E. Kathleen Warric, kritikja e letërsisë beson se pas Sharlotës (personazhit kryesor) të romanit "Vuajtjet e djaloshit Verter", ekziston një tjetër Sharlotë e vërtetë. Vuajtjet që Gëte i rrëfeu me aq ndjeshmëri në romanin që vazhdon të jetë i lexuar edhe në ditët e sotme, kanë qenë të vetë shkrimtarit, nga një dashuri jo e lumtur me Sharlota Bufin, një grua që e robëroi për një kohë të gjatë. Warric beson se vetëm një ndjenjë e jetuar mund të krijojë një letërsi të tillë. Pavarësisht se Gëte del me përkufizimin e saj si një burrë tejet romantik, pak rëndësi ka kjo për të. Të gjithë ne kemi anët tona të dobëta dhe kjo do të ketë qenë një periudhë në jetën e shkrimtarit kur është ndjerë i tillë. Kritikja Warric është marrë gjatë me këtë vepër në studimin e saj "Seksualiteti i Sharlotës dhe përgjegjësia e saj për vdekjen e Verterit". Një studim ky i cili ka marrë një kohë të gjatë për të depërtuar në të fshehtat e shkrimtarit. Një vepër mund ta kuptosh më mirë nëse ti di dhe jetën e autorit në kohën kur e shkroi atë. Kështu, në këtë periudhë, mësohet se shkrimtari ka pasur një lidhje dashurie që nuk shkonte dhe aq mirë me Sharlota Bufin, emrin e së cilës e ka përdorur edhe në romanin "Vuajtjet e djaloshit Verter". Teksa na rrëfen Sharlotën letrare Kathleen mundohet të gjejë pika të përbashkëta mes saj dhe asaj reale, që ndoshta nuk kishte kaluar aq ditë magjike me Gëten. Ndryshe Verter nuk do të kishte vuajtur, por do të ishte një dashnor i lumtur, si të gjithë ata që kanë krahë ku mund të mbështeten. "Vetë Sharlota ka qenë e trajtuar nga kritika në tre vështrime themelore. E para, roli i saj në roman është trajtuar gati si i parëndësishëm në veprimet e Verterit... E dyta, ajo është parë thjesht si një soditëse e pafajshme e fatit tragjik të Verterit, si një grua që nuk ka vetëdijen e vetvetes... Më së fundi, ajo është parë si një dashuri aktuale e Gëtes në jetën e tij private dhe duhet thënë se marrëdhëniet e tij me të kanë qenë të diskutueshme. Është shkruar shumë nëse Sharlota përfaqësonte Sharlota Bufin, një grua me të cilën Gëte pati për një farë kohe, një dashuri jo të lumtur dhe jo të qetë. Ka shumë gjëra të ngjashme që mund të citohen nga shkrimet e Gëtes për Sharlota Bufin, duke i krahasuar me deklaratat e Verterit për Sharlotën", thotë Warric.
Duke lexuar "Vuajtjet e djaloshit Verter" ne dukemi sikur nxitemi për ta parë të dashurën e Verterit, Sharlotën si një grua pasive dhe të pafajshme. Butësia dhe sinqeriteti i saj na duken të pakritikueshme dhe veprimet e shumta që ajo kryen, ndihmojnë që në mendjen e lexuesve të krijohet një përshtypje e mirë për të. Kjo ndodh pasi tashmë dyqind vjet që lexuesit e Verterit kanë krijuar këtë përfytyrim për Sharlotën, sipas të cilit ajo nuk është ashtu siç duket, mbasi si pafajësia, si mosveprimi i saj në fatin tragjik të Verterit janë gjëra që nuk mund të pranohen pa dyshime.
Warric merret gjatë me këtë vepër. Për kritikën e letërsisë është normale që një vepër të shtjellohet duke u marrë vetëm me personazhet e saj. "Do doja të sillja këtu dhe një pikëpamje të katërt, në të cilën pohohet se interpretimi kritik i mëparshëm i rolit të Sharlotës si një mikeshë e pafajshme dhe e paqortueshme e Verterit nuk qëndron në këmbë po të kemi parasysh mjaft pjesë të tekstit mbasi në të vërtetë, ajo është përgjegjëse me nxitjet që i bën Verterit për ta shtuar vazhdimisht dashurinë e tij për atë", thotë ajo.
Por ndryshe nga studimet e tjera mbi këtë vepër, kjo kritike kërkon të ndalet te momentet erotike që ngjallen mes dy personazheve. "Në letrat e Verterit ne shohim shpesh Sharlotën duke i dhënë shenja intime joshëse. Ajo bisedon me atë kokë me kokë, vë dorën e saj mbi dorën e tij, në vallëzim, lëviz aq e shtrënguar pas Verterit beson në pafajësinë dhe në shpirtin e saj të kulluar dhe e ka të pamundur të kuptojë se si ajo po e torturon. Ajo sillet vazhdimisht me Verterin në një mënyrë që na tregon sa edhe në përzgjedhjen e veprave që lexon dhe në diskutimet filozofike në të cilat merr pjesë. Është e qartë pra, se ajo që ne shohim të zhvillohet që në faqet e para të romanit, nuk është roli i Sharlotës si grua e virtytshme dhe e panjollë, por më shumë është paraqitja e nevojës së brendshme që ndien Verteri për të mohuar jetën dhe realitetin duke trilluar edhe vetë tiparet e njerëzve për të cilët interesohet në mënyrë kaq intime".
Megjithatë, romani duket se është i mbështjellë nga iluzioni. "Fjalët nuk janë të vetmet mjete me të cilat Sharlota i shfaq atij dëshirat e saj epshore. Edhe prekjet në trup i flasin madje me një forcë ndjeshmërisë", thotë Warris.
Por interesante për këtë roman janë edhe rrëfimi i kësaj historie nga botuesi i librit. Ai jep në mënyrën e tij gjithçka nga kjo histori që, sipas tij, do të duhej të ishte mbyllur ndryshe.
Pa dhembje. Por ndjeshmëria e Verterit dhe mënyra e tij për ta parë botën gjithnjë me syrin e trishtë, e bëri të ikte përgjithnjë. Po ç‘përfaqëson kjo histori në ditët e sotme, ku libri çdo vit vendoset në libraritë e gjithë botës. Shtëpia botuese "Onufri" e ka sjellë tashmë Verterin sërish në shqip nën përkthimin e Petro Zhejit.
Kathleen do ta shpjegonte nevojën tonë për t‘u kthyer në këtë histori, si një mënyrë për të parë kohët e errëta në jetët tona. Çdo dashuri mund të jetë e tillë dhe fuqia e saj mund të mbizotërojë mbi ne. "Përshkrimi i realizimit të vrasjes së Verterit nga ana e Sharlotës, paraqitet nga botuesi si një përgjigje emocionale e pakuptueshme, që është në të njëjtën kohë një shëmbëlltyrë tërheqëse orgazme. Kur ajo zgjohet dhe dëgjon kambanën që bie për mort, një dridhërimë pushton tërë gjymtyrët e saj dhe figura e tij i shfaqet përpara. Në pranimin e vdekjes së Verterit, në zotërimin final që ajo i bën Verterit gjuha e Erosit mbizotëron mbi veprimet e Sharlotës. Ajo vetë bëhet tashmë një Eros i nginjur me pasion. A është kjo vallë përgjigje e një të pafajshmeje e një gruaje të virtytshme që është duke reaguar kështu ndaj një ngjarjeje të tmerrshme e shkaktuar nga një faj apo nga diçka tjetër? Apo është më mirë të thuhet se kjo është përgjigjja e fundit e një gruaje që ka kërkuar me ngulm dashurinë e një burri dhe tani bart mbi vete pjesën më të madhe të përgjegjësisë për vetëvrasjen e tij", shkruan Kathleen.
Për Warrick, erotika është një ndjenjë komplekse, aq sa nëpërmjet saj mund të shpjegosh jo vetëm trishtimin e Verterit, por dhe zgjedhjen që ai i dha jetës.
Më 24 korrik
Meqenëse ti tregohesh shumë i shqetësuar se mos unë e lë pikturën pas dore, bëj më mirë atëherë të hesht mbi këtë çështje se sa të rrëfehem duke bërë të ditur që ç‘prej shumë kohësh s‘merrem pothuaj fare me të. Kurrë asnjëherë në jetën time s‘kam qenë kaq i lumtur kurrë asnjëherë tjetër ndjeshmëria për natyrën e gjer për më të voglën guriçkë, e gjer për më të hollën fije bari, nuk ka qenë tek unë kaq gjithëpërfshirëse dhe e mprehtë dhe prapë megjithatë ... nuk di si ta them... unë nuk gjej dot mënyrën për t‘u shprehur aftësia ime përfytyruese është bërë kaq e dobët dhe gjithçka vozit e luhatet gjer në atë shkallë para shpirtin tim saqë s‘jam i zoti të kap dot asnjë kotur, por ma ha mendja se sikur të kisha ca argjilë e ca dyllë diç do të arrija ndoshta të bëja. Pra dhe në rast se kjo gjendje do të vazhdojë do të marrë patjetër ca argjilë dhe do ta ngjesh e do ta mbruj edhe sikur ta di, fundja se skam për të bërë dot gjë tjetër veçse ca kuleçë.
E kam nisur portretin e Sharlotës tri herë dhe jam mbuluar të tri herët me turp; kjo më mërzit akoma dhe më shumë, edhe sepse pak kohë më parë nuk hiqja zor në kapjen e ngjashmërisë. Prandaj dhe u kufizova në bërjen e një siluete dhe duhet të kënaqem hëpërhë me kaq.
Po Sharlotë e dashur, do të kujdesem që të gjitha ato për sa më porositët t‘i kryej. Veç mos më kurseni, më ngarkoni me ca shërbime të tilla sa më dendur. Po kam një lutje: jo më rërë në pusullat që më shkruani. Sot vura me vrull buzët mbi të dhe ja dhëmbët zunë të më kërcasin...
Marre nga : Gazeta Shqip











