Erdha per lufte gjeta police femra

Erdha per lufte, gjeta police femra

Mbërriti në Tiranë sepse i raportuan se më 22 shkurt do të niste një luftë civile. Mirëpo nuk ndodhi asgjë nga ato që i vinin ndër mend një gazetari të ViceUK. Sipas tij, lëvizja magjike ishte rreshti i policeve femra të vendosura pranë protestuesve. Ai është Jack Davies, gazetari që merret me çështjet e Ballkanit në një nga organet mediatike më të njohura britanike. Edhe ai vetë është britanik. Ka vetëm pak që ka mbërritur në Tiranë. Atë ditë edhe ne ishim në terrenin e protestës. E gjetëm në krye të detyrës, duke pyetur persona që dinin anglisht, në pamundësi për të kuptuar gjithçka që po ndodhte në shesh. Në bisedën me të, zbulojmë impresionet e tij për Tiranën, një nga kryeqytetet ballkanike për të cilin më vonë do të raportonte. Sigurisht që, mendimi i tij për situatën në vend m’u duk aq interesant sa për t’ia përcjellë edhe lexuesve të “Shekullit”. Ulemi të flasim me të dhe bisedojmë edhe më gjatë për pikëvështrimin e tij, për atë që do të raportojë Jack Davies në ViceUK dhe për panoramën që i ka krijuar një kryeqytet si i joni.

Është kjo hera e parë që vini në Shqipëri?

Po, kjo është hera e parë që vij në Shqipëri si gazetar. Kam qenë edhe një herë tjetër në Shqipëri, por si vizitor, jo si gazetar. E megjithatë, unë kam pothuajse tre vjet që po e studioj situatën politike të këtij vendi, pasi ky është një vend që gjithnjë e më shumë më çudit për lëvizjet politike që po bën pas diktaturës. Kur fillova të lexoj për Shqipërinë, një vend që për vite të tëra kishte qenë në komunizëm dhe për një vend që u bë i famshëm edhe me lëvizjen e fundit të protestës kundra armëve kimike, gjithnjë e më shumë më tundonte ideja për të mësuar më shumë. Po qëndroj këtu për më shumë se një javë. Dhe do të rri edhe për ca ditë.

Përse jeni të interesuar për Shqipërinë dhe për situatën politike në Shqipëri?

Ka disa gjëra që më pëlqejnë. Duke filluar që nga historia që ka ky popull. Në shekullin e 20-të, ju ishit një vend ende i izoluar dhe hapja e kufijve në vitet ’90, koha kur çdo gjë ishte e mundur të ndodhte, është akoma edhe më tunduese. Është një vend, i cili edhe pse i mbyllur ka shumë ide, ka njerëz plot ide dhe jetë. Kam përshtypjen se të gjithë ata që vijnë t’ju vizitojnë presin një popull të lodhur, të shkëputur nga pjesa tjetër e botës, por në fakt unë këtu shoh të kundërtën. Gjej dhe takoj njerëz plot vitalitet dhe energji për të plotësuar ëndrrat dhe projektet që kanë. Madje, shoh që jeni përveçse njerëz tërheqës që dini të visheni bukur e të ecni bukur edhe shumë miqësorë. Thuajse të gjithë ata që kam takuar rrugëve të këtij kryeqyteti këtë javë kanë qenë shumë mikpritës dhe të gatshëm për të më ndihmuar.

Si e mendoje Shqipërinë gjatë kohës që lexoje apo investigojepër të? Sa ndryshe duket ky vend nga ai që imagjinoje përpara se të mbërrije këtu?

Nuk ndjeja ndonjë afeksion të madh për këtë vend gjatë kohës që përpiqesha të mësoja më shumë. Isha thjesht kureshtar. Ndërsa tani jam shumë i lidhur me këtë vend. Kam miq këtu, shqiptarë që i kam njohur jashtë Shqipërisë dhe për këtë vend tani ndiej të njëjtin afeksion që kam për shqiptarët që njoh. Është shumë ndryshe. Unë i njoh të drejtat e punëtorëve, por në vendin tuaj ky është një diskutim që lë shumë hapësira. Ka aq shumë femra që punojnë në industrinë e veshmbathjeve dhe që punojnë përreth 12 orë dhe shumë prej tyre nuk i njohin të drejtat e tyre. Është mirë që punoni shumë, por ndërkohë nuk është mirë që punëtorët këtu shfrytëzohen dhe nuk paguhen. Dola pak jashtë pyetjes suaj, por do të doja shumë ta thosha këtë: Ju jeni një popull që duroni shumë. Dhe këtë nuk e kisha zbuluar kur lexoja dhe studioja për këtë vend. Këtë e kuptova vetëm kur mbërrita këtu. Ka shumë gjëra, të cilat as që i kisha menduar përpara se të vija këtu...

Ju jeni këtu si gazetar kulture, gazetar politike apo korrespondent trazirash?

Jam këtu si gazetar politike. Punoj për ViceUK dhe kryesisht jam i interesuar për situatën politike në Ballkan. Këto kohë kam punuar në Bosnjë, Serbi, Prishtinë, Kosovë, në Malin e Zi dhe tani në Shqipëri. Erdha këtu pasi më thanë se do të kishte një protestë që mund ta çonte Shqipërinë në një luftë civile. Nuk jam korrespondent trazirash, por jam gazetar politike. E meqenëse raportoj nga Ballkani për ViceUK, mbërrita në Tiranë pak përpara zhvillimit të protestës.

E në fakt si e përjetove protestën dhe a pe ndonjë grimcë nga ajo nota e protestës për të cilën more rrugën për të mbërritur në Tiranë? A ishin lëvizjet politike ato të cilat ju i prisnit apo i parashikonit?

Isha në Prishtinë në fillim të këtij muaji kur më telefonuan dhe më thanë të lija çdo gjë që kisha në dorë për të udhëtuar drejt Tiranës. Unë realisht nuk e besoja se kjo do të ishte një protestë agresive, por kështu ma prezantuan rastin. Madje, disa prej atyre që po më thoshin të nisesha menjëherë drejt Tiranës, më thanë se nga kjo protestë mund të lindte një luftë civile. Edhe pse nuk e besoja, dhe u thashë që kjo është e pamundur pasi unë po e përjetoj situatën më nga afër, ata më thanë të nisesha. E kështu mbërrita në Tiranë për të ndjekur një protestë që rezultoi të ishte paqësore, shumë më paqësore se ajo në Ukrainë. Ndoshta media në botë po përgatitej për një protestë të tillë, unë jo. Ndaj, nuk u çudita shumë kur protesta shkoi ashtu si shkoi. Disa javë më parë isha pjesë e një proteste shumë agresive në Maqedoni, duke iu referuar krizës në Ukrainë dhe Ballkanit shpeshherë i shfaqur pa stabilitet, isha i sigurt që në Shqipëri nuk do të niste një luftë civile kundër një qeverie, që ka vetëm gjashtë muaj në pushtet.

Dhe pse mendoni ju se protesta mori nota të qeta dhe jo agresive?

Rreshti i atyre vajzave police mendoj se ka qenë një nga lëvizjet më të zgjuara që mund të bënte policia dhe pushteti në këtë proteste. Edhe sikur protestuesit të kishin ndër mend t’i jepnin protestës nota agresive, ofenduese dhe të dhunshme, këto police femra me imazhin e tyre do të mund të zbusnin shumë gjëra. Sepse në thelb ato janë gjinia që reflekton siguri dhe tregojnë më shumë humanizëm se kushdo dhe çdo gjë tjetër në këtë botë. Edhe nëse protestuesit do të tregoheshin agresivë dhe do të sulmonin policinë, unë isha i sigurt që policia shqiptare nuk do të reagonte në protestën e 22 shkurtit njëlloj siç u tregua policia në protestën e 21 janarit. Nuk mund të bëhej i njëjti gabim dhe për mëtepër një pjesë e imja mendonte se kjo do të ishte një protestë kur policia do të ishte tërësisht e tërhequr. Në fakt, nuk më kishte shkuar ndër mend se do të parakalonte në protestë një rresht me femra police. Kur i pashë mendova se kjo është një zgjidhje shumë e bukur e qeverisë shqiptare dhe që sigurisht, u binda se kjo protestë do të ishte paqësore. Edhe fotografitë ishin të bukura atë ditë. Ishte një protestë që në momentet e shfaqjes së atij rreshti policie plot me femra nuk kishte më dyshime për mbarëvajtjen e saj.

Ju keni udhëtuar nëpër Ballkan. Me cilin popull ngjajmë më së shumti?

Kam menduar se ju do të ishit të ngjashëm shumë me shqiptarët e Kosovës, meqenëse ju flisni të njëjtën gjuhë, por edhe me ta keni ca ndryshime, ndoshta sepse rrjedha politike e vendit tuaj dhe Kosovës nuk ka qenë e njëjtë. Sigurisht, ju keni shumë të përbashkëta, por po ashtu edhe shumë dallime. Është e vështirë për t’ju krahasuar me ndonjë vend të Ballkanit. Mendoj se keni disa të përbashkëta me Bosnjën. Nuk e di pse më erdhi ndër mend Beogradi kur e nisët këtë pyetje. Nuk e di realisht me cilin vend t’ju krahasoj. Jeni vërtet ndryshe.

 
Çfarë më pëlqeu nga Shqipëria

Kam takuar shumë të rinj. Jeni plot energji dhe ide. Dhe me çdo kusht kërkoni që t’i realizoni projektet tuaja. Edhe pse nuk besoni shumë tek qeveria, tek pushteti ju këmbëngulni të gjeni shtigje për t’i realizuar objektivat tuaja. Organizatat e huaja, shoqatat apo grupimet këtu në Tiranë më duken shumë interesante. Mjafton vetëm një projekt dhe disa persona dhe menjëherë hidheni në zbatim. Më pëlqen energjia e të rinjve dhe përpjekja e tyre për të realizuar ëndrrat, paçka se shpeshherë dëgjoj të flitet për korrupsion dhe për zhgënjim nga radhët e politikës. Unë thjesht i kam dëgjuar këto. Deri më tani nuk jam askush për të thënë nëse politikëbërja në Shqipëri ka qenë apo është e mirë, por dëgjoj dhe takoj të rinj me plot ide të reja, por të zhgënjyer nga hapësirat publike. Ah, më pëlqen edhe diçka tjetër. Një vit më parë kur mbërrita këtu për herë të parë si turist, jam mahnitur me paradën që bëjnë të rinjtë në këtë kryeqytet. Visheni të gjithë shumë bukur dhe jeni të gjithë njerëz që pa frikë mund të dilnit në revista. Të rinjtë këtu në zonën e Ish-Bllokut të ofrojnë panoramën që mund të gjesh në një revistë mode. Të gjithë të veshur bukur, të kuruar dhe të zotë për të ecur si në ndonjë pasarelë. Më pëlqen kjo. Për herë të parë, kur kam ardhur si turist, kam menduar këta janë njerëzit që do t’i sjellin Shqipërisë një lloj kulture që nuk e ka pasur kurrë më parë ky vend, një kulturë të bukur, ashtu siç reflektojnë bukuri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama