Eliminimi i aleateve Berisha qorton Bashen

Eliminimi i aleateve, Berisha qorton Bashen

Pavarësisht tkurrjes gjithnjë e më të madhe të opozitës, kreu demokrat Lulzim Basha ka vendosur të mos lëshojë pe me aleatët. Edhe pse jemi dy muaj nga zgjedhjet lokale dhe një pjesë e aleatëve tashmë e kanë lënë në “baltë” Partinë Demokratike, duke iu bashkuar koalicionit qeverisës, Basha vazhdon të sillet indiferent ndaj atyre pak aleatëve që kanë mbetur, duke mos i ofruar asnjë bashki, përveç PR-së.

Ikja e partive nga blloku opozitar lidhet me kërkesat e paplotësuar nga ana e kreut demokrat për përfaqësim në zgjedhjet lokale. Për situatën e krijuar, e cila është shndërruar në një lloj trendi, “selia blu” nuk ka pasur asnjë reagim. Rregullin e vendosur nga Basha, për të mos u shprehur për fenomenin e ikjes së aleatëve nga blloku opozitar, si gjithmonë edhe kësaj radhe e thyen ish-lideri demokrat, Sali Berisha. Në konferencën e djeshme, duke folur për procesin e negociatave me aleatët, Berisha shprehu haptazi qëndrimin e tij, se nga ana e Partisë Demokratike dhe liderit të saj duhet treguar më shumë kujdes. “Duhet më shumë kujdes në negociatat me aleatët.

Eksperienca e krijuar në këto zgjedhje, do t’i shërbejë Bashës për një platformë më soft në negociatat me aleatët, të cilët e kanë një dhunti që sa më të vogël të jenë, aq më të ashpër janë. Edhe më shumë kujdes, po tregohet, por duhet edhe më shumë kujdes”, tha Berisha. Deklarata e Berishës është në sinkron me indiferencën që po tregon Basha ndaj aleatëve, duke mos i dhënë kandidat në zgjedhjet lokale.

Nuk ka demokraci

Pa garë. Pa konsulta me qytetarët dhe pa asnjë gramë demokracie, “selia qendrore” e PD-së në Tiranë ka zgjedhur kandidatëtpër kryetar bashkie. Ky është konkluzioni që ka nxjerrë kreu i republikanëve, Fatmir Mediu, për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve nga kreu demokrat Lulzim Basha, proces i cili po shkon drejt përmbylljes. Fjalimi që Mediu ka mbajtur në Asamblenë e Partisë Republikane, ku është zgjedhur kryetar i saj, deputeti Agron Duka, ka pasur në fokus veçmas mënyrën se si Partia Demokratike ka zgjedhur kandidatët dhe eliminimin që i ka bërë aleatëve. Gjatë fjalës së tij, Mediu u shpreh se në opozitë nuk ka demokraci të brendshme dhe gjithçka kontrollohet nga lidershipi. Por as deklaratat kërcënuese të Mediut dhe as “divorci” i disa partive opozitare, nuk i ka bërë përshtypje kreut demokrat Lulzim Basha.

Mediu, afate PD-së

Ndërsa është ndalur te emrat e kandidatëve të zgjedhur nga Basha, kreu republikan theksoi se personave që kishin aftësi të konkurrojnë, nuk i është dhënë mundësia të përballen me garën. Sipas Mediut, kandidatët janë zgjedhur në Tiranë, pa u pyetur baza nëpër rrethe dhe pa u testuar emrat. “Duke besuar se Partia Demokratike ka bërë zgjedhjen e duhur në Durrës dhe në bashkitë e tjera, ne do të angazhohemi maksimalisht për të mundësuar fitoren tonë të përbashkët”, tha Mediu.

Partia Republikane i kujton PD-së se deri më 5 maj do të presë për plotësimin e të gjithnjë detyrimeve që kjo parti ka ndaj tyre, sipas marrëveshjes së firmosur. Në fjalën e mbajtur në Asamblenë Kombëtare të kësaj partie, kryetari Fatmir Mediu tha se, PD-ja duhet t’i përmbahet marrëveshjes. “PD-ja ka detyrim përballë PR-së të angazhohet në plotësimin e detyrimeve të kësaj marrëveshjeje, deri në regjistrimin përfundimtar të kandidatëve, në mënyrë që të mos ketë vendim të njëanshëm, të pakëndshëm, që do të synonte, jo thjeshtë marrëdhëniet tona, por shanset për fitore. Ne vlerësojmë seriozisht se, në disa bashki të rëndësishme garojnë përfaqësues të lartë të PR-së.

61 kandidatët janë sa të PD-së dhe të PR-së. Të gjithë këshilltarët që konkurrojnë në këtë zgjedhje të jenë pjesë e angazhimit të përbashkët”, tha Mediu. Ai nënvizoi sërish se, kishte qenë vetë Basha dhe PD-ja, e cila i kishte kërkuar kandidimin e Agron Dukës për garën elektorale të 21 qershorit në Bashkinë e Durrësit. Por “rasti Duka”, sipas tij, tashmë është një histori e tejkaluar, por nuk heziton ta quaj lojë jo të ndershme.

Duke e quajtur Agron Dukën si një vlerë të shtuar për Partinë Republikane, Fatmir Mediu, e propozoi atë si kryetar të Asamblesë. Vetë Duka, pretendent deri në minutën e fundit për të garuar në Durrës për opozitën, bëri këtë koment për kandidaten: “I plotëson parametrat që na siguron fitoren dhe prandaj i ftoj të gjithë mbështetësit e mi të mbështesin kandidaturën e zonjës Duma”. Kur Duka mbaroi fjalën, nuk mungoi një batutë për Grida Dumën nga njëri prej anëtarëve të Asamblesë, i cili sugjeroi se “Duma është shumë nevrike dhe duhet të qeshë më shumë”.

Basha: Qeveria godet qytetarët, mbron mafiozët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka prezantuar kandidatin për kryetar bashkie në Vaun e Dejës, Zef Hila. Në fjalën e tij, Basha ftoi qytetarët që të votojnë për alternativën e djathtë, pasi vetëm në këtë mënyrë, do të largohet, ajo që sipas kreut demokrat, është e keqja që ka mbërthyer vendin. “Më 21 qershor do të votojmë të gjithë bashkë, për t’i treguar Ilir Metës dhe Edi Ramës se, banorët e kësaj zone nuk e ulin kokën para poshtërimit, nuk mund ta pranojnë politikën e lakut në fyt që i lë pa bukë në tryezat e tyre, ndërkohë që mbush kontot dhe valixhet e qeveritarëve të korruptuar, Ilir Meta dhe Edi Rama.

I godasin qytetarët e pafajshëm e të pamundur, por i mbrojnë mafiozët e kriminelët, Ilir Meta dhe Edi Rama, që ulen e hanë në sofrën e tyre”, theksoi kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Kryetari demokrat ka shpalosur ofertën e re, që sipas tij, do të çojë vendin drejt ringritjes. Ulja e taksave, e çmimit të naftës dhe karburanteve, zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës, është mënyrë për të dalë nga kjo situatë ekonomike, deklaroi Basha. Kandidati për kryetar bashkie i Vaut të Dejës, Zef Hila, theksoi se projekti i tij do të mbetet zhvillimi ekonomik dhe punësimi. “Bashkia e Vaut të Dejës do të jetë një model, do të marrë një fytyrë të re, për një zhvillim, punësim, dinjitet”, tha kandidati për kryetar i Bashkisë së Vaut të Dejës Zef Hila.

PD, fushatë kundër Veliajt: Ministër i dobët

Partia Demokratike ka nisur fushatën e akuzave ndaj Erion Veliajt, i cili pak ditë më parë është shpallur kandidat i koalicionit të majtë për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Gerti Bogdani, deputet i Partisë Demokratike, është shprehur se Veliaj nuk ka bërë asgjë gjatë viteve të mandatit të tij në krye të ministrisë, në këtë mënyrë ai nuk do të bëjë asgjë për Tiranën, nëse zgjidhet për të drejtuar bashkinë. Më tej, duke folur për eksodin e shumë shqiptarëve kohët e fundit, ai u shpreh së Veliaj në bashkëpunim me Kryeministrin Edi Rama janë fajtorë për situatën e rëndë ekonomike në të cilën ndodhet vendi.

Berisha: Nuk kam ndërhyrë për zgjedhjen e kandidatëve

Berisha u shpreh për herë të parë lidhur me vendimet e Partisë Demokratike për zgjedhjen e kandidatëve të bashkive. Si një ndër marrëveshjet që pati më shumë debate ishte ajo me PR-në, për kandidimin e Agron Dukës në Durrës. Berisha deklaroi se nuk ka ndërhyrë në negociatat e PD-së me asnjë prej partive të koalicionit të djathtë, duke ia lënë zgjedhjen në dorë të lirë kryetarit aktual, Lulzim Basha. “Absolutisht s’kam ndërhyrë në asnjë kandidim ose moskandidim. Kreu i PD-së këtë radhë ka përdorur një metodë, e cila kurrë nuk është përdorur nga unë, kjo metodë ishte e bazuar në ‘poll’-e në bashkitë më kryesore.

‘Poll’-et, këto 15 vitet e fundit janë futur si një shtyllë e demokracisë në qeverisje. Ai i ka respektuar ‘poll’-et rigorozisht. Halim Kosova është një mjek i shquar me reputacion të pakontestueshëm e ka detyrë të zgjedhë ekipin e tij, në mënyrë shumë të prerë”, tha Berisha, i cili ka deklaruar vazhdimisht se nuk u beson sondazheve. Ndërsa pyetjes për kandidatët e Tiranës, Berisha iu përgjigj: “Vlerësoj kandidatin e PD-së në Tiranë, kandidat i shkëlqyer për ata që kërkojnë vlerat. E vlerësoj si kandidat i fitores. Halim Kosova është një mjek i shquar me reputacion të gjithanshëm e të pakontestueshëm”.

“Nga mjekët që unë njoh është menaxheri më i mirë, ai ka dëshmuar në këto vite aftësitë menaxheriale më të shkëlqyera. Është një humanist i madh, një njeri që ka dhunti shërbimin, ai ka brenda vizionin më të qartë se si t’u sillet qytetarëve me shërbimet më të mira”, tha Berisha. Më tej, ai tha se nga të gjithë kandidatët e rreshtuar në krahun opozitar nuk di ndonjë tjetër që të jetë më konsensual. “Është e natyrshme që dhe fushata e tij bazohet mbi vlerat që ai ofron, bazohet mbi paketën e shërbimit ndaj qytetarëve. Zgjedhja është politike, që të gjesh një njeri në moshën e Kosovës që nuk është politik kjo është e pamendueshme. Unë personalisht e gjykojë kandidat të fitores”, tha ai.

Tkurret PR-ja, largohen Alibali dhe Baze

Partia Republikane ka mbetur pa dy nga figurat kryesore të saj. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Partinë Demokratike për koalicion të përbashkët në zgjedhjet e qershorit, Partia Republikane ka humbur dy prej figurave të saj. Në takimin e kryesisë së Partisë Republikane nënkryetari i kësaj force Neritan Alibali, si dhe sekretari për çështje politike, Olsi Baze, kanë deklaruar se do të dorëhiqen dhe nuk do të jenë më pjesë e Partisë Republikane.

Largimi i tyre nga drejtimi i strukturave të partisë është justifikuar me një tërheqje për arsye personale nga politika. Dorëheqja e dy anëtarëve të PR-së vjen në një kohë kur Partia Demokratike, me të cilën është nënshkruar tashmë një marrëveshje koalicioni, refuzoi propozimin e republikanëve për të kandiduar Agron Dukën në bashkinë e Durrësit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama