Divorcet VIP me te kushtueshmet e te gjitha koherave

Divorcet VIP, më të kushtueshmet e të gjitha kohërave

Kështu, nga Michael Jordan te Mick Jagger, ja lista e ish- bashkëshortëve "më të shtrenjtë" në botë:

Çuditërisht, në krye të klasifikimit të bërë nga "Forbes" nuk qëndron ndonjë aktor Hollivudi, por një yll i basketbollit. Ish- kampioni i NBA-së, Micael Jordan, nuk e ka firmosur përfundimisht aktin e ndarjes nga Juanita Vanoy Jordan, megjithatë, sipas revistës, Jordan duhet t‘i "dorëzojë" bashkëshortes një shifër më të lartë se 150 milionë dollarësh ose më pak se gjysma e fitimeve - të vlerësuara rreth 350 milionë dollarë - të realizuara nga kampioni i NBA-së gjatë martesës së tyre që prej vitit 1989. Kështu, pas 18 vjetësh martesë, kampioni i basketbollit rrezikon të ketë një "vrimë" në bankë aq të madhe sa edhe koshi, të cilën ai e dinte me sy mbyllur.

 Siç thamë, marrëveshja nuk është firmosur akoma, por po flitet për një çek prej miliardash, që Juanita do të fusë së shpejti në xhep. Ndaj, për Jordan ndonjë terapi te psikoanalisti do të ishte vërtet e nevojshme. Mbajtësi aktual i rekordit është këngëtari Neil Diamond, i cili i ka dhënë tashmë 150 milionë dollarë ish-gruas së tij, Maria Murphey, për 25 vite martese së bashku. Ajo "donte të më zhvaste deri në qindarkën e fundit", kishte deklaruar Diamond në vitin 1994, vit kur u bë edhe lamtumira e kushtueshme. Në vend të tretë renditet divorci mes regjisorit të njohur Steven Spilberg dhe Amy Irving, pas katër vjet martese të kurorëzuar në vitin 1985. Irving arriti ta bënte të pavlefshme kontratën paramartesore, të shkruar vetëm mbi një fletë të bardhë, meqenëse e kishte firmosur pa praninë e një avokati. Kështu, gjykata vendosi t‘i akordonte një shumë të majme prej 100 milionë dollarësh, ose gjysmën e të ardhurave që kishte Spilberg në atë kohë, pasuria e të cilit sot është vlerësuar në rreth 3 milionë dollarë.

Vetëm një vend larg podit vendoset aktori Harrison Ford. Me 85 milionë dollarët që i tha lamtumirë Melissa Mathsonit në vitin 2004, Ford renditet i katërti pa frikë. Për më tepër, ish-zonja Ford ka arritur të sigurojë një përqindje mbi fitimet e ardhshme të filmave të bërë në kohën kur aktori ishte bashkëshorti i saj. Një shembull? Shitja e DVD të trilogjisë "Indiana Jones" i solli padyshim Melissa-s shpenzime pa kufij dhe pa stres. Çfarë mund të thuash për një tjetër yll dhe bukurosh të Hollivudit, Cevin Costner, që renditet i pesti? Gruaja Cindy Silvia, me të cilën vuri kurorë në vitin 1978, pati fatin të ndahej në momentin më të shndritshëm të protagonistit në "Vallëzim me ujqërit", në mesin e viteve ‘90. Vetëm në vitin 1991 Costner kishte grumbulluar 50 milionë dollarë, ndaj Cindy-t në vitin 1994 iu dhurua çeku me 80 milionë dollarë. Por Kevin duket se nuk dorëzohet kollaj: tre vjet më parë u rimartua me Christine Baumgartner.

Urimi është që dashuria mes tyre të mos përfundojë kurrë... Në të kundërt aktori duhet të mendohet mirë dhe gjatë. Një nga ngjarjet më të bujshme të kohëve të fundit, në fakt është edhe ndarja e dhimbshme mes Paul McCartney dhe Heather Mills, që renditet e gjashta. Ndeshja është akoma e hapur, por duket se shifra përfundimtare që Paul duhet t‘i japë Heather vërtitet rreth 60 milionë dollarë. Megjithatë, ish-Bitëllsi duhet të jetë disi i kënaqur me këtë shifër, po të mendosh se Paul ka në bankë 700 milionë dollarë. Martesë e shpejtë dhe divorc i majmë për çiftin e renditur në vendin e shtatë: regjisori James Cameron dhe Linda Hamilton. Pas 18 muajsh martesë, në vitin 1999 aktorja i ka zhvatur regjisorit rreth 50 milionë dollarë, gjysmën e shumës që fitoi pas filmit të famshëm "Titanic". Në vendin e tetë qëndron aktori i "Luftë trëndafilash", Michael Douglas. Aktori dhe Diandra Luker u takuan në vitin 1977 për festën e ardhjes së Jimmy Carter në Shtëpinë e Bardhë dhe u martuan vetëm gjashtë javë më vonë. Në vitin 1998, Diandra mori 45 milionë dollarë, plus një vilë në Beverly Hills dhe një në Majorca.

Por lajmi i keq për Dauglas është edhe një tjetër: martesa me Catherine Zeta Jones duket se nuk po shkon mirë dhe nëse gjërat do të shkonin drejt divorcit, portali i aktorit do të mbetej vetëm me disa qindarka. Për vendin e nëntë idetë kanë qenë më se të qarta. Gruaja e Lionel Richie, në momentin e lamtumirës nuk është frenuar para asgjëje për të arsyetuar: përveç 20 milionë dollarëve të marra nga divorci, në vitin 2004 Diane ka kërkuar 50 mijë dollarë në muaj për manikyre dhe masazhe, plus 20 mijë në vit për ndërhyrje kirurgjikale plastike. I fundit (për fatin e tij të mirë) në listën e gjatë të stiluar nga "Forbes", është Mick Jagger. Këngëtari i "Rolling Stones" dhe Jerry Hall ishin njohur në vitin 1977, por u martuan vetëm në vitin 1990 me një ceremoni në Bali. Kur në vitin 1999 bashkëshortja e tij zbuloi se Jagger kishte pasur një vajzë nga një lidhje jashtëmartesore, nisi me shpejtësi procedurat e divorcit. Këngëtari arriti ta evitonte mundësinë për t‘i "dhuruar" gruas së tij një shumë të majme nga pasuria e tij prej 325 milionë dollarësh, duke njohur në gjykatë se martesa në Bali nuk kishte vlerë ligjore. Megjithatë, Hall iu desh të kënaqej me një shumë që varionte nga 15 deri në 20 milionë dollarë.

 


Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama