Erion Veliaj dhe sensi i shtetit

Erion Veliaj dhe sensi i shtetit

Gjatë këtyre ditëve shtypi dhe media kanë transmetuar një spektakël të turpshëm në shkelje të vazhdueshme të institucioneve të republikës.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj--zgjedhje personale e Kryeministrit Edi Rama, e ratifikuar me votën e qytetarëve të Tiranës--bllokoi me një qëndrim autoritar një nga rrugët kryesore të Tiranës për të mbajtur një protestë-konferencë shtypi, të populluar nga deputetë socialist, zyrtarë të Bashkisë dhe militantë socialistë, duke sulmuar institucionin që duhet të prezantojë unitetin e vendit, Presidentin e Republikës, dhe gjyqtarët.

Me argumentim vulgar dhe thellësisht fyes për rolin kushtetues të Presidentit, Veliaj e përshkroi veten superior ndaj Presidentit sepse ai është "i zgjedhur i popullit" ndërkohë që, sipas tij, Presidenti është njeri i pazgjedhur.

Zoti Veliaj sulmoi edhe sistemin gjyqësor, tashmë shënjestra e preferuar e çdo sulmi politik, jo vetëm nga socialistët, duke kërkuar ta friksojë atë me turmën e tij të shitur, me qëllimin e vetëm për t'u dukur si flamurtar i gjelbërimit dhe interesave të popullit, për të balancuar kështu projektet klienteliste ndërtimore që ka planifikuar të zbatojë në Tiranë, nën drejtimin e Kryeminsitrit Rama.

Shfaqje të tilla, të cilat po bëhen të përditshme, tregojnë se Zoti Veliaj nuk e ka të qartë se nëse është zgjedhur Kryebashkiak, është zgjedhur për të sistemuar kazanët e plehrave, mbyllur gropat mbi trotuare, rregullimin e ndriçimit në rrugë, përmirësimin e transportit publik.

Nga ana tjetër, Zoti Veliaj duhet të hapë të lexojë Kushtetutën e Republikës--mbi të cilën duket se është betuar pa e lexuar--për të zbuluar vendin e tij në renditjen e institucioneve të Republikës së Shqipërisë.

Nëse do ta lexojë do të zbulojë se Presidenti i Republikës zë një kapitull të tërë të Kushtetutës, Pjesën e Katërt, me plot 9 Nene nga 183 që ka Kushtetuta, kurse sistemi i drejtësisë zë Pjesën e Tetë, Nëntë dhe Dhjetë, më saktësisht nga neni 124 deri tek neni 149.

Ndërsa kryetari i bashkisë citohet vetëm në paragrafin e dytë të nenit 109, i cili specifikon rolin ekzekutiv të këshillit bashkiak dhe në paragrafin e tretë të po këtij neni i cili specifikon kushtin e vendbanimit për t'u zgjedhur kryebashkiak. Indirekt kryetari i bashkisë citohet nga Kushtetuta edhe në nenin 69, si papajtueshëmri me funksionin e deputetit.

Kushtetuta është ligji i shtetit shqiptar, por duket se Zoti Veliaj ka tjetër vizion mbi shtetin dhe institucionet e tij. Me sa duket, ai mendon se Shteti është ai së bashku me Shefin e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama