Diana Ndoshta munt te Mbijetonte!

Diana Ndoshta munt te Mbijetonte!
Profesori, të cilit i ishin kërkuar të dhëna për trajtimin mjekësor ndaj princeshës nga gjykatësi Scott Baker, tha se lëndimet e brendshme ishin jashtëzakonisht të pazakonshme dhe serioze, por teorikisht do të ishte e mundur të shpëtonte. Trupi gjykues mësoi një ndarje të thekshme në mes trajtimit francez për pacientët me lëndime të shumëfishta - që favorizojnë trajtimin nga mjekët në vendngjarje - dhe për trajtimin "kape dhe vrapo" që zhvillohet në Britani. Jurisë i është thënë se princesha ishte larguar nga vetura brenda 35 minutave pas aksidentit, më 31 gusht 1997. Ajo pati sulm në zemër dhe është dashur t‘i jepet ndihma e parë me masazh të jashtëm në zemër para se të vendosej në ambulancë, ku i ishte bërë ekzaminimi i plotë. Në një moment ajo lëshoi një britmë, kur u përmend dhe ishte shumë e shqetësuar, saqë mjekëve u është dashur të ndërhyjnë që ajo të mos lëvizte, u tha në gjykatë. Deri në orën 01.40 gjykohet se ajo ishte në gjendje mjaft të qëndrueshme që të dërgohej në spital. Dr. Jean-Marc Martino, specialist në emergjencë, i kishte thënë shoferit të ambulancës ta ngiste më me ngadalë makinën, që të mos e destabilizonte gjendjen shëndetësore të princeshës. Në një moment, vetura u detyrua të ndalej për 5 minuta te hyrja e spitalit, pasi shtypja e gjakut të princeshës ra në nivele të rrezikshme dhe ajo kishte nevojë për stabilizim. Disa mjekë thanë para gjykatësve se po të mos kishte pasur trajtim aq të fortë gjatë rrugës për në spital, ajo do të kishte vdekur gjatë rrugës.

Jurisë i është thënë se ajo pati gjakderdhje të brendshme nga këputja e venave pulmonare. Pas orës 02.00 të mesnatës, rëntgeni tregoi se Diana kishte gjakderdhje masive të brendshme, në anën e djathtë të gjoksit. Një kirurg e hapi gjoksin e saj për të gjetur burimin e gjakderdhjes, por nuk mundi ta gjente menjëherë enën e çarë. Profesor Alain Pavie, një nga kirurgët më të mirë në Francë që ishte thirrur për ndihmë, e mori përsipër operacionin, zgjeroi prerjen që ta zbulonte çarjen dhe e pa se gjakderdhja ishte shkaktuar në anën e majtë e jo në anën e djathë ku ishte grumbulluar gjaku. Ai e qepi plagën, por përkundër përpjekjeve me oksigjen për reanimacion kardio-pulmonar, masazhit të jashtëm të zemrës, defilibrimit dhe dozave masive me adrenalinë, mjekët më në fund u dorëzuan në orën 04.00 të mëngjesit. Profesori Andre Lienhart, i cili e rishikoi rastin për hetuesit francezë, i tha trupit gjykues se nuk ka pasur ndonjë rast në historinë e mjekësisë, me lëndime të tilla, që ka arritur gjallë në spital. Profesor Treasure tha: "Ata kanë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë dhe relativisht të shpejtë, duke i drejtuar qafën, duke e nxjerrë nga vetura, me vetëm një episod të shkurtër, kur Dianës iu ndal pulsi, por ata vepruan si duhet dhe e normalizuan shtypjen e gjakut". Duke pasur parasysh trajtimin mjekësor në vendin e ngjarjes dhe udhëtimin pasues për në spital, ai tha se: "Kjo ishte koha kur asaj i pushuan të rrahurat e zemrës". Ai vazhdoi të thoshte se "këto janë analizat e mia, ata e kishin kryer punën mjaft mirë në tridhjetë minutat e para, por puna e mëtutjeshme duhej të kryhej nga një kirurg". Avokati i procesit gjyqësor, Nicholas Hilliard, pyeti: "A mendoni se në momentin më të rëndësishëm mjekët nuk kishin qenë efikas?" Profesori Treasure u përgjigj: "Kjo është një gjë e rëndë për t‘u thënë, por unë mendoj se mundësitë ishin të vogla". Ai vazhdoi: "Kur ajo ishte në ambulancë dhe vlerësimi fillestar ishte kryer me saktësi, kur i ishte stabilizuar qafa dhe qarkullimi i gjakut... nuk jam i sigurt se çfarë ndodhi pas kësaj, se pse ata nuk e dërguan më shpejt në spital dhe pse profesori Pavie nuk u lajmërua më herët". Profesori Treasure, i cili këtë javë do të botojë një studim se si duhet të trajtohen pacientët me lëndime të shumëfishta, gjithashtu e vuri në pikëpyetje vendimin për t‘u ndalur aq afër spitalit për ta stabilizuar gjendjen e princeshës, kur asaj i kishte rënë presioni i gjakut. Procesi gjyqësor vazhdon.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama