të drejtën e pronës janë gjithashtu reforma të rëndësishme. Por tipari më i rëndësishëm i takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë ka qenë pjesëmarrja e qeverisë dhe opozitës dhe mbajtja e një dialogu të qytetëruar mes tyre. “Mesazhet e mia kryesore pas këtij dialogu i drejtohen si qeverisë, ashtu dhe opozitës. Klima aktuale politike konfrontuese i minon arritjet e Shqipërisë. Ju, qeveria dhe opozita bashkë, duhet të siguroni që procesi të mos dalë nga udha. Qeveria duhet të krijojë hapësirë për pjesëmarrjen e opozitës. Gjithashtu, duhet të japë një shembull të mirë duke respektuar rregullat. Çdo perceptim apo dyshim se qeveria nuk i respekton plotësisht rregullat e Kushtetutës e dëmton vendin. Nuk mund të ketë justifikim për shkarkimin e ekspertëve në agjencitë ekzekutive bazuar në përkatësitë e tyre politike. Sigurisht, të gjitha administratat janë të detyruara të sigurojnë se të gjithë punonjësit e tyre u përmbahen standardeve më të larta profesionale dhe etike. Edhe opozita ka një përgjegjësi të qartë. Ajo duhet të ruajë një përqasje konstruktive”, shkruan Fule. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama