Drejtesia shqiptare ka shume korrupsion paprofesionalizem dhe nepotizem

Drejtesia shqiptare ka shume korrupsion, paprofesionalizem dhe nepotizem

Ekspertja e njohur e drejtësisë dhe pjesëtare aktive e ndryshimeve të Shqipërisë pas viteve ’90 flet për një sërë çështjesh që lidhen me drejtësinë shqiptare, por në vështrimin e saj, duhet që njerëzit e Drejtësisë të mendojnë ashtu si duhet dhe të jenë idealistë…



Janë disa komponentë me të cilët do të merret dhe duhet të zgjidhë Reforma në Drejtësi, por duket që një sërë njerëzish të saj janë ende shumë skeptikë. Jo thjesht prej nivelit të korrupsionit, nepotizmit dhe paprofesionalizmit të radhëve të veta, siç shprehet juristja Imholz, që e ka asistuar shpesh sistemin e Drejtësisë pas viteve ’90, por edhe mungesën e duhur të vullnetit politik. Ndërkohë ekspertët e shumtë kanë filluar të merren me Ligjin, dhe Shqipëria po punon fort për një nga çelësat që do t’i hapë udhë negociatave për ta atashuar atë në Evropë. Ekspertët konstitucionalistë po analizojnë kuadrin kushtetues në lidhje me institucionet e sistemit të drejtësisë, për të evidentuar nëse Kushtetuta ka arritur apo jo të garantojë funksionimin e duhur brenda sistemit apo nëse problemet rrjedhin nga mënyra e hartimit të normave kushtetuese apo zbatimit të tyre nga institucionet përkatëse; më tej është analizuar ligji organik i Gjykatës Kushtetuese për problemet që janë hasur në praktikë nga zbatimi i tij në të gjitha aspektet e organizimit dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, thuhet në dokumentet për Reformën.

Ndërsa sa i përket gjyqësorit, ekspertët po përballen me vështirësitë që fillojnë nga organizimi, pavarësia, paanshmëria, profesionalizmi, administrimi, eficenca, transparenca e sistemit dhe ekzekutimi i vendimeve gjyqësore për realizimin e të drejtave dhe lirive themelore të individit. Edhe pse në letër gjërat janë dhe kanë qenë të precizuara, specialistët e pohojnë se:  gjyqtarët shqiptarë kanë mangësi dhe janë larg standardeve dhe nivelit profesional që duhet të karakterizojë si duhet një gjyqtar të vendeve të BE-së, e më tej akoma: publiku anashkalohet në tre shkallët e gjykimit. Por, a mundet që me këtë nivel korrupsioni dhe degjenerimi që ka Drejtësia shqiptare t’ia dalë reforma në Drejtësi? Juristja e njohur Kathleen Imholz, që ka jetuar dhe ka punuar në fushën e Drejtësisë në të gjithë vitet e tranzicionit në Shqipëri, mbajtësja e një sërë detyrash lidhur me të, shprehet për “Javanews” se: “Nuk mund të mohohet se ka shumë korrupsion dhe mungesë profesionalizmi, si dhe nepotizëm, ‘akrobacillëk’, klientelizëm dhe pandershmëri në sistemin e drejtësisë (por e shmang fjalën tuaj “degjenerim”, e cila më duket shumë emocionale dhe jo e saktë). Por, n.q.s. vetëm Parlamenti miraton një seri të gjatë (dhe të mjegullt) ndryshimesh të ligjeve si dhe Kushtetutës, me ose pa referendum popullor, asgjë nuk do të ndryshojë ose do të ndryshojë për të keqen (duhet koha e nevojshme për ndryshimet dhe institucione të reja).

Edhe me një ligj dhe nene kushtetuese te reja, Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mbetet një organ pa efekt, ose me efekt negativ, n.q.s. anëtarët – po cilët do të jenë ata – nuk do të veprojnë me ndërgjegje. Atëherë si mund të arrihet ky ndryshim sjelljeje? Nuk e di – por e di që koha e harxhuar me ndryshime nenesh, ligjesh, Kushtetute është kohë pothuajse e humbur.

Në mbyllje, dua të shprehem se polarizimi (Qeveria, gjyqësori dhe aktorët e tjerë të drejtësisë) nuk me duket efikas në asnjë masë. Le të marrim dhe le të bashkëpunojmë me ata njerëz – gjyqtarë, prokurorë, avokatë etj. – të cilët duan një sistem më të mirë, më të ndershëm, më profesionist. Mund të jenë pak, por ekzistojnë. Pa ata, ndryshimi është i pamundur; ‘reforma’ do të mbetët në letër”.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama