Emily Blunt Ja per ke kendon Buble

Emily Blunt Ja për kë këndon Buble

Mbiemrat ndonjëherë gënjejnë. Ai i Emily Blunt me siguri. Blunt në të vërtetë do të thotë: pa maja, i pa mprehur. Por mjafton të shohësh këtë aktore angleze, për të kuptuar se ajo ka ca thumba e pak ashpërsi. Dy sy të kaltër goditës dhe të padepërtueshëm dhe një buzëqeshje që mund të shndërrohet në një pjesëz sekonde në djallëzore, po i shënojnë karrierën duke e kapur pas roleve prej një djallusheje të vërtetë. 

Në filmin e saj të parë “My summer of love”(“Vera ime e dashurisë”) ishte Tamsin, aristokratja e re që i nxin jetën të gjorës Mona, një gjashtëmbëdhjetëvjeçare që jeton në qytezën angleze, ku aristokratja ka shkuar për pushime. Është pastaj radha e Emili-së së uritur (“nuk ha asgjë dhe kur ndiej se po më bie të fikët kapërcej një copë djathë. Sot më duhet vetëm një kolit dhe arrij në peshën ideale”), që shfaqet si sekretarja e parë te filmi “Djalli vishet me Prada”. Femra e fundit e keqe që interpreton është Mara, një bashkëprotagoniste në filmin “Mohoni të vërtetën”. Dhe nëse sekretarja fashion ia arrin më në fund (pasi një taksi e bën pis me ujë) të bëhet simpatike, në filmin psikologjik bëhet tifo për protagonisten tjetër nga fillimi deri në fund.  

Në jetën reale, në mos antipatike, Blunt është një nga ato që në moshën 24-vjeçare gjërat i thotë hapur edhe kur janë me spec: “Nuk doja të bëhesha aktore, jam gjendur rastësisht. E marr me mend se disa torturohen me vite për pak sukses, po kjo është e vërteta”. As nuk shqetësohet që ngjitet në skenën e Globit të Artë për të marrë çmim pa përgatitur një fjalim sado të shkurtër falënderues. Por kur Meryl Streep thotë për të se është “një nga aktoret e reja më të mira me të cilat kam punuar, në mos më e mira”, ndoshta një të drejtë mëndjemadhësie e ka.

Dhe si për ta bërë të lakmueshme deri në fund, shfaqet historia e dashurisë me këngëtarin kanadez Michael Bublé, para të cilit dhe Redon Makashi do dukej se këndon këngë të ashpra. Ka një legjendë, sipas së cilës ajo e ka ndjekur pas një koncerti në dhomëzën e përgatitjeve dhe që nga ajo natë nuk i është ndarë më: për t’i qëndruar afër është transferuar nga Londra në Vankuver dhe ka udhëtuar në një turne të gjatë me një mikrobus bashkë me pesë djemtë e tjerë të grupit. Ai ndërkohë e shpërblen ashtu siç i ka hije një romantiku: i ka kushtuar një këngë (titullohet “Everything”(Gjithçka) në të cilën ndër të tjera këndon: je pishinë në një ditë gushti), ka kënduar duet me të “Me and Mrs Jones” (“Unë dhe zonja Xhons”) dhe kur pyetet cili ka qenë çasti më emocionues i karrierës së tij, ai përgjigjet: “Mbrëmja kur Emili fitoi Globin e Artë”. Bashkë kalojnë mbrëmje në shtëpi, pinë verë të kuqe dhe luajnë lojëra dhe kur dalin, udhëtojnë me motor, që duke marrë parasysh të ftohtin që bën në Kanada, kuptohet sa duhen. Dhe deklarata më pikante është që ai e do me taka të larta, sepse adhuron këmbët e saj, por për të shuar erosin dhe ndezur më tepër ndjenjat, shton se i pëlqejnë dhe kur kanë shenjat e lidhëseve të këpucëve sportive. Si mund të mos e duash një të tillë? Dhe për ta mbajtur të lidhur pas vetes Blunt u drejtohet parukerive duke e shndërruar ngjyrën e saj të flokëve gështenjë të errët herë në të kuqe herë në të zezë si korb apo ngjyrë mjalti. Zbaton teorinë që në rast se partneri yt do donte femra të të gjitha ngjyrave (“Është e pabesueshme ajo që bëjnë fanset e tij, i hedhin edhe mbathje në skenë”) nëse ti transformohesh, nuk do ketë kuriozitetin për të kërkuar më larg. Po ndoshta për Emilinë nuk do kishte nevojë për shumë të ulura në poltronën e parukieres. E ka provuar vallë ndonjëherë me një nga ato vështrimet e saj paralizuese?

Marre nga : Revista Jeta


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama