Dosja Doshi dhe Fushe Kruja - Gjithe misteret e atentatit

Dosja Doshi dhe Fushe Kruja - Gjithe misteret e 'atentatit'

Askush nuk flet për prapavijën e njërës prej historive më intriguese të postpluralizmit. Pretendimi për një atentat të dyfishtë ndaj dy deputetëve të Kuvendit, të porositur nga kryetari i Kuvendit është një dosje e mbushur sa me politikë, aq dhe me mistere të botës së krimit dhe me emra të cilët nuk janë përmendur deri më tani në asnjë kronikë. Ajo që i bashkon të gjitha pistat është Fushë Kruja, qyteti që u bë i famshëm në botë për pritjen ndaj ish-Presidentit Xhorxh Bush dhe që sot është nën kërcënimin e tritolit. Pikërisht në qyteti, drejtimin e të cilit morri dhe motori i madh i zi që largoi nga vendngjarja atentatorët e bankierit Artan Santo

Nëse ka një të vërtetë të padiskutueshme në gjithë dosjen “Doshi”, ky është paralajmërimi i tij se nëse ai do të fliste, do të dridhej e gjithë maxhoranca. Në fakt është dredhur e gjithë shoqëria shqiptare, nën efektin e një çudie që po zgjat më shumë se tre ditë. Në fakt ka nisur java e tretë e kësaj historie, e cila u premtua se do të ishte një luftë me Edi Ramën, kryeministër i vendit, që vazhdoi me një akuzë ndaj kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe po tirret si një ankth shumëplanësh në zyrat e prokurorisë së krimeve të rënda. I vetmi institucion që deri më tani ka ruajtur një qetësi dhe barazlargësi diskrete mes palëve dhe ka nisur me një intesitet të panjohur më parë në Shqipëri, hetimin e gjithë akuzave, kundërakuzave, por dhe pikpyetjeve të reja të dala në rrugë e sipër nga hetimi. Me shumë gjasë shumë pikpyetje do të marrin  përgjigje befasuese, e ndoshta shumë të tjera vetëm do të hamendësohen. Të vetmet gjëra të sigurta janë dy: e para, që varësisht rezultatit të hetimit, njëra palë që do të ndjehet pranë asaj pale që humbet, do të kontestojë hetimin dhe e dyta, që kjo çështje do të ketë një kosto të fortë elektorale për të gjitha palët e përfshira në të politikisht. 
 
Para dhe pas përjashtimit nga PS


Deputeti Tom Doshi nuk ishte një deputet i zakonshëm socialist. Ai kishte një emër të përveçëm, ndryshe nga shumë deputetë të tjerë të njohur maksimumi vetëm lokalisht nga zonat ku vinin. Gjithashtu ndryshe nga shumë të tjerë, kishte dhe kontribute të spikatura në fushatë, duke nisur që nga viti 2009, kur megjithë Ilir Beqen atëherë mundën të përmirësojnë rezulttet e të majtës së gjithë qarkun e Shkodrës, e po kështu dhe në 2013, kur kësaj rradhe me Paulin Stërkajn dhe në aleancë me LSI-në, arritën një rezultat spektakolar në veri të vendit. Në fakt, një rezultat si në të gjithë vendin. Eshtë histori e gjatë për të rrëfyer gjithë përplasjet e dukshme dhe të padukshme të Doshit me maxhorancën të cilës i përkiste, por ato nisën të bëhen të dukshme kryesisht në verën e vitit të kaluar me disa qëndrime të tij kryesisht për situatën e emërimeve në forcat e policisë dhe situatën e rendit në vend. Kulmi arriti në momentin kur ai dhe një grup i vogël deputetësh socialistë, mes tyre dhe mikarmiku i tij i djeshëm dhe i sotëm Mark Froku, pamundësuan numrin e 84 votave të maxhorancës për votimin e reformës territoriale. Ishte data 24 korrik dhe njeriu që tentoi negociatën për rikthimin e tyre në parlament ishte Ilir Meta, njeriut që çuditërisht muaj më vonë, Doshi do t’i vinte dorën si porositës i vrasjes së tij të mundshme. Një javë më pas, në korrikun e vjetshëm, duket se në sipërfaqe gjërat ishin qetësuar, numri i magjik i votave u realizua dhe maxhoranca shkoi në pushimet e verës e qetë. Në fakt situata nuk ishte fare e tillë. Kryesisht për një sërë pakënaqësish deputetësh që ndjeheshin të papërfaqsuar në pushtetin e ri; një pjesë që pretendonin se ishin lënë jashtë vëmendjes së pushtetit dhe pjesa tjetër se vlenin shumë më shumë sesa “begenisja” që i kishte bërë qeverisja e re. Një situatë që e njihnin të gjithë, por që askush nuk e fliste në publik, por që ndiqej, natyrisht, me vëmendje të thellë dhe nga kampi kundërshtar i demokratëve.


Duke lënë pas me dhjetra detaje të tjerë, përplasja publike mes Doshit dhe maxhorancës ndodhi në dy faza. Në të parën ai akuzoi dy drejtoret e rëndësishme, të doganave Spiropali dhe të Tatimeve Shehaj, akuzoi disa ministra, por pa përmendur emra dhe mbas përjashtimit nga grupi parlamentar i PS-së, shpërtheu në akuzën e madhe: Ilir Meta ka dashur të më vrasë së bashku me deputetin tjetër Mhill Fufi.


Detaji i vetëm që nuk dihet për atë të hënë, është arsyeja se pse mbledhja e grupit parlamentar të PS-së nisi më vonë nga sa ishte menduar. Vonesa u shkaktua sepse një person, një i njohur i përbashkët mes Ramës dhe Dshit kishte negociuar një pajtim të minutës së fundit. Kthim në gjendjen e mëparshme, në këmbim të qëndrimit në grupin parlamentar. Ajo që ndërmjetësi dhe vetë Doshi nuk dinin dhe që nuk e dinte as shumica dërmuese e grupit të PS-së, përfshi edhe Kokëdhimën dhe të tjerë deputetë të rëndësishëm, ishte se bileta politike e Doshit ishte prerë pa kthim. Dhe ndikim të fortë në shuarjen e mundshme të çdo dileme të kryeministrit kishte qenë dhe ambasada amerikane. Diplomatët e saj mezi e kishin pritur këtë rast deri në atë moment si spektatorë, por në ditët para të hënës së mbledhjes ishin bërë dhe protagonistë të fshehtë. Pak kohë, fare pak kohë mbas fjalimit të Ramës në mbledhjen e grupit, ambasada publikon një deklaratë për shtyp në të cilën përshëndet veprimin e kryer dhe madje e përmend dhe emrin e deputetit Doshi në një kontekst të errët.
 
Hetimi, emrat e përfshirë


Pothuaj të gjithë personazhet më të rëndësishëm politikë të vendit janë përfshirë në këtë çështje. Duke nisur me kryetarin e Kuvendit, njeriun që Doshi, e numëroi si një nga porositësit e vrasjes së tij, në një prej varianteve të denoncuar, kryeministri, që u konsiderua sikur kishte dijeni për një gjë të tillë, por nuk veproi, ministri i brendshëm, deputeti Sali Berisha dhe një numër i madh deputetësh dhe personazhesh të tjerë. Një nga më të rëndësishmit ishte deputeti Mark Froku. Më pas, edhe personi i akuzuar si njeriu që do të bënte ekzekutimin, Durim Bami, i arrestuar, Fatjon Skënderi, si një nga të akuzuarit si porositës. Por personazhi më emblematik i këtij hetimi është dikush tjetër. Ai quhet Petrit Çinari, një ish-punonjës policie që pretendoi se ishte paguar gjithashtu për të vrarë deputetin Doshi. Deputeti pohoi se nuk e njihte këtë personazh, por shumë shpejt u provua se kishin pasur një marrëdhënie dhurimi apartamenti dhe se ai kishte një kartelë klinike. Dhe jo vetëm kaq, por të dy janë të përfshirë dhe në një proces gjyqësor si palë për një objekt në malin e Dajtit.


Ky detaj, por sidomos dhe tërheqja e Frokut nga dijenia e mundshme për atentatin – Doshi pretendonte se ai i kishte bërë njoftimin e parë – bëri që mbi të gjithë procesin të hidhet një hije e fortë, madje shumë e fortë dyshimi. Sepse tek Froku deputeti Doshi kishte varur shpresën e madhe që ju përgënjeshtrua.
 
Hetimi, emrat që nuk pëmenden


Ka disa përkitje të çuditshme në të gjithë këtë histori. Duke nisur që nga pranvera e shkuar, kur në Tiranë nisi të flitej për një marrëdhënie normale të kryeministrit apo më saktë, njerëzve pranë tij, me ish-drejtorin e bankës Credins Artan Santo. Në akuzat me karakter financiar të ish-opozitës së djeshme, emri i bankës zakonisht nuk përmendej, por akuzatorët socialistë e konsideronin atë si shumë të afërt me pushtetin e djeshëm. Santo ekzekutohet në një atentat tipik mafioz, pikërisht në derën e zyrës së tij nga dy atentatorë që ende nuk kanë emër dhe identitet. Dyshimet më të forta janë se ata janë nga zona e Fushë Krujës, një nga pikat e nxehta të vendit sot. Nuk ka asnjë motiv dhe një pistë zyrtare të hetimit.


Emri i qytetit që u bë i famshëm se i dha qytetarinë e nderit edhe ish-presidentit amerikan Xhorxh Bush, Fushë Kruja është pika lidhëse e dy historive të tjera, përveç tritolit.


Nga Fushë Kruja është Durim Bami, i akuzuar nga Doshi si njeriu që do të bënte atentatin kundër tij. Po nga ky qytet dhe mik me të është dhe Enver Stafuka, një tjetër personazh i përfshirë në procesin e vrasjes së komisarit Durim Lamaj, në rolin e ndihmësit. Stafuka është marrë peng ditë më parë, po në Fushë Krujë.


Po nga Fushë Kruja është nisur drejt Tiranës në pesë janar të këtij viti kur i kanë bërë një atentat në Qafën e Kasharit Emiljano Shullazi, një tjetër emër i njohur në kryeqytet. Dje i akuzuar nga socialistët për lidhje me pushtetin e PD-së, sot, së fundmi i akuzuar nga Berisha si i lidhur me PS-në, e konkretisht me ministrin e brendshëm.  


Deputeti Tom Doshi kishte të drejtë kur pretendonte se nëse ai fliste do të dridhte themelet e maxhorancës. Në fakt historia e tij po dredh shumëçka në Shqipëri. Ndoshta jo me efektin që ai priti të kishte, por me atë që pritet të ndodhë në një të nesërme të afërt. Në fillim në qershor me zgjedhjet lokale, kur një gjë është më shumë e rëndësishme për politikën shqiptare sesa të gjitha kronikat: shifrat, çfarë do të ndryshojë në shifrat elektorale të partive në garë. Sepse aty e kanë mendjen të gjithë, duke nisur nga Rama e Meta në njërën anë, tek Basha e Berisha në anën tjetër.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama