Eleganca semundja e shekullit

Eleganca, sëmundja e shekullit

Në shekullin XXI, imazhi i femrës ideale është që të jetë e gjatë dhe e dobët. Në vitet ‘60 pamja e Grejs Kellit mënjanoi imazhin e Merlin Monrosë. Bukuria është e barabartë me elegancën. Dieta, ushtrime fizike, pa bark dhe me muskuj të formuar. Kjo, nuk është aspak moda e kohëve të fundit, por prej më tepër se një shekulli është kthyer në një imperativ kategorik, në një detyrim për të gjitha femrat që e adhurojnë të bukurën. Që atëherë ky kult i femrave elegante filloi të thellohej edhe më shumë, duke arritur kulmin në ditët tona e duke na e prezantuar bukurinë ideale me një femër tepër të gjatë dhe me peshë 50 kilogramë.

Në të gjitha epokat ku mbijetesa ishte e vështirë, shëndoshja mishëronte arritjen sociale, mirëqenien. Ishte një dëshmi që ti kishe arritur atë që të tjerët nuk e arrinin dot, pra që ishe në gjendje të përballoje jetën. Preferenca për një shëndet jo të rëndë dhe për femrat me trup të imët, u shndërrua në një obsesion të vërtetë. Sot njerëzit e shëndoshë shihen dhe konsiderohen si persona që nuk e privojnë dot veten nga kënaqësitë e ushqimit e që nuk kanë vullnet të marrin një iniciativë të tillë. Mesazhi, i cili nuk pëlqehet nga ne, është pikërisht mosarritja e kontrollimit. Po ashtu, të mbash peshën tënde nën kontroll është konsideruar si një tregues i shëndetit, përveçse një detyrim estetik. Edhe në atë kohë, divat e Hollywood-it përdorin dieta ose ndiqnin rrugë të ndryshme për të ruajtur peshën e tyre ideale. Megjithatë, shumë pak e pranojnë. Është njësoj sikur ne të kemi një formë vetëndëshkimi dhe tentojmë të arrijmë një peshë tepër të lehtë, madje ekstreme. Në të vërtetë, të jesh e bukur, por edhe elegante, sot është kthyer në një ide fikse për shumicën e grave dhe vajzave.

Ndaj edhe dietat apo trajtimet, të cilave iu nënshtrohen, janë vërtet të shumëllojshme. Le ta nisim nga dietat, të cilat shumë femra pas palestrës i shohin si shpëtimin e vetëm për të arritur formën ideale. Në të vërtetë, historia e tyre është vërtet e vjetër, por ato filluan të bëheshin më të "pranishme" në dhjetëvjeçarin e fundit të viteve ‘800, kur revistat e specializuara filluan ta vinin gjithmonë e më shumë theksin te këmbët dhe vithet me formë, por elegante. Pikërisht këto "fiksime" kanë arritur ta çojnë femrën deri në anoreksi, duke i shkaktuar madje dhe vdekjen. Sigurisht që ka edhe vlera pozitive, të cilat shoqërojnë dobësimin. Ajo ka të bëjë me aktivitetin që supozohet të bëhet dramatik, por mbi të gjitha ajo është simbol i rinisë. Të jesh e dobët, është njësoj sikur ta zgjasësh atë. Dhe ajo më e rëndësishmja është fakti se duke qenë në rregull me normat e bukurisë, femrat ndihen më të kënaqura e më të vlerësuara. Megjithatë, të qenit e dobët nuk sjell ndonjë mirëqenie, por pak a shumë kontribuon në personalitetin e femrës.

Nëse një femër është elegante, ajo mendon se ndihet më e vlerësuar nga seksi i kundërt. Në fakt, kulti i dobësimit sjell më shumë mërzi se sa mirëqenie, pasi modelet e propozuara janë të paarritshme nga pjesa më e madhe e femrave. Nga ana mjekësore, trupat e dobët mund t‘i vlerësojmë të bukur, por jo ata anoreksikë. Falë këtij ideali, pjesa më e madhe e femrave, pavarësisht se raporti i peshës së tyre është normal, nuk e shohin veten në "prerjen" e duhur. U duket sikur janë të dhjamosura, kur në fakt nuk janë. Kjo mani e çmendur tashmë për të qenë të dobëta ka përfshirë të gjitha femrat në tërësi, madje duke kaluar deri në ekstrem. Sot shumë femra vuajnë nga kjo fobi. Për shembull, në Greqinë e lashtë rëndësi u jepej trupave atletikë, të cilët reklamonin gjithashtu sforcime "të natyrës". Diferenca është se në Greqinë e lashtë njerëzve nuk u ulej vlera në varësi të paraqitjes së tyre. Ndërsa sot, në kohën tonë, paraqitja ka shumë rëndësi. Marrëdhëniet tona sociale janë të paqëndrueshme, të lehta, e partnerët e dashurisë gjithashtu.

Kërkojmë të bëjmë gjithçka shpejt, të pëlqejmë, të joshim menjëherë. E gjithë ekzistenca jonë është e kushtëzuar nga vështrimi i të tjerëve. Problemi qëndron te kriteret e vlerësimit, të cilat janë shumë ekstreme: duhet të jesh shumë e dobët, e re, po gjithashtu duhet të jesh e shëndetshme e të mos vuash nga probleme të ndryshme. Megjithatë, ne jemi të destinuara të sëmuremi, të vuajmë e në fund të vdesim. Por sëmundja më e keqe për femrën është dhe do të mbetet përjetësisht fiksimi për të qenë gjithmonë elegante.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama