Europa Dilema mes mjedisit te paster dhe rritjes ekonomike

Europa: Dilema mes mjedisit te paster dhe rritjes ekonomike

Kontinenti Europian po shqetësohet tashmë nga dilema nëse duhet të bëhet një parajsë e energjisë së pastër apo një ekonomi konkurruese, por të qenët të dyja njëkohësisht po rezulton gjithnjë e më shumë e pamundur

Qeveritë e Europës kanë hedhur dhjetëra miliardë euro në energji alternative ndaj energjisë fosile. Por tashmë, europianët që janë të famshëm për prirjen e gjelbër po shqetësohen nga fakti se kontinenti mund të jetë i pastër, ose mund të jetë konkurrues. Të qenët njëkohësisht i pastër dhe konkurrues po rezulton gjithnjë e më e pamundur.

Javën e kaluar u publikua plani i ri i energjisë, ku Europa i vuri sërish vetes qëllimin të gjejë rrugën optimale mes synimeve ambicioze mjedisore dhe faktin e thjeshtë se energjia e lirë dhe e bollshme sjell zhvillim të ekonomisë.

Publikimi i strategjisë së energjisë nga Komisioni Europian për 15 vitet e ardhshme vjen ndërkohë që kori i të shqetësuarve po dëgjohet gjithnjë e më shumë në të gjithë kontinentin. Politika energjetike europiane po kërcënon ekonominë.

Zëri më i ri dhe më i fortë i ankesave i përket Sigmar Gabriel, “superministrit” të Gjermanisë, përgjegjës për energjinë dhe ekonominë. Ai paralajmëroi javën e shkuar në një konferencë mbi energjinë se Gjermania thjesht nuk mund të vijojë të mbajë mbi supe koston e stërmadhe prej 32 miliardë dollarësh në vit për subvencionimin e energjisë së rinovueshme, pika më e fortë e planit ambicioz të Gjermanisë për tranzicion drejt energjive më të pastra. Çmimet e elektricitetit në Gjermani, si për konsumatorët ashtu edhe për industrinë, janë mes më të lartave në Europë.

“Ne duhet të sigurohemi që të ketë një lidhje mes ndryshimit të burimeve energjetike me suksesin ekonomik, ose së paku të mos rrezikojmë suksesin ekonomik”, tha Gabriel.

Dhe ai nuk është vetëm. Politikbërësit e Britanisë, të udhëhequr nga Kryeministri Dejvid Kamerun (David Cameron), bënë fushatë kundër planeve të Europës për të vendosur rregulla për teknikën e çarjen hidraulike (teknologjia e nxjerrjes së naftës dhe gazit në burimet e varfra apo që kanë shteruar në pjesën më të madhe) në kontinentin europian. Udhëheqësit polakë kanë kritikuar atë që e konsiderojnë si politika kufizuese kundër ndryshimeve klimaterike, të cilat mund të shtypin ato pak vende që kanë arritur të çajnë përpara përmes krizës ekonomike.

Titanët e korporatave kanë ndërhyrë gjithashtu, megjithëse me argumente në mbështetje të vetes. Lakshmi Mittal, shefi ekzekutiv i prodhuesit më të madh të çelikut në botë me bazë në Luksemburg ArcelorMittal, përdori faqet e Financial Times për të paralajmëruar se energjia e kushtueshme dhe reduktimet e emisioneve tepër ambicioze do ta deindustrializojnë kontinentin.

Plani i ri europian i energjisë, i cili synon të jetë pika e kthesës mes burimeve aktuale të energjisë dhe objektivave klimaterike për vitin 2020 apo për objektivat afatgjatë deri në vitin 2050, përfshin reduktimin e emisioneve të gazrave serë me 90 për qind në krahasim me nivelet e viteve 1990.

Por plani i shumëpritur për objektivat e vitit 2030 nuk do të krijojë thjesht një vijë të drejtpërdrejtë mes këtyre viteve. Në të vërtetë, ndërsa Europa po përjeton epokën pas recesionit të madh, me papunësi të lartë dhe të vazhdueshme, konkurrueshmëri ekonomike në dobësim dhe një sirenë alarmi nga rilindja amerikane me burim pikërisht energjinë, strategjia pritet të zvogëlojë angazhimin europian për energji gjithnjë e më të pastër, së paku në terma afatmesëm.

Në të vërtetë, që nga fillimi i bumit amerikan të energjisë argjilore, e cila ka krijuar një dallgë gazi natyror në Shtetet e Bashkuara, Europa ka vuajtur për të mbajtur politikat e veta mjedisore dhe ekonomike në të njëjtin drejtim.

Qymyri i lirë amerikan, i cili është zhvendosur në tregun e brendshëm nga gazi natyror, përgjatë dy viteve të fundit është nisur në Europë ku ka zëvendësuar një pjesë të konsumit të gazit natyror, i cili është më i shtrenjtë.

Kjo ka sjellë nga ana tjetër edhe rritjen e emisioneve të gazrave serë në Europë, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë ecur në rrugën për t’u bërë më të pastra.

Sfida për politikëbërësit europianë tashmë është të zbulojnë se cilat janë rrugët për të balancuar këto dy shqetësime, shqetësimin për të prodhuar energji të pastër me atë të ndihmesës për rimëkëmbje ekonomike, ndërsa duhet të vijojnë t’i sinjalizojnë tregut se Europa mbështet energjinë e rinovueshme dhe vijon të jetë e angazhuar në reduktimet ambicioze të emetimit të gazrave serë.

Vëzhguesit dhe hartuesit e planit që u shpërnda në media së fundmi në mënyrë jozyrtare sugjerojnë se objektivat për vitin 2030 janë për një pakësim të shkallës së reduktimit të emisioneve të karbonit dhe për një dorëheqje nga angazhimet pan-europiane nga energjia e rinovueshme. Europa pritet të lërë për më vonë vendosjen e rregullave kufizuese për teknikën e çarjes hidraulike tani për tani.

Zyrtarët e Bashkimit Europian pranojnë se klima aktuale ekonomike sakaq ka përcaktuar shumë gjëra në debatin mbi objektivat për vitin 2030. “Askush nuk dëshiron të vrasë ekonominë”, tha një zyrtar europian për Foreign Policy.

Por në të njëjtën kohë, ata thonë, shqetësimet se politika energjetike e Europës po e mbyt ekonominë janë të ekzagjeruara. Shumë pak industri aktualisht janë energji-intensive në të njëjtën mënyrë siç është prodhimi i çelikut apo i çimentos.

Kjo është krejt e kundërta me situatën amerikane ku oferta e papritur e bollshme për energji të lirë ka dhënë ndikim të madh edhe në Europë.

“Po, dizavantazhi konkurrues është dukshëm i pranishëm. Por mua më duket se arsyeja kryesore për këtë dizavantazh është jashtë kontrollit të Europës, pra është energjia e lirë në Shtetet e Bashkuara dhe puna e lirë në Azi”, thotë Tim Boersma, analist energjie në Brookings Institution.

Europa mund të mos e ketë të lehtë të heqin dorë nga objektivat e vet për klimën dhe energjinë e pastër dhe të kopjojë një revolucion energjetik sipas stilit amerikan, thotë ai. Europa duhet të pranojë se një pjesë e madhe e elementëve që përcaktojnë konkurrueshmërinë ekonomike janë jashtë kontrollit të saj dhe për këtë duhet të përqendrohet në gjetjen e fushave ku ka avantazh konkurrues, pra në industritë që mund të bëjnë diferencën.

Kontrasti mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës bëhet shumë i qartë brenda matësit të energjisë elektrike, qoftë për konsumatorët e rregullt ashtu edhe për industritë.

Çmimet mesatare me pakicë të energjisë elektrike për përdoruesit familjarë në SHBA u rritën nga 11.7 cent për kilovat/orë më 2011 në 12.2 cent më 2013.

Çmimi mesatar për konsumatorët familjar në 27 vendet anëtare të BE-së u rrit nga 24 cent të dollarit amerikan për kW/h më 2011 në 27 cent vitin e kaluar.

Kostoja për bizneset është po kaq e ndryshme. Industritë amerikane paguan mesatarisht 6.9 cent për kW/h vitin e kaluar, pothuajse të njëjtën tarifë me dy vjet më parë. Firmat europiane, në anën tjetër, paguan 16 cent të dollarit vitin e kaluar dhe rritja këtu qe gati 10 për qind në krahasim me vitin 2011.

Këto mesatare maskojnë diferencat e mëdha nga një vend në tjetrin, diferenca që godasin edhe më shumë efektet e rimëkëmbjes ekonomike.

Familjet spanjolle paguajnë rreth 30 cent të dollarit për kilovat/orë dhe aktualisht kjo ende nuk është e mjaftueshme për të mbuluar kostot. Gjeneruesit e energjisë në Spanjë e marrin diferencën mes kostos dhe çmimit nga qeveria. Për rrjedhojë, qeveria spanjolle në krizë borxhesh në thelb po paguan miliarda dollarë më shumë, duke e intensifikuar vështirësinë për Spanjën për të kontrolluar vrimën e vet fiskale.

Por Gjermania, si ekonomia më e madhe e Bashkimit Europian dhe shtëpia e planit më ambicioz të transformimit energjetik, është epiqendra e debatit europian.

Politika “Energiewende” e Gjermanisë – transformimi i sistemit të vet energjetik nga një sistem i bazuar te flota bërthamore që do të dalë në pension së shpejti te një flotë panelesh diellore dhe ferma të energjisë së erës – është një çështje testuese nëse politikat e energjisë “së gjelbër” e ndihmojnë apo e minojnë rritjen ekonomike.

Në Gjermani, kostoja e tranzicionit sakaq po shfaqet në çmimet e energjisë. Energjia elektrike për familjet gjermane është rritur nga 34 cent të dollarit për kWh në 39 cent përgjatë dy viteve të fundit. Kostoja e industrisë është rritur nga 17 në 19 cent për kWh përgjatë të njëjtës periudhë. Totali që u kërkohet konsumatorëve dhe bizneseve nga subvencionimi i energjisë së rinovueshme arriti në 32 miliardë dollarë vitin e kaluar.

“Nuk njoh asnjë ekonomi tjetër që të jetë në gjendje të mbajë një barrë të tillë”, tha Gabriel, ministri gjerman i Energjisë. Qeveria e Gjermanisë ka në plan të vendosë limite për subvencionimet e energjisë së gjelbër edhe pse kjo do të ketë pak efekt për të ulur çmimin e faturave të energjisë për konsumatorët.

Grupet e mëdha industriale të Gjermanisë kanë kritikuar mënyrën se si Energiewende ka funksionuar deri tani, duke bërë thirrje për t’u dhënë fund subvencionimeve pa limit për prodhuesit e energjisë së gjelbër. Por në mënyrë ironike, industritë e Gjermanisë nuk kanë pasur ngarkesë shtesë në koston e energjisë së rinovueshme. Shumica dërrmuese e kostos po përballohet nga konsumatorët familjarë.

“Nuk mendoj se lidhja që bëhet shpesh mes konkurrueshmërisë dhe politikës së energjisë së rinovueshme është reale”, thotë Boersma nga Brookings. “Mendoj se është shumë e lehtë për çdokënd që nuk është në favor të energjisë së rinovueshme të ngrejë këtë pretendim, por industritë që janë në dizavantazh konkurrues në përgjithësi janë të përjashtuar nga të gjitha llojet e kostove të tranzicionit e nuk kanë të drejtë të krijojnë këtë argument”.

Në të vërtetë, një studim i kohëve të fundit nga PriceWaterhouseCoopers zbuloi se vendet europiane me politika agresive të klimës, përfshirë Gjermaninë, mund të menaxhojnë të sigurojnë rritje ekonomike edhe nëse synojnë të reduktojnë përdorimin e energjisë dhe emisionet e gazrave serë.

Rreziku është, thotë Boersma e të tjerë, se Europa mund të përfundojë në reduktimin e objektivave për energji të pastër në mënyrë që të merret me frikën ekonomike, e cila në fakt nuk ka shumë lidhje me subvencionimet për energjinë diellore apo planet ambicioze për ferma ere.

Sipas tyre, kjo mund t’u dërgojë mesazhe çorientuese investitorëve, duke rënduar edhe më shumë klimën e investimeve në sektorin e energjisë pikërisht në kohën kur qindra miliardë dollarë nevojiten për ta bërë tranzicionin drejt energjisë së pastër funksional.

Natyrisht, nëse ka ndonjë ngushëllim për politikëbërësit europianë, bizneset japoneze dhe kineze sakaq po përballen me rritjen e kostos së energjisë. Mbyllja e energjisë bërthamore pas aksidentit të Fukushimës në Japoni ka sjellë rritjen e çmimeve të energjisë së importuar, gjë që zyrtarët e qeverisë së Japonisë mendojnë se po i shtyn bizneset të zhvendosen në vende të tjera.

Dhe Kina, e cila për shumë vite u bazua tek energjia e lirë dhe puna e lirë për t’u bërë fabrika e botës, po rrit me shpejtësi importet e veta të gazit natyror të kushtueshëm, ndërsa rritja e kostos së punës në zonat bregdetare po e shtyn industrinë e manifakturës të zhvendoset në brendësi të Kinës apo në vende të tjera të Azisë Juglindore.

Por ndërsa Europa përleshet me nevojën për të pajtuar ambiciet e veta mjedisore me nevojat ekonomike, ironia e vërtetë është se vendi që nuk ka asnjë lloj politike energjetike në tërësi – Shtetet e Bashkuara – ia kanë dalë të reduktojnë emisionet e gazrave serë, të ulin çmimet e energjisë dhe të rinisim një zhvillim të manifakturës, falë teknikës së çarjes hidraulike.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama