Eurobiker Tour zbret ne Shqiperi

Eurobiker Tour  zbret në Shqipëri

Në Shqipëri gara do të hyjë në datat 29-31 maj 2007. “EuroTour” ka si mision të vetin integrimin evropian dhe si një garë ndërkombëtare organizohet sivjet për të pestën herë, me moton: “Lëvizja e lirë lidh kulturat”. Pjesëmarrësit e shumtë janë njerëz të spikatur nga fusha të politikës, artit, kulturës, biznesit, modës dhe sportit.Gjatë kalimit në Shqipëri pjesëmarrësit do të vizitojnë qytetet dhe qendrat historike më të rëndësishme dhe do të japin dhe donacione bamirësie. Fondet e mbledhura për qëllime bamirësie të “EuroTour” do të dhurohen për misionin “Don Bosco” në Tiranë dhe për spitalet në Shkodër dhe Vlorë.

Këtë vit kjo garë organizohet nën kujdesin e Kancelares Gjermane dhe Presidentes aktuale të BE-së, Angela Merkel, të Kryeministrit të Kroacisë Ivo Sanader dhe Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, i cili është shprehur: “Është kënaqësi e madhe për mua të ndaj me Kancelaren Merkel dhe Kryeministrin Sanader nderin e organizimit të këtij aktiviteti, i cili mbërrin për herë të parë në Shqipëri. Eurobiker Tour 2007 gjen një Shqipëri që po lëviz me të gjithë cilindrat drejt integrimit Euro-Atlantik. Shqipëria është një vend ku 94 përqind e popullsisë mbështet integrimin evropian, ndaj unë ndjehem entuziast që rinia shqiptare përfshihet në këtë traditë disa-vjeçare”. Po kaq entuziaste është shprehur dhe Kancelarja Gjermane dhe Presidentja aktuale e BE-së, Angela Merkel në përshëndetjen e saj dhënë për këtë aktivitet. “Një nga destinacionet e turneut EURO – TOUR 2007 për këtë vit është edhe Shqipëria, një vend evropian, reformat dhe hapjen e të cilit ndaj Evropës qeveria gjermane i mbështet energjikisht. Nëpërmjet projekteve të tyre sociale, motoçiklistët kontribuojnë gjithashtu në zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë”.

Gara “EuroTour”, ashtu si edhe “Gumball 3000”, do të shoqërohen nga mediat ndërkombëtare të cilat bashkë me pjesëmarrësit do të përcjellin nëpër botë imazhin e Shqipërisë që është përmirësuar gjithnjë e më shumë prej zhvillimeve të ndjeshme në ekonomi, infrastrukturë e turizëm. Gara, e cila njeh një pjesëmarrje të gjerë, vitet e mëparshme është organizuar nën patronazhin e personaliteteve, si: Ëolfgang Schüssel, Olli Rehn, Romano Prodi, etj. Më parë ajo ka lëvizur nga Viena drejt Ukrainës (2006), Rumanisë (2005), Bosnjës (2004), Rusisë (2003). Ministri i kulturës Pango u shpreh se: “EuroBiker 2007 është njëherësh një veprimtari e rëndësishme politike dhe turistike për Shqipërinë, e cila për herë të parë në hartën e turit të saj përfshin Shqipërinë. Kjo garë vjen pak javë pas kalimit dhe ndalimit në Shqipëri të kalvarit të makinave luksoze Rally Gumball 3000”. Destinacioni i garës kalon nga Austria, Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Greqia, Italia dhe disa vende të tjera të Europës. Pjesëmarrësit janë njerëz të spikatur nga fusha të politikës, artit, kulturës, biznesit, modës dhe sportit.

Gara nis nesër në orën 08:30, kur edhe do të bëhet hyrja e mjeteve motorike nga Muriqani, ku ata do të priten nga motoçiklistë shqiptarë (shoqata EUROBIKER). Më pas, do të bëhet udhëtim nëpër qendrën e Shkodrës, në Spitalin Rajonal, ku do të mbahet ceremonia e dhurimit të pajisjeve. Në 11:30 do të bëhet një vizitë nëpër qytet dhe në Kalanë e Rozafës, për të mbërritur në 16:30 në Tiranë, ku ndalesa e parë do të jetë në rrugën “Don Bosco”. Në 17:00 do të bëhen xhiro me motorë në Tiranë dhe përshëndetje nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Turizmit. Në mbrëmje Kryeministri Berisha do të presë një përfaqësi të EUROBIKER. Ndërsa të mërkurën, udhëtimi nis nga Tirana për Durrës – Berat - Apolloni – Vlorë, ku do të bëhet edhe një udhëtim turistik në bregdetin e jugut. Ditën e enjte, motorët e “EuroTour” do të nisen nga Vlora drejt rivierës, për të mbërritur në mesditë në Butrint dhe në fund, për të kaluar në pikën kufitare për në Igumenicë.

Marre nga : Gazeta Sot


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama