Takimi i djeshëm elektoral në qytetin e Durrësit shënoi incidentin e parë elektoral në kuadër të zgjedhjeve të 21 qershorit. Policia e Durrësit bën me dije se i plagosuri në incidentin e djeshëm është djali i kryetarit të PD-së së Durrësit, Osman Stafa. Sipas Policisë së Durrësit, ditën e djeshme rreth orës 19:45 shtetasi XH.K ka dhunuar fizikisht nga shtetasin Ergi Stafa, 21 vjeç. Ky i fundit ka depozituar në polici një dëshmi për ngjarjen.
Nga dëshmia e tij rezulton se shtetasi Ergi Stafa është dhunuar me sende të forta nga XH.K, i cili më pas është larguar nga vendngjarja me një mjet tip “Alfa Romeo”. Menjëherë pas kësaj, i dhunuar është dërguar për në spital ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë në Policinë e Durrësit është ngritur një grup i posaçëm për zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe vënies përpara ligjit të autorit të ngjarjes.