Drejtoret e rinj perballe ciklonit politik

Drejtoret e rinj perballe ciklonit politik

Dy drejtorët më të përfolur në strukturën e Ramës kanë qenë respektivisht Gjet Ndoj, drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit dhe Ilir Kerni, drejtori i ri i TKOB-it. Të dy e dinë mirë sfidën që i pret dhe nuk tremben, madje kanë shpallur hapur dhe sfidat e tyre...

Pak javë më parë, Gjet Ndoj, shkonte si një nga të pasionuarit e historisë në Arkiv për të kërkuar dokumente plotësuese për librat e tij, që duhet thënë se nuk kanë pasur ndonjë impakt të madh në publik, por ajo kohë i ka mjaftuar të shikojë në realitet se si veprohej me dokumentet. Kurse, Ilir Kerni është rritur në TKOB-in dhe të vetmet fjalë kundër tij, nëse do t’i quajmë kështu ato që pëshpëriten këto ditë, janë ato që thuhen nga PD-ja se paraardhësi i tij Zhani Ciko e meritonte qëndrimin edhe më tej. Por, ndërsa për këtë të fundit, strukturat e Ramës kanë qenë të justifikuara, nuk mund të flitet aspak kështu për Arkivin. Znj. Nevila Nika, ish-drejtoresha e vjetër në këto ditë është përplasur keq me drejtorin aktual. Në përballje kanë dalë shkollimet e tyre, por edhe historia familjare.


Kerni është treguar më i tërhequr dhe në ditët e para i duhet që të vendosë një balancë në këtë institucion gjigand të artit, i cili është i mbushur me një reklamë të madhe, por që duhet thënë se ka gjithnjë e më pak impakt te njerëzit. Për këtë Kerni është i ndërgjegjshëm dhe nga këtu do e fillojë.


Ndërsa Ndoj, e mendon sfidën me dixhitalizimin, një sfidë po aq të madhe, por në një drejtim tjetër, ku ai duhet të përveshë mëngët dhe të kalojë në një zonë që s’do jetë aq e lehtë për të.
E në fund, për të dy duhet thënë se do jetë puna ajo që do të tregojë vërtetësinë e vendimeve të Ramës dhe jo fjalët e fillimit të tyre.
 
 
"Duhet që të shkohet më lehtë tek dokumenti"

Drejtori i ri i Arkivit Kombëtar, Gjet Ndoj, flet për punën e tij dhe atë që mendon se do të ndryshojë në institucionin e vet. Sfidat që e presin, por ndërkohë edhe shumë gjëra të tjera, që lidhen me gjendjen aktuale dhe pengesat e ndryshme
 
Është një detyrë disi e vështirë për Ju, sa i përket parametrave të rëndësisë. SI e keni pritur?


“Pikë së pari, detyrën që më është besuar e konsideroj të rëndësishme për karrierën time. Është një besim që kryeministri e tregon duke më dhënë këtë detyrë të lartë dhe të rëndësishme. Natyrisht, edhe natyra ime është që se shkel besimin e askujt dhe ca më tepër kryeministrit të vendit, që më besoi një institucion kaq shumë të rëndësishëm, sa i përket detyrave të tij. Këtu ruhet, mbrohet dhe shërbehet përmbajtja e të vërtetës sonë dhe sojit tonë, që para se të krijohej shteti ynë. Këtu është memoria e kombit shqiptar dhe e shtetit. Këtu është e vërteta që mbrohet dhe ruhet në një errësirë të padukshme, do të thosha në thonjëza. Bërja e tij e aksesueshme dhe më e afrueshme do të jetë një kontribut i atyre që kërkojnë qoftë hulumtuesit, studiuesit, pronarët dhe ish-pronarët, që kanë dokumente nga kohë e mëparshme”.
 
Cilën mendoni si sfidën më të madhe në këtë institucion?


“Sfida ime më e madhe është që përveçse të jetë më e aksesueshme për të interesuarit, të bëhet shpejt edhe dixhitalizimi i tij. Kjo është një gjë në objektivin tim kryesor, për këtë ide kaq bashkëkohore. Unë kam shansin se jam në kohën e duhur dhe detyra është e mundshme të bëhet. Ky është vullneti, i pari, ndërsa rrugët do gjenden duke besuar që ekziston edhe vullneti i qeverisë në mënyrën që ky institucion të jetë jo vetëm një institucion që mbron të drejtat por edhe të jetë sa më në dobi të studiuesve dhe njerëzve të interesuar”.
 
Si do ta realizoni këtë?


“Jemi në kërkim të rrugëve. Deri tani, ju shpreha vullnetin dhe synimet, si edhe ambiciet e mia. Kjo do bëhet me konsultë të plotë me kryeministrinë dhe institucionet e ngjashme që mund të mbështesin”.


Edhe njëherë, nuk mendoni se e keni infrastrukturën e duhur....?


“Derisa të them sfida të mëdha, atëherë duhet të kuptohet edhe infrastrukturë ndryshe sepse po të ishte kjo mirë do reflektohej. Duhen ndryshime që të përballin sfida”.
 
Arkivi jonë pretendohet se ka qenë pak hermetik në krahasim me sivëllezërit e Ballkanit, që po ashtu janë hermetikë në përgjithësi për studiuesit ballkanas. A mendoni se do të jeni më fleksibël në këtë detyrë?


“Ekziston një praktikë bashkëpunimi . Natyrisht do përpiqemi që ky bashkëpunim të intensifikohet në dobi të arkivit dhe të interesit tonë në bashkëpunim me arkivat turke, austriake dhe të tjerë angleze, ku kemi dokumente e ku mund të marrim metodologjinë. Ne kemi një bashkëpunim me Institutin e Albanalogjisë. Do arrijmë të bëjmë bashkëpunime më të afërta me njëri-tjetrin. Sa i përket arkivit që kemi, mendoj se është një pasuri e madhe, por për hir të së vërtetës është zor të shkosh atje ku dëshiron sepse nuk është i strukturuar ashtu si duhet. Për mua që dokumenti të jetë i aksesueshëm duhet të shkosh direkt te dokumenti. Do punë kolosale që kjo të bëhet në një formë sa më të përshtatshme e të shkojë atje ku duhet dhe natyrisht është sfidë kolosale për punonjësit e mi”.
 
Cili është formimi juaj bazë dhe mendoni se i përgjigjet detyrës suaj?


“Formimi im bazë është histori dhe gjeografi. Kam ushtruar detyrën e mësuesit pasi kam mbaruar në vitet ‘84-‘88 universitetin në një shkollë ne Mirditë. Pastaj, për shkak të background-it tim, kam dhënë kontribut intelektual duke qenë autori i 5 librave".
 
Po me policinë çfarë lidhjesh keni?


“Dua të theksoj se në background-in tim, për hir të skeptikëve, është e vërtetë të theksoj se kam punuar në polici, si shef komisariati në Kukës dhe në Elbasan, ku kam punuar në Drejtorinë e organizimit të personaliteteve në Drejtorinë e Brendshme. Kam pasur dhe specializime dhe jam trajnuar në Romë me një grup sesi funksionon struktura e Brendshme e Ministrisë së Brendshme. E them me respekt se po të mos e kisha këtë përvojë, do isha më i mangët se sot. Ajo përvojë është një periudhë dhe periodë që më ndihmon për ta parë dhe perfeksionuar këtë strukturë”.
 
Po me vendimin e kryeministrit, si jeni ndjerë?
 
“E kam lënë që ta justifikoj për përgjegjësinë e vendimit që ka marrë”...
 
***
Nevila Nika për shtypin:


"Ai të jep përshtypjen se e meriton plotësisht”


Ish-drejtoresha e Arkivit shprehet për pasardhësin e saj dhe diferencën me njëri-tjetrin në medien e përditshme


“Ai të jep tashmë përshtypjen se e meriton plotësisht atë post, pasi është jo vetëm ‘patriot’, por ai më shumë do t’i menaxhojë arkivat, kështu që nuk do t’i duhen njohuritë profesionale. C.V-ja e tij është mbresëlënëse aq sa unë ndjehem një “hiç”. Titujt, unë i kam fituar me shumë punë.


Dhe së fundi, sa për patriotizëm apo atdhedashuri, Z.Ndoj nuk mund të më dalë përpara. Jam mbesa e juristit të shquar profesor (Hoxha) Kadri Prishtinës, themelues e kryetar i Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, deputet e Ministër Drejtësie në qeverinë e Kongresit të Lushnjës, dhe mbesa e gazetarit, shkrimtarit, shqipëruesit dhe shtetarit të rrallë, birit të Labërisë Ismet Toto.


Në fund,unë jam vajza e Prof. Bujar Hoxhës, një themelues i Universitetit te Tiranës. Nuk mund të lë pa thënë, se prindërit e të afërmit e mi, janë veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Siç e sheh, edhe unë u bëra si Beluli, por u detyrova.


Gjithsesi, institucioni është në të njëjtën gjendje të vitit 1952, kur drejtori Zef Mala, u burgos politikisht dhe toger Ismail Nuhu e zëvendësoi. Ishte koha, kur digjeshin dokumentet!


E zgjata pak, jo që detyrimisht të shkruani për mua, por që të kuptoni se çfarë ka ndodhur: Vlerësohet ai që nuk di çfarë është protokolli!


Në mos gabohem, zotëria ka vetëm një diplomë instituti 2-vjeçar, gjë që do të thotë, pa arsim përkatës, sepse në vitin 2010 ka një Vendim të Këshillit të Ministrave, që nuk lejon që të caktohen në çfarëdolloj posti drejtuesi, kushdo”.
 
***
"Dua profesionistët në TKOB dhe jo reklamën pa kriter"


Drejtori i ri i TKOB-it, Ilir Kerni, shprehet për realitetin e ri me të cilin ballafaqohet në institucionin e vet, por edhe sfidat që e presin në të ardhmen

Si e keni pritur emërimin si drejtor i Operës dhe Baletit shqiptar?


“Ky është vlerësimi më i madh që më bëhet në jetën time, e zgjedhja ime në këtë detyrë më nderon pa diskutim, por them se nuk turpëron as ata që vendosën për kandidaturën. Kështu e shikoj dhe e vlerësoj në emërimin tim në krye të TKOB-it. E vërteta është se do të doja të kontribuoja në këtë moment ku ndodhet vendi, pasi mendoj se jemi ndoshta në sekondat e fundit kur kemi shansin për të ndryshuar shumë gjëra dhe më kryesorja mentalitetin në raport me punën, etikën, korrupsionin etj, e nga ana tjetër padyshim kjo rrit përgjegjësinë time morale përpara kolegëve artistë të TKOB, të cilët dua t’i siguroj se do punoj me dashuri e pasion por mbi të gjitha me pastërti . Epoka ime si artist mbaron dhe fillon ajo në shërbim të artistit, do të jem me gjithë shpirt pranë çdo artisti që do të tregojë vlerë, punë dhe talent.TKOB-i është shtëpia e të gjithëve ku të gjithë artistët e kanë derën të hapur të kontribuojnë dhe të jenë krijues, pjesëtarë për një teatër ndryshe, teatër të ndërtuar nga të gjithë.
 
Me çfarë vështirësish jeni përballur në ditët e para të punës si drejtor dhe si do ta zgjidhni  teknikisht qenësinë dhe njohjen tuaj më afër baletit sesa me operën, që duhet thënë se ka pasur pjesën e luanit, sa i përket financimeve dhe aktiviteteve, në këto vite?


“Nuk kishte internet në zyrë, kompjuteri nuk punon, por shpejt shpresoj se çdo gjë do të jetë në rregull. Platforma ime besoj është demokratike: të punojmë për teatrin dhe jo për ambiciet, egot tona, se do na lenë mbrapa. Ta themi këtë të gjithë në unison do të biem dakord me çfarë nuk ka shkuar që ta korigjojmë dhe çfarë ka shkuar ta mbajmë. Prapë e lidh me idenë e hedhur nga ana ime se idetë do të jenë të njerëzve më të talentuar që kemi e ata do ta bëjnë këtë pjesë për të cilen ju flisni, pasi kursesi nuk ndodh që drejtori i përgjithshëm i një teatri të jetë specialist për gjithçka, pasi me këtë mendim jemi të destinuar të dështojmë. Edhe njëherë: janë njerëzit e fushës, ata më të talentuarit, të cilëve u jepen kompetenca të plota. Shteti udhëhiqet në këtë formë, mënyrat e vjetra janë kohë e skaduar, ndërsa sa i takon pjesës së argumentit në princip mund të them se jam drejtori i përgjithshëm dhe kam përgjegjësi për të gjithë sektorët që përbëjnë TKOB-in, ndaj edhe njëlloj dhe është e pafalshme, që dikush të denigrohet”.
 
Nga keni filluar të mendoni për ndryshimet në institucion dhe cili është modeli juaj?


“Mendoj se struktura e TKOB duhet të ndryshojë duke filluar nga administrata, përgjegjësia duhet  të jetë e përcaktuar për funksionimin perfekt të detyrës. Drejtimi i sektorëve artistik duhet dhe do të jetë në përgjegjësi absolute të drejtuesve, të cilët janë në provë të rezultateve që do të kenë. Urgjentisht duhen aplikuar kontratat e përkohshme. Nuk ndodh të fillosh punë në një teater dhe të shtysh kohën deri sa të dalësh në pension. Duhen përcaktuar me ligj të brendshëm detyrat e artistëve, koha e punës, etj., si dhe pozicionet apo kategorizimet. Ato vlejnë aq kohë sa justifikon performancën, ndërkohë artisti pavarësisht statusit është në shërbim të skenës për çfarë ajo ka nevojë. Të gjitha këto dhe të tjera zgjidhen me në krye njerëz profesionistë, të aftë dhe me integritet. Duhet të kemi sistem të qartë, ku çdo sektor funksionon me vete, por dhe që koordinohen ndërmjet tyre dhe përgjigjen para drejtorit të përgjithshëm. Hierarki, por me kompetenca të plota e cila bëhet me pak njerëz që duan të punojnë profesionalisht, ndershëm dhe pastër. Duhet të marrë fund koncepti se tek zyra e drejtorit të përgjithshëm zgjidhen të gjithë problemet që nga pastrimi i TKOB deri tek ato artistike, ka shumë gjëra që duhen bërë për ta drejtuar  në rrugë të drejtë dhe kjo për të mirën dhe të ardhmen e teatrit. TKOB-i duhet të ndryshojë mënyrën e të punuarit, është domosdoshmëri  qenësia e saj një institucion dinjitoz i artit, kjo nis që në momentin kur duhet të marrë fund papunësia e paguar”.
 
Keni pasur vlerësime të mëdha jashtë vendit dhe sidomos në Kroaci por edhe deri në Japoni, ku kontributi juaj është ndjerë shumë. A mendoni se do të ndikojë përvoja juaj për ta sjellë në vend?
“Ideja dhe strategjia ime është që TKOB-i të përbëjë shtëpinë e të gjithë artistëve kudondodhur brenda dhe jashtë Shqipërisë. Pra gjithë artistët janë të ftuar në teatër të japin eksperiencën e tyre. Unë kam punuar me profesionistë të mëdhenj dhe e di mirë si duket ose si është teatri i mirë në të gjithë sektorët. Teatrin e bëjnë të gjithë bashkë, profesionistë që drejtojnë me një sistem të mirë punë, por e theksoj se ka konceptim special në Shqipëri për rolin e individit. Do të jem partizan i punës profesionale dhe kurrë i reklamës pa kriter, sado e rrezikshme të jetë. Ky drejtim është i vështirë por i vetmi për të bërë punë të mirë. Çdo qëndrim tjetër nuk është profesional por sa për të kaluar lumin dhe unë këtë as e dua dhe as kam për ta bërë”.
 
Sa ju ka ndikuar formimi juaj i dikurshëm dhe puna me më të vjetërit në Operën dhe Baletin shqiptar për karrierën e mëvonshme?


“Kemi patur shkollë të mirë dhe mësues të pasionuar, natyrisht ballafaqimi me botën ishte shokues sepse zanati nuk ka fund dhe diversiteti në art është faktor i domosdoshëm për t’u zhvilluar në profesion”.
 
A mendoni se ka ardhur koha që të ketë një drejtim më bashkëkohor të këtij institucioni?
 
“Hapja, pjesëmarrje e gjërë artistësh të të gjitha formave të shprehjes artistike skenike, forume për mbarëvajtjen e teatrit , sugjerime e mendime,  një demokratizim i drejtimit është rruga më e mirë si mund të zhvillohet nëse do mendonim në të mirë të teatrit. Edukimi artistik nëpërmjet artit, një tjetër prioritet i Ministrisë së Kulturës dhe politikave të saj, që do të ideojë në një kohë shumë të shpejtë programin e edukimit në të gjithë institucionet artistike, një strukturë solide komunikimi me grupmoshat e ndryshme të shoqërisë, që nga fëmijët e deri tek më të rinjtë. Por, këtu duhet thënë dhe një e vërtetë tjetër e madhe se do të kemi mbështetjen e qeverisë, e cila me programin e saj tregon se e vlerëson, e respekton artistin dhe e sheh kulturën si një gjurmë të rëndësishëm të identitetit tonë që do të na çojë me dinjitet në familjen e madhe evropiane, së cilës i përkasim me historinë dhe trashëgiminë tonë”.
 
***
Zhani Ciko hesht por PD irritohet


Në një deklaratë për shtyp, PD-ja do reagonte ashpër ndaj largimit të Zhani Cikos, i cili ka preferuar thjesht të heshtë dhe të mos futet në debatet e medies
“Me shkarkimin pas krahëve, të Drejtorit të Teatrit të  Operës dhe Baletit, maestro Zhani Cikos, Kryeministri i ka vënë  kazmën kontributit të palodhshëm të një jete të  tërë për operën, muzikën dhe artin.Zhani Ciko është një shërbëtor i përulur i kulturës tonë kombëtare, dhe është  një nder për vendin tonë që ai drejtonte Teatrin e Operës dhe Baletit.
Me një vendim të errët, me prepotencë të  pashoqe, Edi Rama largoi nga detyra maestron e famshëm, pa pasur guximin t’i komunikonte atij as dhe dy fjalë. Asnjë falënderim për mundin e dhënë për artin dhe kulturën e vendit.
Zhani Ciko po përgatitej për koncertin e bamirësisë, dhe nuk ishte në dijeni të vendimit që Kryeministri kishte marrë ndërkohë.  Ai u lajmërua nga miqtë  e tij në telefon, të cilët kishin dëgjuar në media për shkarkimin e tij”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama